Një truk me celular çan rrjetet kriminale
8 Qershor 2021Me një veprim të bashkërenduar globalisht në 16 vende, hetuesit i dhanë një goditje të rëndë krimit të organizuar. Më shumë se 800 të dyshuar u arrestuan në bastisje në mbi 700 shtëpi, sipas policisë së Europolit në Hagë. Mbi 48 milionë dollarë në para të gatshme dhe kripto, por edhe bizhuteri dhe armët, ranë në duart e zyrtarëve, si dhe më shumë se tetë tonë kokainë.
Në Gjermani, hetuesit kontrolluan 150 objekte të hënën dhe arrestuan më shumë se 70 të dyshuar. Ata dyshohet se kanë kryer veprat më të rënda në fushën e krimit të organizuar, njoftoi Zyra Federale e Policisë Kriminale. Sipas Ministres së Drejtësisë së landit federal të Hessenit, Eva Kühne-Hörmann, kjo përfshin gjithashtu operacione tregtare me armë.
"Një nga aksionet më të mëdha kundër kriptorrjeteve"
Aksioni në të gjithë botën e ka fillesën në hetimet e FBI dhe të hetuesve australianë. Përveç Gjermanisë, SHBA dhe Australisë, vendet e tjera pjesëmarrëse ishin edhe Austria, Suedia, Danimarka, Estonia, Lituania, Norvegjia, Skocia dhe Britania e Madhe. Në Australi, sipas autoriteteve të atjeshme u kapën 224 vetë dhe 35 vetë u kapën në Zelandën e Re.
Në Evropë, Europoli njoftoi, ndër të tjera, arrestimin e 70 vetëve në Suedi dhe 49 të dyshuarve në Holandë. Operacioni nën emrin e koduar "Greenlight/Trojan Shield" ishte një nga aksionet më të mëdha dhe më të sofistikuara kundër rrjeteve kriminale, u tha në një konferencë shtypi.
Të akuzuarit dyshohen se kanë tregtuar në mënyrë të paligjshme lëndë narkotike dhe armë dhe se kanë përdorur celularë të shifruar - telefona inteligjentë të përgatitur, në të cilët ishte instaluar një aplikacion, që gjoja e bënte komunikimin të sigurtë ndaj përgjimit.
Sipas Europolit, këta celularë ishin të lidhura me një rrjet të FBI-së. Trafiku i të dhënave ishte i dukshëm për policinë dhe ata fituan njohuri të gjera për botën e errët kriminale. Hetuesit i dëgjuan telefonatat për më shumë se 18 muaj dhe kapën më shumë se 27 milionë mesazhe. Policë të maskuar më parë patën kontrabanduar qindra celularë të kompromentuar në shumë banda.
"Ne ishim në xhepat e pasmë të kriminelëve"
Hetuesit ishin në gjendje të ndiqnin në kohë reale, sesi anëtarët e mafies, sindikatat e tjera kriminale ose bandat kriminale të motorëve planifikonin tregtinë e drogës, pastrimin e parave dhe madje edhe vrasjet e bandave përmes platformës "AN0M". Celularët e përdorur nuk kanë funksione e-mail ose GPS dhe mund të dërgojnë mesazhe vetëm te celularët e tjerë "AN0M". "Ne ishim në xhepat e pasëm të krimit të organizuar", tha kreu i policisë federale australiane, Reece Kershaw. Kriminelët flisnin vetëm për drogë, dhunë dhe vrasje.
aud (dpa, afp, rtr)