1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një vit kërkim i dhimbshëm i së vërtetës

Marcel Fürstenau/Angjelina Verbica6 Maj 2014

Më 6 maj 2013 nisi procesi gjyqësor kundër organizatës së fshehtë Ilegaliteti Nacionalsocialist. Shpresat e të afërmve të viktimave u zhgënjyen. Kjo jo vetëm për arsye të Beate Zschäpe, mendon Marcel Fuerstenau.

https://p.dw.com/p/1BuOk
Beate Zschäpe
Beate ZschäpeFotografi: picture-alliance/dpa

Vrasësit e dyshuar, Uwe Mundlos dhe Uwe Bëhnhardt kanë vrarë veten, e pandehura kryesore nuk thotë asnjë fjalë. Në këto kushte është e vështirë, pothuajse e pamundur, për të gjetur të gjithë të vërtetën në procesin NSU. Kjo e vërtetë rrotullohet rreth dy pyetjeve të ndërthurura ngushtë me njëra-tjetrën. Pse tre ekstremistë të rinj të djathtë u bënë vrasës të shumëfishtë për motive raciste? Dhe a mund të dënohet Beate Zschäpe, e pandehura kryesore në procesin NSU, për vrasje? Për vrasjen e dhjetë vetëve, ndër ta nëntë me prejardhje të huaj.

Marcel Fürstenau
Marcel FürstenauFotografi: DW

Përgjigjet edhe një vit pas fillimit të procedurës penale janë të pamjaftueshme. Në rradhë të parë për shkak të heshtjes provokuese të Zschäpes, por kjo ka të bëjë edhe me pritjet shumë të larta nga procesi në tërësi. Natyrisht shumë gjëra do të ishin ndryshe, sikur bashkëpunëtorja e vrasësve të dyshuar do të ishte shprehur lidhur me akuzat e shumta për vrasje. Por shpresa e vagullt, sidomos e të afërmve të viktimave për një deponim nga ana e saj, mbeti e papërmbushur. Ata nuk mund të presin nga Zschäpe as një gjest mirëkuptimi për vuajtjet e tyre.

Mbrojtësit e Zschäpes veprojnë me llogari

Fakti që i akuzuari Carsten S. u mundua të shprehet, vështirë se mund të jetë ngushëllim për prindërit, vëllezërit e motrat dhe vejushat e veja të të vdekurve. Ata dëshirojnë të dinë, se përse burri i tyre, djali i tyre, babai i tyre u desh të vdiste. Për këto pyetje të dhimbshme ata kurrë nuk mund të marrin përgjigje. Kjo pasiguri i thellon vuajtjet e tyre dhe përgjegjësinë kryesore për këtë e mban e akuzuara kryesore. Strategjia e zgjedhur në proces nga mbrojtësit e Zschäpes, që ajo të heshtë në mënyrë absolute, mund të jetë i besueshëm nga prespektiva e tyre ligjore, por nuk merr parasysh dhimbjet e të tjetëve.

Natyrisht që është detyrë e tyre profesionale për të bërë më të mirën për mandanten e tyre. Por që të jepet pa zë përshtypja se Zschäpe mund të ishte e pafajshme, megjithë provat e shumta, duket gati tmerruese. Kështu që plani mund të ketë sukses. Sepse bashkëpunimi direkt i 39 vjeçares nuk mund të vërtetohet nga perspektiva e prokurorisë. Prandaj akuza për tentativë për vrasje duhet të ketë një rëndësi të veçantë në gjykimin, që pritet vitin e ardhshëm.

Akuza për tentativë për vrasje rëndon shumë

Që Zschäpe e hodhi në erë banesën, ku ka jetuar për vite me rradhë së bashku me Bëhnhardt dhe Mundlos në Zwickau, për këtë ka dëshmi nga shumë dëshimtarë dhe ekspertë ligjorë. Qe fat i madh, që në përpjekjen për të eleminuar gjurmët, nuk u dëmtuan njerëz. Një fizikan i zyrës së kriminalistikës së landit të Bavarisë (LKA) konfirmoi vlerësimin e hetuesve penalë, se shpërthimi ka qenë i rrezikshëm për personat e tretë. Vetëm kjo do të ishte e mjaftueshme, për ta futur në burg për një kohë të gjatë të akuzuarën kryesore.

Duke u nisur nga 109 ditët e procesit, asgjë nuk flet për atë se do të ketë një pranim faji. Nëse kjo do të ndodhë, procesi do të mbajë një vulë, për të cilën nuk mund të përgjigjen as prokurorët e as gjyqtarët. Askush nuk mund ta detyrojë Zschçpen të ngarkojë vetveten. Avokatët e saj mund ta shtynin për ta bërë një gjë të tillë, po nuk e bëjnë për fat të keq. Kështu procesi NSU ndoshta do të mbyllet dhe vrasësit e dyshuar nuk do të akuzohen nga ndihmësja e tyre kryesore, apo persona të tjera, që janë në dijeni të veprave të tyre.

Pse nuk janë dëshmitarët e dyshimtë në bankën e të akuzuarve?

Në qoftë se ky skenar bëhet realitet, familjet e viktimave do ta përjetojnë një poshtërim tjetër. Fundja para vetëzbulimit të NSU ata janë paragjykuar nga autoritetet, që hetonin me paragjykime dhe diletantizëm, se ishin përfshirë në serinë e vrasjeve. Këto përvoja traumatike atyre nuk mund t'ua heqë askush, dhe ata ndoshta edhe pas procesit do të torturohen nga mendime munduese. Përse Zschçpe hesht në këtë mënyrë? Pse nuk rrinë në bankën e të akuzuarve edhe shumë dëshmitarë të dyshimtë nga mjedisi i djathtë? A përbëhej rrethi i ngushtë i Ilegalitetit nacionalsocialist me të vërtetë vetëm nga tre persona?

Të gjitha këto pyetje janë ushqim për spekullime, pavarësisht se si do të përfundojë procesi NSU. Nuk duhen harruar kufizimet e një procesi penal. E parë nga ana ligjore bëhet fjalë vetëm e vetëm për zbulimin dhe dënimin e fajit individual. Në përpjekjen për ta arritur këtë ekipi gjyqësor me kryetar gjykatësin Manfred Gëtzl është në rrugën e duhur. Pyetjet për arsyet ndoshta sociale të serisë e vrasjeve raciste duhen trajtuar jashtë sallës së gjyqit.

Çështja e racizmit të përditshëm

Një pikënisje e mirë për këtë ishte komisioni hetimor për NSU i Bundestagut gjerman, i cili atestoi në raportin e tij përfundimtar dështimin e shtetit. Fjala ishte për autoritetet, si policia dhe mbrojtja kushtetuese, por edhe politikanët. Ajo, që mungon, është një koncept i vërtetë, për mësimet praktike, që duhen të nxirren prej tij. Njëri apo tjetri ndryshim organizativ në zyrat e qeverisë gjermane do të ndryshojë shumë pak në racizmin e përditshëm në Gjermani. Kjo vlen të thuhet veçanërisht për procesin NSU.