1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Opinion: Një makth bëhet realitet për polaket

Magdalena Gwozdz-Pallokat
26 Tetor 2020

Prej ditësh gratë në Poloni protestojnë kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që ndalon abortin për raste sëmundjesh të rënda të të palindurit. Fitore për politikën goditje për gratë, mendon Magdalena Gwozdz-Pallokat.

https://p.dw.com/p/3kQvI
Polen "Pro-choice"-Proteste in Danzig
Fotografi: Michal Fludra/NurPhoto/picture-alliance

Unë jam grua. Jam katolike. Nënë e dy fëmijëve. Dhe jam e zemëruar. Fëmijët tanë janë ende të vegjël dhe kujtimi për periudhën e shtatzanisë është ende i gjallë. Ne kishim fat, nuk duhet të ndesheshim me një dilemë të tillë të tmerrshme, e megjithatë 9 muajt e shtatzanisë u shoqëruan nga pasiguri dhe frikë. A do të shkojë çdo gjë në rregull? Prandaj nuk mund ta përfytyroj dot, se si ndjehet një grua, një çift, që merr lajmin, se fëmija e tyre me zor do të mbijetojë, dhe se është i shfytyruar. Ta detyrosh një grua ta mbajë një shtatzani të tillë, nëse ajo nuk e përballon dot këtë, duhet të jetë torturim. Dhe është torturë!

E di se sa respekt kam pasur para kontrolleve mjekësore para lindjes, sa shumë pasiguri më shoqëronte në rrugën drejt mjekut. Sa mirënjohëse isha për mjekësinë, që të jepte mundësinë të dije, nëse do kishte komplikacione. Dhe po, në fund, në rastin më të keq të vendosje vetë, se si do veprohet më tej. Duhet të jetë tmerrësisht e vështirë të marrësh një vendim në këtë situatë. Pavarësisht se cilin.

Gratë kanë nevojë për guxim

Unë e admiroj këdo, që vendos vetë të mbajë fëmijën e sëmurë rëndë dhe ta shoqërojë madje në çdo hap të vogël. Madje nuk gjenden fjalë për të shprehur respektin që kam për familje të tilla. Njoh familje që e kanë guxuar këtë hap. Një hap që kërkon guxim, por është shumë lënduese, që të pretendosh, se ata që vendosin ndryshe janë frikacakë apo nuk mbrojnë jetën. Edhe një vendim i tillë kërkon guxim, dhe mundet si në rastin tjetër të sjellë me vete pasoja për gjithë jetën.

Prandaj them: kush tjetër, nëse jo gruaja ka të drejtën për të marrë këtë vendim. Nuk mund ta përtyp dot, se si dikush tjetër merr përsipër të marrë vendime të tilla për një nga hapësirat më intime të jetës. Nuk mund të pritej ndryshe; Gjykata Kushtetuese e modeluar sipas vullnetit të partisë nacional-konservatore PiS, do të vendoste sipas botëkuptimit të ipeshkëve dhe pjesëve të gjera të qeverisë.

Ato që dënohen janë gratë. Dënohen në një coontdown të tmerrshëm deri sa fëmijët të ndahen nga jeta. Shumë prej tyre mund të jetojnë vetëm pak ditë ose javë, por kjo nuk do t'i interesojë kujt. Ata që vuajnë do të jenë prindërit dhe fëmijët. Ata që sot flasin për "mbrojtjen e plotë të jetës" nuk do të jenë pjesë e kësaj vuajtjeje.

Magdalena Gwozdz-Pallokat
Magdalena Gwozdz-Pallokat Fotografi: Mariusz Smolewski

Aty ku shteti nuk ka punë të ndërhyjë

Ashtu si edhe shteti që nuk do të ketë aspak pjesë në mbështetjen e jetës së këtyre familjeve me fëmijë të sëmurë rëndë. Dhe nuk flas për mbështetjen mteriale, por për strukturat dhe mundësitë, të cilat janë shumë të pakta në këtë vend, për ata që që në fillim të jetës duhet të ndjekin një rrugë tjetër. Në Poloni mungon rehabilitimi, shkollat e posaçme, infrastruktura e përshtatur për personat paraplegjikë, dhe në fund mungon edhe pranueshmëria për persona të tillë.

Këtu nuk bëhet fjalë se kush është pro ose kundër diçkaje. Jo, bëhet fjalë për të drejtën e grave, në disa çështje elementare të vendosin vetë. Gjithnjë e më shumë shteti polak ndërhyn në hapësira, ku nuk ka punë të ndërhyjë. Politika përcakton se kush është një polak i mirë, kush një i krishterë i mirë, një grua apo nënë e mirë. Pikërisht gratë, këtë e di mirë, janë të forta, mjaft të forta për të marrë vetë vendimet e tyre. Nuk ka çudi, që kjo nuk i pëlqen të gjithëve. Me këtë duhet llogaritur më shumë edhe në Poloni.