1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Bruksel vazhdoi dialogu për Kosovën

Bahri Cani*
23 Mars 2018

Pas dështimit të dialogut teknik presidentët e Kosovës dhe të Serbisë do të bisedojnë për çështje globale, pra implementin e marrëveshjeve të nënshkruara deri tani dhe normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

https://p.dw.com/p/2usiO
Brüssel, Hashim Thaci, Federica Mogherini, Aleksandar Vucic
Fotografi: Europäische Kommission

Plot tri ditë delegacionet në nivelin teknik nuk kanë arritur në Bruksel ndonjë rezultat konkret në çështjet e trajtuara. Ndaj edhe takimi në nivelin e presidentëve, mes Hashim Thaçit dhe Aleksandar Vuçiq pritet me hezitime. Zëdhënësja e shefes së diplomacisë evropiane, Maja Kocijançiq tha se presidentët do të bisedojnë për çështjet globale, pra për implementin e marrëveshjeve të nënshkruara deri tani dhe normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. "Rezultatet konkrete do të dihen pas takimit të sontëm. Por ajo që duam ne është normalizimi i plotë i raporteve, siç është thënë edhe në strategjinë e BE, të prezantuar në shkurt, për Ballkanin Perëndimor", theksoi Kocijançiq duke shtuar se përparimi në raportet mes Prishtinës dhe Beogradit është në interesin e të dy palëve, nëse ato duan të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.

Takimet në Bruksel

Kosovo Prishtina - Federika Mogherini und  President Hashim Thaci
Fotografi: Kosovo Presidency

Takimet në Bruksel filluan në orën 19:00, fillimisht me takimet e ndara të Mogherinit me presidentët Thaçi dhe Vuçiq, e më pas do të vazhdohet me darkën e përbashkët. Delegacionet refuzuan në prag të takimeve të prononcohen për media. Zyrtarisht nuk është konfirmuar, por një prej temave që do të hapen në këtë takim është edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe, për të cilin pala serbe insiston që të zbatohet sa më parë. Mediat serbe kanë bërë të ditur se presidenti serb do të insistojë që të trajtohet  kjo temë dhe të fillohet sa më parë me realizimin e saj.

Presidenti i Kosovës është takuar gjatë ditës në Bruksel edhe me komisionerin për Zgjerim dhe Fqinjësi, Johannes Hahn. Thaçi tha se Kosova me ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi i ka plotësuar kritieret për liberlaizimin e vizave. Ndërsa tani e ka radhën BE që të veprojë. Por një nga kushtet për liberalizimin e vizave është edhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, që është një proces i gjatë. 

Para ardhjes në Bruksel, të dy presidentët, Thaçi dhe Vuçiq kanë qenë në vizita të ndara në SHBA. Presidenti i Serbisë është ndarë i pakënaqur me këtë vizitë në SHBA dhe në OKB, sepse shumica dërmuese e bashkëbiseduesve mbështesnin pavarësinë e Kosovës.