Në avionin rus besohet se ka patur bombë
5 Nëntor 2015Ministri i Jashtëm britanik Philip Hammond tha në Londër se ekziston "probabilitet i lartë" që organizata terroriste "Shteti Islamik" (IS) të ketë kryer një sulm me bombë mbi avionin A312 të linjës ajrore ruse Metrojet, tha shefi i Foreign Office. Ky vlerësim mbështetet në të dhënat e shërbimeve sekrete, tha më tej Hammond.
Airbus A321 u rrëzua të shtunën mbi Sinai pak pas nisjes nga vendi turistik Sharm el Sheik në Detin e Kuq në drejtim të shen Petersburgut. Të gjithë 224 pasagjerët në bord humbën jetën. Shumica e tyre ishin pushues rusë.
Sinai është prej disa muajsh bushëbetejë e konflikteve të armatosura mes forcave egjipitane të sigurisë dhe ekstremistëve islamikë. Pas rrëzimit një degë egjiptiane e IS deklaroi se është autori i sulmit.
Edhe qeveria amerikane konsideron me sa duket se avioni është rrëzuar si pasojë e sulmi.
"Ekziston një ndjesi i qartë se ka qenë një lëndë shpërthyese, që ishte fshehur në bagazh ose diku tjetër në avion", citonte kanali i lajmeve CNN për përfaqësues të qeverisë amerikane në Uashington.
Prandaj shërbimet sekrete amerikane supozojnë se ka shumë gjasa që pas këtij sulmi të fshihet IS. Por qeveria amerikane e eviton që ta ushqejë publikun me supozime të tilla, thuhet në CNN.
Rusia reagon e kujdesshme
Qeveria ruse i ka kundërshtuar si "spekulime" deklaratat nga Londra dhe Uashingtoni. Vetëm një "hetim" mund të hedhë dritë mbi arsyet e aksidentit, por deri tani nuk ka pasur "deklarata" zyrtare të hetuesve, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov në Moskë. "Çdo shpjegim tjetër i propozuar duket si një informatë e pakonfirmuar apo si një lloj spekulimi."
Në mënyrë të ngjashme u shpreh ministri egjiptian i Aviacionit Civil, Hossam Kamal. Hetuesit nuk posedojnë "ende ndonjë dëshmi apo të dhëna, që konfirmojnë teorinë" se ka patur një sulm me bombë, tha ai në Kajro.
Analiza e regjistruesit të fluturimit
Egjipti ka filluar ndërkohë analizën e të dhënave të regjistrues fluturimit të Airbus. Siç njoftoi ministria e Aviacionit Civil nga regjistruesi i të dhënave janë mundur të sigurohen informacione. Regjistrimet zanore të bisedave të pilotit dhe të kopilotit, si dhe të zhurmave të tjera në kabinë janë megjithatë pjesërisht të dëmtuara.
Evakuimi i turistëve
Qeveria në Londër urdhëroi të mërkurën ndalimin e të gjitha fluturimeve ndërmjet Britanisë së Madhe dhe Sharm el Sheik. Irlanda dhe ndërkohë edhe Hollanda kanë dhënë të njëjtin urdhër për linjat e tyre ajrore. Hammond njoftoi se do të kryhen fluturime për evakuimin e afro 9000 turistëve britanikë, që ndodhen në këtë vend turistik të Egjiptit.
Ministria e Jashtme gjermane porosit
Qeveria gjermane ka shpallur ndërkohë një "paralajmërim të pjesshëm për udhëtarët". Në faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme thuhet se në udhëtimet për në Egjipt përfshirë edhe zonat turistike përgjatë detit të Kuq "këshillohet që të jeni përgjithësisht të kujdesshëm". Hetuesit gjermanë kanë qenë të përfshirë në hetimet mbi shkakun e rrëzimit të avionit rus.