Ofensiva kundër kurdëve:Tanket gjermane në rrugë të gabuar?
24 Janar 2018"A janë këto vërtetë tanke gjermane?" Me këtë pyetje i konfrontojnë gazetarët vazhdimisht përfaqësuesit e qeverisë gjermane. Arsyeja është, se agjencia turke e lajmeve Anadolu publikoi imazhe, që tregojnë ofensivën ushtarake të forcave të armatosura turke kundër milicëve kurdë në YPG në rajonin verior të Sirisë Afrin. Ndër të tjera në fotografi shiheshin edhe tanke me optikën e maskimit , të cilët prej shumë vëzhguesve u identifikuan si tanke gjermanë të markës Leopard. Tanket Leopard-2 prodhohen prej Joint-Venture të dy firmave të armatimeve Krauss-Maffei Wegmann (KMW) dhe Rheinmetall.
Qeveria zyrtarisht nuk di gjë
Më shumë se 750 tanke Leopard të tipit 1 dhe 2 kanë furnizuar qeveritë e ndryshme gjermane që nga vitet 80-të në qeveritë mike të vendit partner në NATO, Turqisë. Në angazhimin kundër milicëve terroristë të Shtetit Islamik (IS) në Siri për këtë askush nuk ka ngritur pyetje në qarqet qeveritare. Ndërkohë që ofensivën e fundit të ushtrisë turke ndaj milicëve kurdë, ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel, e dënoi si një mision me "risk të pakalkulueshëm". "Siria nuk ka nevojë për konfrontime të tjera ushtarake", paralajmëroi ai në fundjavë. Nuk të habit fakti, përse zëdhënësi i qeverisë së fundi u stërmundua për të larguar përshtypjen, se në këtë operacion të ushtrisë turke, që nga këndvështrimi gjerman është armiqësor, mund të jenë përdorur edhe armë gjermane. Turqia ka si objektiv njësitë kurde të mbrojtjes popullore YPG, që janë në aleancë me SHBA-në. Krahas tankeve luftarake edhe avionët luftarak turq kanë bombarduar pozicione YPG, njoftojnë njëzëri agjencitë e lajmeve. Pas vitit 2016 ky është marshimi i dytë i trupave turke ndaj territorit sirian. Dy vjet më parë aksioni argumentohej me luftën kundër IS-it.
Një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme nuk donte të precizohej ndaj pyetjes duke formuluar, se "sipas njoftimeve tona për gjendjen, nuk mund ta konfirmojmë këtë aksion." Nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes u theksua, se vendi dhe koha e fotografimit të tankeve nuk kanë mundur të përcaktohen saktë. Ndaj nuk mund të jepet një komentim i mëtejshëm.
Tani biznese të reja armatimesh?
Shumë më qartë janë pozicionuar politikanët e opozitës dhe vëzhgues të Turqisë. Ismail Küpeli, ekspert për Lindjen e Mesme dhe marrëdhëniet gjermano-turke në Universitetin Ruhr të Bohumit i tha DW-së, se: "Eshtë e sigurt që në aksion përdoren tanket gjermane." Paraqitja e vet ushtrisë turke, si dhe të tjera burime kurde e kanë konfirmuar këtë pavarësisht njeri-tjetrit. Megjithatë, sipas ekspertit, relativisht fare pak tanke Leopard mund të jenë në veprim në veri të Sirisë. Ushtria turke më shpesh përdor tanke luftarakë të tipit M60 prodhim amerikan, tha Küpeli. Ai mendon gjithashtu, se nuk është e udhës që të ngarkohet qeveria aktuale për eksportet e armëve nga kohë të mëparshme. Këto biznese janë kryer në një kohë, kur situata e krijuar sot nuk mund të parashikohej. "Nga ana tjetër aktualisht bëhet fjalë edhe për një biznes të ri tankesh mes Turqisë dhe Gjermanisë, e për këtë shtrohet pyetja, nëse ajo që po ndodh në veri të Sirisë, është në përputhje me vlerat tona."
Për këtë biznes të ri tankesh pati njoftuar para dy javësh në televizionin publik ARD ministri i Jashtëm Sigmar Gabriel. Qeveria, sipas tij, po shqyrton kërkesën e Ankarasë për mundësinë e modernizimit me tanke gjermane të ushtrisë turke. Kërkohet më shumë mbrojtje nga minat përmes paletave më të sigurta tokësore si dhe në sistemin e sensorëve për mbrojtjen nga të shtënat antitank. "Bëhet fjalë për tanket e përdorura në luftën kundër organizatës terroriste IS, gjatë së cilës tanket kanë hasur në mina e si pasojë kanë humbur jetën disa ushtarë turq", është shprehur Gabriel.
Ndërkaq vazhdon ofensiva e ushtrisë turke e emërtuar "Operacioni dega e ullirit". Sevim Dagdelen, zëdhënëse e politikës së jashtme të partisë E Majta në opozitë, e konsideron si "aventuresk" modernizimin e planifikuar të tankeve turke. Një miratim politik për eksportet e armëve, sikurse është e detyrueshme me ligj në Gjermani, nuk duhet të jepet, kërkon Dagdelen. "Qeveria gjermane i hedh hi syve opinionit publik, duke u përpjekur të krijojë përshtypjen, se ushtria turke lufton kundër bandave vrasëse të islamistëve në Siri." E Majta kërkon me insistim, që kancelarja Angela Merkel në një deklaratë qeveritare të shprehet qartë për këtë implikim gjerman.