1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Respektimi i të drejtave civile në fushatën elektorale

Arben Muka5 Qershor 2013

Organizatat joqeveritare po shprehin shqetësim për cënimin e të drejtave të njeriut në aktivitetet partiake të fushatës. Ata dënojnën presionet mbi administratën publike dhe përfshirjen e fëmijëve në aktivitete partiake.

https://p.dw.com/p/18jyA
Fotografi: DW/A.Muka

Shtabet elektorale dhe kandidatët për deputetë po marrin kritika nga shoqëria civile në dy aspekte që lidhen me shkeljen e lirive dhe të drejtave të njeriut. Kur fushata elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit 2013 është në kulm, aktivistët që punojnë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut apelojnë për evitimin e përfshirjes në mënyrë të detyruar dhe të organizuar në veprimtaritë politike të punonjësve të administratës dhe të nxënësve të shkollave në sistemin para-universitar.

Legjislacioni parashikon sanksione deri dënim me burg

Juristi Niazi Jaho, këshilltar ligjor pranë Komitetit Shqiptar të Helsinkit, mendon se kuadri ligjor ekzistues është i plotë për të parandaluar fenomenet negative, qoftë dhe për të ndëshkuar rastet e cënimit të të drejtave të njeriut. Po ti referohemi Kodit Penal të Republikës gjërat janë shumë të qarta, thotë Niazi Jaho për DW.

Niazi Jaho
Niazi Jaho, këshilltar ligjor pranë Komitetit Shqiptar të HelsinkitFotografi: DW/A.Muka

"Në një paragraf të veçantë të nenit 328/a të këtij Kodi thuhet me saktësi:se 'detyrimi apo organizimi për të marrë pjesë në veprimtari elektorale të një subjekti zgjedhor të nxënësve të arsimit para-universitar nga punonjës që kryejnë një detyrë shtetërore në arsimin publik, ose detyrë apo funksion në arsimin jopublik dënohet me burgim nga 3 muaj deri në 1 vit'. Kjo dispozitë duhet të njihet dhe të respektohet nga çdo subjekt zgjedhor, por sidomos nga drejtuesit e shkollave të arsimit para-universitar."

Duke u mbështetur në nenin 3 të Kodit Elektoral, juristi Niazi Jaho, thotë se është e ndaluar vënia në përdorim të subjekteve zgjedhore të mjeteve, fondeve dhe materialeve të ndryshme pronë publike, si dhe i burimeve njerëzore të administratës publike të çdo niveli.

"Kodi Elektoral e ka parashikuar se çdo të kuptojmë me përdorim të burimeve njerëzore, që janë përdorimi i detyruar në fushatë zgjedhore i administratës brenda institucionit, brenda orarit të punës për qëllime zgjedhore, si dhe përdorim i detyruar dhe i organizuar brenda orarit të nxënësve të sistemit shkollor parauniversitar në fushatë". Po kështu qartazi në Kod thuhet dhe se ndalohet zhvillimi i fushatës zgjedhore në institucionet publike"

Afrimi i fëmijëve në aktivitete partiake me pasoja negative

Gerta Meta drejtore ekzekutive e Shoqatës për Kulturë Demokratike, një organizatë që është pjesë e Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë, thotë se problemin e rasteve të abuzimit në përdorimin e administratës publike në procesin elektoral e kanë përmendur dhe në raportimet publike të Koalicionit. Ka shpërdorime të mjeteve që disponon administrata publike, njerëzit lënë zyrat dhe vendet e punës pasi me vullnet të lirë apo me detyrim thirren për të marrë pjesë në aktivitete partiake, thotë Gerta Meta për DW.

Gerta Meta
Gerta Meta, drejtore ekzekutive e Shoqatës për Kulturë DemokratikeFotografi: DW/A.Muka

"Kodi Zgjedhor mendoj se ka paqartësi kur parashikon se punonjësit e administratës nuk duhet të detyrohen gjatë kohës së 8 orëve që janë në punë. Po mirë, po më pas lejohet qe me presion dhe detyrim të mbushin me lista sheshet e mitingjeve partiake në fushatë? Ligji duhet të jetë specifik për të ndaluar dhe ndëshkuar praktikat administrative në nivel qendror dhe lokal kur drejtuesi i institucionit nxjerr urdhëra dhe vendime që favorizojnë përdorimin e aparatit burokratik për fushatë elektorale. Këto janë precedentë që duke u aplikuar kohë pas kohe e shkatërrojnë administratën publike, duke e mbajtur atë nën kontrollin partiak. Kjo duhet të marrë fund."

Për Gerta Metën nga Shoqata për Kulturë Demokratike përdorimi i fëmijëve është evident, dhe aq më keq kur ky fenomen përsëritet zgjedhje pas zgjedhjesh. Sado që gjithësecili është i ndërgjegjshëm për pasojat negative që ka direkt për fëmijët ky angazhim në aktivitet partiake, sërish vazhdon përdorimi i tyre, thotë Meta për DW.

"Të miturit përfshihen në mënyra të ndryshme, si dekor, si tundës flamujsh, si bartës të simboleve dhe logove partiake a të koalicioneve me pankarta, në bluza etj. Pjesa më e madhe e fëmijëve e bën në mënyrë instinktive këtë, për t'u argëtuar, ose për kureshtje të moshës, por një pjesë e tyre shtyhen nga të rriturit që të lënë lojrat dhe angazhimet e tyre dhe t'u afrohen mitingjeve, koncerteve elektorale, parakalimeve të ndryshme etj. Partitë në këtë rast duhet të zbatojnë ligjin, që thotë se qytetarët me të drejtë vote janë ata nga mosha 18 vjeç e lart, ndaj nuk mund të thirren në aktivitete ata që janë nën këtë moshë.

Sipas Gerta Metës justifikimi se ata vijnë me dëshirë, nuk qëndron. Pasi në rast se do të ketë vullnet nga partitë "kjo pjesëmarrje do të evitohej me masa shumë të thjeshta, si dhe duke bërë sensibilizim me anëtarësinë, apo nëpërmjet mjeteve të informimit masiv."