Nuk do të ketë lëkundje në qëndrime - Pak ditë para takimit Prishtinë-Beograd në Nju Jork
24 Shtator 2007Anëtarët e grupit negociator të Kosovës janë shprehur sot se oferta e Prishtinës zyrtare për një traktat fqinjësie me Serbinë, me të cilën synohet rregullimi i marrëdhenjëve ndërmjet këtyre dy vendeve si dy shtete, është një ofertë e shekullit 21. Sipas tyre, pala serbe ofron një zgjidhje për Kosovën, e cila është jashtë realitetit.
Pala serbe e Beogradit është shprehur se Serbia ofron "pavarësi për Kosovën", mirëpo, brenda Serbisë. Ajo kundërshton krijimin edhe të një shteti shqiptar në Ballkan. Këto komente, bëhen vetëm pak ditë para takimit të parë të drejpërdrejtë, Prishtinë-Beograd, në këtë fazë të bisedave shtesë për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Pala kosovare udhëton për në Nju Jork, për t'u takuar me palën serbe të Beogradit, mirëpo, qysh tash janë të bindur se ky takim nuk do të sjellë asnjë rezultat.
Presidenti i Kosovës udhëheq grupin negociator: "Beogradi ka qenë ai që e ka bërë gjenocidin në Kosovë, kjo dihet botërisht. Beogradi është poashtu ai që pëmes kësaj qasjeje që po vazhdon ta ketë ndaj Kosovës, dëshiron të mbajë serish Kosovën nën Serbi. Kosova asnjëherë me vullnetin e saj nuk ka qenë pjesë e Serbisë, ka qenë pjesë e një shteti që është shkatëruar federatës jugosllave dhe e cila do të përfundojë tërsisht me zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Prandaj qasja e tashme e Prishtinës është e bazuar mbi vullnetin e natyrshëm të qytetarëve të Kosovës për pavarësi", shprehet presidenti, Fatmir Sejdiu. Anëtarët e grupit negociator të Kosovës, shprehen se status-quo-ja, në Kosovë nuk mund të vazhdojë, ajo është e paqëndrueshme dhe në këtë mënyrë kundërshtojnë disa zëra në bashkësinë ndërkombëtare të cilët shprehen se në mungësë të një konsensusi për statusin e Kosovës, duhet të vazhdohet me këtë status-quo.
Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, thotë se proceset e rëndësishme gjithmon bartin rreziqe, mirëpo, ai garanton se qytetarët e Kosovës do të angazhohen maksimalisht që ta ruajnë qetësinë: "Ne tash për tash situatën e sigurisë e shohim të qetë, por me shumë sfida. Ne të gjith jemi përgjegjës për sigurinë dhe nuk duhet që përgjegjësinë për sigurinë ta këkrojmë vetëm tek organet e rendit. Çdo njëri në Kosovë duhet të ketë rol në çështjen e sigurisë ndërsa me veprimet tona të matura duhet të kontribuojmë për sigurinë, paqen dhe stabilitetin në Kosovë", shprehet kryeministri, Agim Çeku.
Sidoqoftë në datën 28 shtator delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit, do të ulen në një tavolinë në Nju Jork, nën ndërmjetësimin e treshës së Grupit të Kontaktit. Të dyja palët do të paraqesin sërish qëndrimet e tyre për të ardhmen e Kosovës, ndërkohë që është rezervuar koha që të ketë edhe debate. Pala kosovare thotë se qysh tash e di se cila do të jetë oferta e Beogradit, një autonomi e zgjeruar për Kosovën në kuadër të Serbisë, por për Prishtinën veç pavarësisë nga Serbia nuk ka zgjidhje tjetër për Kosovën.