Oligarkët rusë duhet të paguajnë për Qipron
19 Mars 2013Krerët e Rusisë janë të mllefosur. Ata thonë se planet për bërjen e detyrueshme publike të të dhënave për klientët e bankava në Qipro "nuk janë tww drejta dhe profesionale dhe janë të rrezikshme". Kështu u shpreh të hënën edhe një zëdhënës i presidentit rus Vladimir Putin. Kryeministri Dmitri Medvedev shtoi: Këto plane janë si një lloj shpronësimi. Planet e bëra publike në Qipro kanë jehuar edhe në burswwn e Rusisë. Kurset e dy bankave kryesore ruse VTB dhe Sberbank, kanë humbur për një ditë rreth 5 % vlerë. Mediat bëjnë të ditur se këto banka kanë rreth 10 miliardë dollarë ameriaknë në kontot e tyre në Qipro.
Parlamenti qipriot do të miratojë këtë të martë (19.03.2013) masat të cilat parashikojnë shpëtimin e këtij shteti nga falimentimi. Në fund të javës së kaluar për këto masa është votuar edhe në Eurogrup. Masat parashikojnë që krahas ndihmave financiare në vlerë prej 10 miliardë eurosh nga Fondi për shpëtimin e euros, pronarët e llogarive bankare në Qipro të bëjnë një pagesë. Sasia e pagesës ende nuk është caktuar.
Vendstrehim i miliardave ruse
Ata që duan të kuptojnë mllefin rus duhet të kenë parasysh vetëm një shifër: 78,2 miliardë dollarë amerikanë. Kaq para ka investuar, sipas të dhënave të autoriteteve ruse të statistikave, Qiproja gjatë vitit 2011 në Rusi. Ky është gati trefishi i investimeve gjermane në Rusi. Ky vend i vogël i BE-së, është investuesi më i madh në Rusi, me gati gjysmën e investimeve të përgjithshme në këtë vend. "Këto para me siguri që nuk janë të Qipros", pohon Heinrich Steinhauer. Këtu bëhet fjalë për "para ruse të cilat ri-investohen përmes Qipros në Rusi", shpjegon Steinhauer nga Banka e Hesenit HELABA.
Qiproja me përqindjet e ulëta të tatimeve është një "stacion shumë i rëndësishëm për kapitalin rus", pohon Hans-Henning Schröder nga Fondacioni për Shkencë dhe Politikë (SWP) në Berlin. Sipas tij, kështu sigurohen paratë nga "ndërhyrja e shtetit rus".
Schröder e ka fjalën këtu për njerëzit, të cilët në kohën postsovjetike quhen edhe si "oligarkë". Njëri prej tyre është Alisher Usmanov, të cilin gazeta ekonomike "Forbes" dhe agjencia Bloomberg e llogarisin si ndër rusët më të pasur për vitin 2012. Pasuria e tij llogaritet mes 17,5 - 20 miliardë dollarë amerikanë. Usmanovi merret me industri metalesh. Firma e tij "USM Steel & Mining Group Ltd." është e regjistruar në Qipro. Steinhauer pohon se është insfrastruktura e thjeshtë juridike ajo që e bën Qipron atraktive për investorët nga Rusia.
E prekur edhe Ukraina
Rusia nuk është shteti i vetëm që preket. Edhe oligarkët ukrainas i transferojnë paratë e tyre fillimisht në Qipro dhe prej atje investojnë në vendin e tyre. Investori më i madh në Ukrainë është Qiproja, ngjashëm sikur në Rusi. Në vitin 2011 janë investuar mbi 10 miliardë euro nga Qiproja në Ukrainë, që do të thotë një e pesta e investimeve. Në anën tjetër, mbi 90 % të investimeve ukrainase në botën e jashtme gjatë vitit 2012 kanë shkuar në drejtim të Qipros.
Ka edhe një shkak tjetër pse Rusia e përcjell me shumë vëmendje gjendjen në Qipro. Në vitin 2011 qeveria ruse i ka dhënë Qipros një kredi prej 2,5 miliardë dollarë, për një periudhë prej 4,5 vitesh. Qiproja është e interesuar për zgjatjen e afatit të kësaj kredie. Lidhur me këtë çështje pritet për bisedime të mërkurën (20.03.2013) edhe ministri i financave, Michaelis Sarris.
Vendimi për shtyrjen e afatit varet edhe nga vendimi për detyrimet e klientëve të bankave në Qipro. Ministri rus i financave, Anton Suluanov thotë: "Ne do ta përcjellim gjendjen me vëmendje".
Ndërsa Heinrich Steinhauer beson se Qiproja do të mbetet atraktive për oligarkët e vendeve lindore edhe pas këtyre masave. "Vetëm nëse këto masa vazhdojnë edhe në të ardhmen, por besoj se masat do të jenë vetëm për një herë", pohon Steinhauer.
Ndërsa eksperti Schröder është më skeptik. "Nëse Qiproja kontrollohet më rreptësisht në të ardhmen dhe nuk mund të jetë një "ishull i sigurt", atëherë është shumë e mundur që klientët nga Rusia dhe vendet e tjera të shkojnë në ndonjë vend tjetër", pohon Schröder. Kapitali rus në të ardhmen mund të shkonte në drejtim të Holandës, Austrisë apo në ndonjë parajsë tjetër për tatime.
Autor: Roman Goncharenko/Bahri Cani
Redaktoi: Auron Dodi