OKB: Listë e zezë me të gjitha ato shtete që detyrojnë fëmijët të luftojnë
8 Shkurt 2007Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për djem të mitur që detyrohen me forcë që të luftojnë si ushtarë me armë. Edhe numri i vajzave që përdoren si shërbyese për trupat apo si skllave për seks është shumë i lartë. Në Paris u zhvillua një konferencë me titullin "Çlironi fëmijët nga lufta", ku morrën pjesë ministra dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare nga rreth 60 vende të botës.
Çlirimi i fëmijëve ushtarë është një detyrë shumë e rëndësishme për ministrin e jashtëm francez Philippe Douste-Blazy. Ai pati mundësinë të shihte vetë se si jetojnë fëmijët ushtarë në Burundi dhe në Uganda dhe i përdori eksperiencat e tij për të prezantuar linjat e reja:
"Ne duam të konfirmojmë dhe të thellojmë misionin tonë në tri sektorë: Sigurisht që rekrutimi i minorenëve në luftëra të evitohet. Sigurisht që duhet të lirojmë edhe fëmijët ushtarë. Por mbi të gjitha këta fëmijë duhet të rintegrohen në shoqëri."
Në vitin 1997 u përpilua një katalog me linja të qarta mbi temën fëmijët ushtarë: Në të ashtuquajturën "Parimet e Gjirit", e cila u hartua pas një konference që u zhvillua në Afrikën e Jugut nga organizata e Kombeve të Bashkuara për mbrojtjen e fëmijëve UNICEF dhe disa organizata joqeveritare. Gjatë konferencës së Parisit në fillim të kësaj jave, morën pjesë politikanë të lartë nga e gjithë bota. Unicef dhe partnerët e tij mblodhën dhe evaluuan gjatë dy vieteve të fundit të dhëna se cilat programe për riintegrimin e fëmijëve ushtarë në shoqëri janë vërtet të suksesshme. Këto rezultate u përpiluan në katalagun e quajtur "Parimet e Parisit". Teksti përbëhet nga 96 faqe dhe përdoret si guidë gjatë punës që zhvillohet në terren. Rima Salah, zëvendësdrejtoreshë e përgjithshme e Unicef-it, shpjegon se "Parimet e Parisit" do të korrigjojnë gabomet që janë kryer gjatë dhjetëvjeçarit të kaluar:
"Kemi harruar shumë shpesh të përmendim vajzat, ato mungonin gjithmonë në programet tona për riintegrimin, për një jetë të re. "Parimet e Parisit" kujdesen edhe për nevojat e tyre. Për shëndetin fizik dhe psiqik, për edukimin - të gjitha këto nevoja duhet të mbulohen."
Rima Salah kujton edhe njëherë se cilat janë pikat më të rëndësishme të konferencës së Parisit: "Parimet e reja varen nga roli që luan ambineti ku është rritur fëmija. Ky program nuk duhet të harrojë fëmijët e tjerë, që kanë vuajtur gjatë konflikteve të armatosura. Duhet të kemi gjithmonë parasysh konteksin ekonomik, social dhe kulturor për t´i mbështetur kështu më mirë komunat dhe familjet e këtyre fëmijëve."
Javën e kaluar Gjykata e Lartë Ndërkombëtare filloi procesin gjyqësor kundër një udhëheqësi rebelësh nga Kongo. Ai akuzohet se ka rekrutuar me dhunë minorenë. Kombet e Bashkuara kanë ndërkohë një listë të zezë me të gjitha ato shtete, që detyrojnë fëmijët të luftojnë si ushtarë. Radhika Coomarasvamy, e ngarkuara e Kombeve të Bashkuara për fëmojët ushtarë, informon se numri i fëmijëve ushtarë në botë është duke rënë:
"Falë rezolutës së OKB-së për fëmijët ushtarë, qeveri të ndryshme na telefonojnë dhe thonë: Ne qëndrojmë në listën e zezë, sepse kemi fëmijë ushtarë dhe do të pësojmë tani sanksione ndërkombëtare. Si mund të dalim nga kjo listë? Dhe ne u themi: Me një planveprim. Kështu mund të shohim se përpjekjet tona nuk janë të kota."