1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Norvegji: bumi i veturave elektrike bllokon trafikun

Clas Oliver Richter 8 Qershor 2016

Norvegjia deri më 2025 do të heqë dorë nga makinat me benzinë dhe madje ta ndalojë shitjen e tyre. Në asnjë vend tjetër – në raport me numrin e popullsisë – nuk qarkullojnë kaq shumë makina elektrike sa në Norvegji.

https://p.dw.com/p/1J2AG
Elektro-Autos in Norwegen
Fotografi: Lars Bevanger

Ndërkohë në rrugët e Norvegjisë qarkullojnë rreth 70.000 automjete të tilla. Me favorizimet fiskale dhe privilegjet në trafik Norvegjia ka shënuar një bum në shitjen e veturave elektrike. Ndërsa në Gjermani politika sapo ka vendosur, që të nxisë blerjen e makinave elektrike përmes mbështetjes shtetërore me një shpërblim financiar. Shteti norvegjez e mbështet me zemërgjerësi shitjen e veturave elektrike.Taksa mbi vlerën e shtuar prej 25% zbritet. Vendet e parkimit në qendër të qytetit janë pa pagesë. Madje këtu janë instaluar edhe pikat e furnizimit të baterisë së motorit. Ndërkohë një në katër automjete të sapolicensuara është një makinë elektrike.

Ky koncept është zhvilluar në zyrën shtetërore të urbanisitikës, me synimin që Norvegjia të pakësojë në masë ndotjen e ajrit. Deri në vitin 2030 duhet të përgjysmohet emetimi i gazrave të dëmshme, deklaroi planifkuesi i qarkullimit Jan Lund. Ndaj veturat e reja duke nisur nga viti 2025 duhet të jenë vetëm elektrike. „Ne ende nuk i kemi ndaluar automjetet me motorë me djegje. Megjithatë besojmë, se do t'ia dalim që ta realizojmë qëllimin deri në vitin 2025, nëse mbështetja për këtë alternativë do të jetë e mjaftueshme.”

Deri në 420 milionë Euro në vit i kushton Norvegjisë mbështetja financiare për blerjen e veturave elektrike. Ndonëse nuk ka një industri kombëtare automobilësh që mund të përfitonte prej shitjes.

Umsonst Aufladen eines elektrischen Autos in Norwegen
Fotografi: Lars Bevanger

Jo të gjithë norvegjezët entuziazmohen nga ky projekt

Por jo të gjithë norvegjezët e vlerësojnë pozitivisht këtë mbështetje zemërgjerë për veturat elektrike. Kjo sepse si rrjedhojë nëpër rrugë ka më shumë vetura që bllokojnë trafikun, ankohet studiuesi i qarkullimit rrugor Bard Norheim. Pavarësisht, se si funksionojnë këto automjete.

„Mbështetja ka një pikënisje të gabuar. Është shumë voluminoze, në raport me mjetet e tjera të qarkullimit publik apo edhe me biçikletat, që janë po aq tërëndësishme. Është një sukses, por një sukses që kushton më shumë, se sa ka efekt.“

Në Norvegji po shtohen megjithatë edhe kritikat sa u përket favoreve që u bëhen blerësve të këtyre veturave, pasi shtimi i veturave në qarkullim shkakton probleme në trafikun e qyteteve të mëdha. Në Olso qarkullimi urban po përballet me bllokimin e korsive të posaçme për autobusë, që tani lejohen të përdoren edhe nga veturat elektrike. Kësaj i shtohet edhe fakti, se poseduesit e veturave elektrike kanë edhe një veturë të dytë me benzinë.

Të paktën prodhimi i nevojshëm i energjisë shtesë nuk shkakton emisione të dëmshme. Sepse Norvegjia nevojat për energji i mbulon nga energjia e ujit.

Parlamenti norvegjez synon, që duke nisur nga viti 2017 të vendosë rregulla të reja për nxitjen e përdorimit të veturave elektrike.