1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

091111 Viren Wirkstoff

10 Nëntor 2011

Lufta kundër viruseve është më e vështirë se sa ajo kundër bakterieve. Vetëm vaksinat premtojnë një efekt të gjerë, por ato nuk ekzistojnë kundër çdo bakteri. Studiues të MIT kanë zbuluar tani një lëndë kundër viruseve.

https://p.dw.com/p/137uN
Pamje simbolike - vaksinë kundër H1N1
Fotografi: AP/DW-Montage

Studiues në SHBA janë në gjurmët e një substance aktive të re: ajo quhet "Draco" dhe ky emër është në fakt shumë i përshtatshëm, thotë Todd Rider nga Massachusetts Institute of Technology, shkurt MIT. Sepse "Draco" është në fakt një mjet drakonik kundër të gjitha viruseve, mendon Ridder. Ai mund t'i mbajë nën kontroll të gjitha viruset, sado të ndryshme qofshin ato.

"Ne e kemi testuar "Draco"-n deri tani kundër 15 viruseve, midis tyre viruseve të ftohjes, të gripit të derrave H1N1, të gripeve të zorrëve, të poliomelitetit etj. Medikamenti funksionoi kundër të gjithave. Ne kemi një listë bakteriesh, kundër të cilave duam ta testojmë "Draco"-n. Ne shpresojmë që ai të ketë efekt të përgjithshëm, kundër të gjitha viruseve. "

"Draco" nuk sulmon vetë viruset, por qelizat që i strehojnë viruset, pra qelizat në trup, të cilat janë infektuar me viruse. Ridder:

"Viruset shumohen në një qelizë strehuese dhe pastaj e vrasin qelizën. Ato pëlcasin përtej qelizës dhe vazhdojnë punën kundër qelizave të tjera. "Draco" asgjëson qelizën e parë të infektuar dhe e bën këtë përpara se të jenë shumuar viruset dhe të infektojnë qeliza të tjera."

Shiringa vaksinash kundër gripit të derrit.
Shiringa vaksinash kundër gripit të derrit.Fotografi: picture alliance / dpa

"Draco" është në gjendje t'i diktojë në mënyrë shumë të qëllimshme qelizat e infektuara me virus dhe kjo në bazë të RNA, acidit ribonukleinik. Kur shumohen viruset, ato krijojnë litarë jashtëzakonisht të gjatë të dyfishtë RNA-je. Këta litarë të dyfishtë RNA-je normalisht nuk ndeshen në një qelizë trupi. Pra ato janë një sinjal që një virus ka sulmuar një qelizë.

Deri në prodhimin e një vaksine për njerëzit rruga ështe e gjatë

"Draco" dikton qelizat e infektuara, në të cilat ka viruse RNA. Ai i bën qelizat që të vetëshkatërrohen dhe në këtë mënyrë arrin t'i japë fund infeksionit. Qelizat e shëndosha mbeten të paprekura."

Todd Ridder dhe kolegët e tij treguan se "Draco" funksionon po në këtë mënyrë. Të paktën në epruvetë, në qeliza të veçanta që kanë qenë të infektuara me virus. Veç kësaj, "Draco" shëroi minjtë, që ishin infektuar me gripin e derrave. Tod Ritter është i bindur se Draco ka aftësinë të bëhet një medikament universal dhe se është në gjendje që t'u tregojë vendin të gjitha infeksioneve. Studiues të tjerë e shohin këtë në mënyrë më kritike. Midis tyre është Andrea Branch nga Mount Sinai School of Medicine në New York.

"Mënyra e kurimit është me të vërtetë punë e zgjuar. Respekt për punën krijuese të kolegëve. Por që të tregosh se substanca aktive funksionon tek minjtë është njëra anë. Deri sa të krijohet një medikament për njerëzit, është ende një rrugë e gjatë."

Todd Riotter dhe ekipi i tij nga MIT vazhdojnë punën pa u turbulluar: si hap tjetër, ata duan të testojnë kundër virusit të SIDA-s, HIV.

Autor: Gudrun Heise / Auron Dodi

Redaktoi: E. Xhani