1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në mendjen e njeriut në gjendje amoku

21 Prill 2013

28-12-15. Këto janë shifrtat e viktimave të amokut në Newtown, Aurora dhe Winnenden. Në fund mbetet vetëm një pyetje: Përse? Projekti kërkimor Target përpiqet të gjejë një përgjigje.

https://p.dw.com/p/18K0G
Fotografi: picture-alliance/dpa

Erfurt 2002. Një 19-vjeçar hyn rreth orës 10:45 në ish-shkollën e tij. Me vete ka dy armë zjarri. Brenda 20 minutash vret 16 vetë dhe në fund edhe veten. Rasti i amokut në gjimnazin Guttenberg ishte në Gjermani e para vrasje e nxënësve të shkollës nga një nxënës. Megjithëse rastet e amokut në bazë të statistikave janë të rralla, Gjermania 11 vjet më vonë gjendet pas SHBA-së në vend të dytë. Projekti Target (Analiza aktesh dhe rastesh dhune shumë ekspresive me objektiv të qartë), merret me analizën e rasteve të amokut, veçanërisht të vrasjeve me armë zjarri në shkolla në Gjermani. Objektivi është të studiohet se çfarë çon në raste të tilla.

Jo vetëm psikologë, edhe kriminologë, sociologë, punonjës të kriminalistikës dhe pedagogë punojnë se bashku në këtë projekt të veçantë, i cili synon të përmirësojë njohjen në kohë të rasteve të amokut. Për këtë shqyrtohen për krahasim edhe krime ndërkombëtare si ai i Anders Behring Breivikut. Prof. Herbert Scheithauer nga Universiteti i Lirë i Berlinit e drejton këtë projekt dhe shpjegon metodologjinë: “Studimet e deritanishme në pjesën më të madhe janë marrë vetëm me një ose pak raste krahasimi. Ne analizojmë të gjitha rastet në të njëjtën mënyrë si dhe p.sh. krimet e të rriturve apo edhe kërcënimet për krim. Veç kësaj ne duam të zhvillojmë intervista me keqbërës që kanë mbijetuar apo me familjarë, në mënyrë që të mund të kuptojmë në të ardhmen nëse ka pika me anë të të cilave ky zhvillim mund të parashikohet.“

Subjekt tipik i amokut?

Megjithëse aktualisht mund të thuhet pak për profilin e një subjekti amoku, raportimi në medie ka bërë që secili të ketë një pamje të caktuar para syve: mashkull, i pashoqërueshëm, i dhënë pas armëve, i sëmurë psiqik, ashtu si në rastin e amokut në Winnenden 2009. E vërteta është megjithatë shumë më e komplikuar dhe zbulohet vetëm pasi shihet përtej fasadës. Nuk duhet harruar se shumë të rinj janë objekt i mobbing-ut në shkolla, luajnë lojëra elektronike të tipit ego-shooter dhe merren me armë, por shumë pak prej tyre veprojnë në gjendje amoku.

A ekziston pra subjekti „tipik“ i amokut? Përgjigja është ‚jo'! Nuk mund të flitet për një subjekt tipik amoku pasi çdo i tillë ka tipare shumë individuale, thotë Britta Bannenberg, kriminologe në Universitetin e Gießen-it. Ky fenomen nuk do të kuptohet asnjëherë nëse kërkohet vetëm një shkak, një shpjegim. Nuk ekziston një shkak apo shpjegim i vetëm por një proces, i cili zhvillohet për vite me radhë dhe në të cilin luajnë rol faktorë të ndryshëm. Kriminologia përpiqet ta përshkruajë këtë zhvillim: „Si rregull është fjala për djem të rinj, të cilët nuk kanë shokë të vërtetë, nuk përjetojnë aspak seksualitetin por kanë dëshira. Këto personalitete nuk arrijnë megjithatë t'ia komunikojnë këto dëshira botës përreth dhe kjo forcon urrejtjen ndaj të tjerëve, të cilët në sytë e tyre arrijnë gjithçka shumë lehtë. Bashkohen disa gjëra përgjigjja ndaj të cilave është në fund një fantazi shumë e madhe hakmarrjeje dhe dhune“.

Britta Bannenberg, krimonologe në Universitetin e Gießen-it
Britta Bannenberg, krimonologe në Universitetin e Gießen-itFotografi: DW/K.Witsch

Rastet e amokut janë gjithnjë të planifikuara

Subjektet e amokut shpesh i planifikojnë aktet e tyre për vite me radhë. Një rast amoku nuk është kurrë spontan. Dikur planifikimi i aktit, që shërben edhe si një lloj kompensimi, nuk është më i mjaftueshëm. Atëherë tek shumë subjekte zhvillohet një lloj vetëradikalizimi. Atyre u kujtohet vazhdimisht se duhet ta kryejnë këtë akt dhe ndiejnë një detyrim shumë të fortë për ta zbatuar.

Columbine High School
Columbine High SchoolFotografi: AP

Ata mendojnë se me aktin e amokut do të skaliten përgjithnjë në kujtesën kolektive të shoqërisë, për të zëvendësuar kështu ndjenjën e të qenit askush me atë që të gjithë do t'i kujtojnë edhe pasi të kenë vdekur. Ashtu si Eric Harris dhe Dylan Klebold, masakra e të cilëve në Columbine ka pasur shumë imitues deri sot dhe që kanë arritur kështu atë që synonin: emrat e tyre i di thuajse çdo njeri në botë.

Projekti „Target“ ofron të paktën shpresën për një njohje të hershme më të mirë të subjekteve të amokut. Edhe pyetja se kush është shkaku kryesor përse një njeri kthehet në vrasës në masë është pjesë e punës kërkimore të projektit. Ndoshta me rezultatet e këtyre kërkimeve mund t'u vihet në ndihmë edhe vetë subjekteve potenciale të amokut, që të mos arrihet deri në kryerjen e aktit.

Autor: Kathrin Witsch / Elert Ajazaj

Redaktoi: Auron Dodi