1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një vend nën ujë - vërshimet më të mëdha në Australi në 50 vitet e fundit

2 Janar 2011

Si pasojë e përmbytjeve në lindje të Australisë mijëra njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre. Bëhet fjalë për përmbytjet më të mëdha në 50 vitet e fundit. Nga ato janë prekur rreth 200 mijë njerëz në 22 qytete.

https://p.dw.com/p/zsY6
Pamje nga rajonet e përmbytura
Pamje nga rajonet e përmbyturaFotografi: picture alliance/dpa

Vërshime me përmasa biblike

Pamje nga ajri, qyteti Theodore
Pamje nga ajri, qyteti TheodoreFotografi: picture alliance/dpa

Verilindja e Australisë është prekur nga katastrofa më e madhe e përmbytjeve në dekadat e fundit. Në shtetin federal Quennsland disa qindra mijëra vetë janë larguar nga shtëpitë e tyre si pasojë e vërshimeve të ujit. Vendbanime të tëra janë përmbytur dhe u desh të evakuohet popullsia. Gjithsej një sipërfaqe e madhe sa Gjermania dhe Franca së bashku është mbuluar nga uji. Në medie flitet për vërshime të përmasave biblike. 

Dhjetëra mijëra qytetarë prej ditësh janë vendosur në vendstrehime emergjente. Carolin Parsons nga Kryqi i Kuq në Quennsland tha në televizionin australian se të prekutir nga katastrofa janë shumë të shqetësuar për shtëpitë e tyre, sepse shumica e tyre kanë humbur gjithçka:

"Ata i kanë kanë humbur shtëpitë e tyre dhe krejt pasurinë apo dyshojnë për një gjë të tillë. Të gjithë janë shumë të shqetësuar, pasi askush nuk e di saktë se si është gjendja në rajonet e përmbytura. Dhe në lajme thuhet se niveli i ujit do të rritet edhe më shumë."

Krijohet një fond humanitar

Kryeministrja e Australisë, Julia Gillard
Kryeministrja e Australisë, Julia GillardFotografi: picture-alliance/dpa

Që nga festa e Krishtlindjeve në rajon nuk kanë të ndalur reshjet e shiut. Aeroporti i Rockhampton-it ndërkohë është mbyllur për qarkullimin e zakonshëm ajror dhe po përdoret vetëm për fluturimet e ekipeve të shpëtimit.

Kryeministrja e Australisë, Julia Gillard njoftoi për krijimin  e një fondi humanitar. Çdo person në moshë madhore, i cili është prekur nga vërshimet do të marrë 1.000 dollarë, për çdo fëmijë do të jepen nga 400 dollarë si ndihmë emergjente.

Popullatës i është bërë thirrje që të ndihmojë të prekurit. Shumë australianë në rajonet e paprekura kanë hapur dyert dhe kanë pranuar bashkëkombasit e tyre, të cilët kanë mbetur pa strehë. Alistar Davson nga policia në Quennsland çmoi lart punën e ekipeve të shpëtimit dhe gatishmërinë e popullatës për ndihmë:

"Në këtë situatë shumë qytetarë kanë hapur dyert e tyre dhe kanë pranuar miqtë e tyre. Dhe ne jemi mirënjohës për këtë ndihmë."

Pritet rritja e çmimit të qymyrit

Pamje nga rajonet e përmbytura
Pamje nga rajonet e përmbyturaFotografi: picture alliance/dpa

Një rrjet i dyqaneve me shumicë ka vënë në dispozicion artikuj ushqimor dhe mallra të tjera për viktimat e vërshimeve. Dyqane të tjera i janë bashkuar menjëherë këtij aksioni, tha Scott Driscoll nga shoqata australiane e tregtisë me pakicë:

"Ne duam të kontribuojmë që të prekurit nga vërshimet të kenë mjaft ushqime dhe të mallra të tjera të nevojshme në mënyrë që katastrofa të bëhet sado pak më e lehtë dhe e përballueshme."

Prodhuesit australianë të qymyrit kanë paralajmëruar klientët e tyre në Japoni, në Korenë e Jugut dhe në Kinë se porositë e tyre nuk mund të arrijnë me kohë. Australia është eksportuesi më i madh i qymyrit në botë. Eksportet nga Quennsland-i mbulojnë përafërsisht gjysmën e konsumit botëror. Si rrjedhojë ekspertët parashikojnë që mungesa e qymyrit pas katastrofës së vërshimeve do çojë në rritjen deri në 20% të çmimit gjatë tre muajve të ardhshëm në tregun botëror.

Autor: Bernd Musch-Borowska / Esat Ahmeti

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi