OKB: Kriza financiare, Gjeorgjia, Irani dhe Lindja e Afërt në axhendë
24 Shtator 2008Kur falimentojnë bankat dhe shtrenjtohen kreditë ka konsekuenca edhe për bashkëpunimin në politikën zhvillimore në Kombet e Bashkuara. Fundja për luftën kundër varfërisë, urisë, sëmundjeve dhe prapambetjes nevojiten para së gjithash para. OKB-ja vuan që vuan prej pagimit të ngadaltë të mjeteve të premtuara financiare të shteteve anëtare. Prandaj sekretari i përgjithshëm Ban Ki Mun paralajmëroi gjatë fjalës së tij të hapjes dje në Nju-Jork:
"Kriza financiare globale rrezikon gjithë punën tonë: financimin e zhvillimit, shprenzimet sociale në vende të varfra dhe të pasura, objektivat e mijëvjeçarit. Ka ardhur koha për veprim të përbashkët dhe për t'i bërë thirrje udhëheqjes mbarëbotërore."
Sekretari i përgjithshëm tha se është e nevojshme të rregullohen sërish tregjet financiare ndërkombëtare. Presidenti francez Nikola Sarkozi, i cili foli si përfaqësues i Bashkimit Evropian, kërkoi mbajtjen brenda këtij viti të një takimi të nivelit të lartë për përballimin e krizës financiare. Përveç kësaj ai u shpreh në favor të një "kapitalizmi të rregulluar".
"Le të krijojmë një kapitalizëm ku bankat bëjnë punën e tyre, financojnë zhvillimin në vend që të nxisin spekulimet, ku për të gjithë vlejnë të njëjtat rregulla të arsyeshme dhe këto rregulla shërbejnë për të shmangur dhe për të zbutur krizat, e jo për ti keqësuar ato. Një kapitalizëm, ku institutet e kreditit kontrollohen dhe ndëshkohen ata që vënë në lojë kursimet e njerëzve."
Në fjalën e tij presidenti amerikan Xhorxh W. Bush siguroi se së bashku me kongresin do të përpiqet të vërë sa më shpejt në zbatim planin e paralajmëruar për stabilizimin e tregjeve financiare amerikane. Por realizimi është i pasigurt për shkak të rezistencës në kongres, i cili nuk do t'i lëshojë ministrisë së financave një çek të bardhë 700 miliardë dollarësh. Në këto kushte Bushi kaloi shpejt në fjalimin e ti të tetë dhe të fundit para Kombeve të Bashkuara tek tema karakterizuese për presidencën e tij: lufta kundër terrorit.
Më tej Bush dënoi pushtimin rus në Gjeorgji:
"Në kartën e Kombeve të Bashkuara është përcaktuar që të mëdhenj e të vegjël kanë të njëjtat të drejta. Pushtimi i Gjeorgjisë prej Rusisë ishte shkelje e këtyre fjalëve."
SHBA, tha Bush, kanë bashkëpunuan me aleatët dhe me organizata shumëpalëshe si Bashkimi Evropian, NATO-ja për sigurimin e integritetit territorial të Gjeorgjisë. Sipas tij, shtetet do të vazhdojnë të mbështesin demokracinë e Gjeorgjisë. Edhe presidenti francez e trajtoi pushtimin rus të Gjeorgjisë në fjalën e tij. Evropa do një të ardhme të përbashkët me Rusinë dhe partneritet, por nuk do të pranojë kompromise në lidhje me sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të një shteti, tha Nikola Sarkozi.