Ofensiva e Izraelit në Rripin e Gazës - e rrezikshme
29 Dhjetor 2008Gazeta "Süddeutsche Zeitung" shkruan: Operacionet ushtarake të Izraelit janë elikziri i jetës i Hamasit të themeluar në vitin 1987. Aksionet e ushtrisë izraelite i japin Hamasit të drejtën për të ekzistuar. Barazimi është i thjeshtë: në qoftë se në Rripin e Gazës do të kishte paqe dhe mirëqënie, nuk do të kishte hamasë të fuqishëm dhe banorët e atjeshëm nuk do t'u shkonin pas islamistëve mesjetarë, por të bënin plane për të ardhmen. Në vend që të bombardojë Hamasin duke mbjellë në këtë mënyrë urrejtje dhe duke provokuar sulmet terroriste, Izraeli duhet ta rrethojë këtë grup radikal-islamik si dikur brigadat Al-Aksa. Izraeli e afroi krahun militant të grupit Fatah në një proces politik duke e nxjerrë të tepërt si grup terrorist. Terroristët e dikurshëm të Al-Aksës i kanë lënë armët dhe janë sot pjesëtarë të trupave të rregullta palestineze të sigurisë, sepse Izraeli u siguroi amnesti. Ky koncept mund të përdoret tani me Hamasin.
Gazeta "Hessische-Niedersächsische Allgemeine" shkruan: Ofensiva e Izraelit është nga shumë aspekt mjaft e rrezikshme: Së pari pamjet me dëmet nga Rripi e Gazës do t'i nxisin më tej ndjenjat e rrezikshme që kanë armiqtë e Izraelit ndaj këtij vendi dhe nuk do të kalojnë pa ndikuar as tek miqtë e tij. Së dyti solidarizimi i botës arabe me
Hamasin do ta destabilizojë qeverinë e presidentit Abas në Jordanin Perëndimor, gjë që nuk mund të jetë në interes të Izraelit, Dhe së treti do të ishte naive të besosh se ndaj çështjes së Hamasit mund të përgjigjesh vetëm me rrugë ushtarake. Pra ajo që mbetet janë dërgimi sërish i apeleve për paqe në drejtim të Lindjes së Mesme.