Në Egjipt nisin votimet për Presidentin e shtetit
26 Mars 2018Shoqëria egjiptiane nuk është ende e gatshme për demokracinë. Këtë e thotë në një film një orësh publicitar Presidenti aktual i Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi. Megjithë këtë në Egjipt zhvillohen që prej sot zgjedhje. Kudo kanë nisur prej sot në masa të forta sigurie zgjedhjet për presidentin e ri të shtetit. Zgjedhjet do të zgjasin tri ditë.
Deri të mërkurën kanë të drejtë që votën ta japin rreth 60 milionë vetë. Si favorit konsiderohet pushtetmbajtësi aktual që mbështetet nga ushtria Al-Sisi. Sfiduesi i tij Mussa, të cilin kritikët e shohin vetëm si kandidat sa për numër, nuk mendohet se ka shanse. Kandidatë të tjerë u tërhoqën dhe u ankuan për raprezalje.
Për mbështetësit e tij al-Sisi shihet si njeri dinamik. Ai ka nisur projekte të mëdha, ka ndërtuar centrale për energji elektrike, ka zgjeruar kanalin e Suezit dhe ai do që të ngrejë një kryeqytet të ri. Aktualisht nuk ka alternativë ndaj tij, thonë njerëz të thjeshtë në Egjipt.
Njerëzit shpresojnë se projektet ekonomike dikur do të rezultojnë pozitive për ta. Por al-Sisi ka marrë edhe vendime që të dhembin. Ai ka pakësuar subvencionet dhe ka hequr kontrollin mbi kursin e këmbimit të monedhës - masa që shkaktuan çmime të larta dhe që e shtuan në mënyrë drastike varfërinë.
Por ky mjerim nuk krahasohet me atë në rajone të tjera, ku buçet lufta, si në Jemen ose në Siri. "Për mua stabiliteti dhe siguria janë më të rëndësishmet", deklaron amvisa Mira Nabil, "pa al-Sisin Egjipti do të ishte prej kohësh si Siria."
Por besimi te Presidenti në pushtet ka rënë, që kur organet veprojnë në mënyrë gjithnjë e më represive. E drejta për protesta paqësore, të gjitha të drejtat e fituara me kryengritjen e vitit 2011 i kemi humbur sërish, thotë një aktivist. Gazetarë përfundojnë në burg, veprimtarë të të drejtave të njeriut ankohen për tortura. Në gazetën Al-Masry al-Youm një autor shkruan për kthim pas në kohën e shtetit policor.