1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pa kapacitet për t'u kujdesur për fëmijët refugjatë të pashoqëruar

Michael Jansen23 Dhjetor 2008

Human Rights Watch kritikon Greqinë, por edhe BE-në, për neglizhimet e bëra ndaj fëmijëve refugjatëve

https://p.dw.com/p/GLu5
Fëmijë refugjatë nga Afganistani; këtu në Lahore.Fotografi: AP

Ata janë në arrati, vijnë nga një vend i huaj - pa prindërit e tyre. Fjala është për ata që zyrtarisht emërtohen si "refugjatët minorenë të pashoqëruar". Ata vijnë nga Azia, nga Afrika dhe shumë prej tyre në rrugën drejt Evropës kuptohet që zbarkojnë në Greqi. Por ajo që ata përjetojnë atje është, skandaloze sipas „Human Rights Watch“-it.


Organizata e të drejtave të njeriut ka mbledhur dëshmi tronditëse nga fëmijët refugjatë - si p.sh. rrëfimin e një 16 vjeçari afgan, që kish rënë në duart e rojës bregdetare greke. Citat: "Ata më arrestuan. Fillimisht ma hodhën çantën në det dhe pastaj mua. Më pas më nxorrën sërish nga deti dhe më rrahën. Pastaj sërish më hodhën në det. Sërish më nxorrën dhe sërish më rrahën. Këtë gjë e përsëritën disa herë.“


Roja bregdetare greke konsiderohet si mjaft e vrazhdë - por edhe në posta të tjera të policisë greke fëmijët nuk trajtohen më mirë. Një vajzë 12 vjeçare nga Afganistani i deklaron organizatës humanitare: Citat: "Unë nuk kisha atje as krevat dhe as çarçafë. Ambienti ishte i pistë dhe plot çimka, nga ato që pickojnë. Ne na pickonin çimkat gjithë natën, nuk mund të flinim, sepse na kruhej trupi vazhdimisht.“


Parimi, thotë Simone Troller nga Human Rights Watch, është gjithmonë i njëjti: „Ne kemi konstatuar, se autoritetet greke sistematikisht nuk i mbrojnë këta fëmijë. Kjo do të thotë, që kur fëmija bie në kontakt me autoritetet në shumicën e rasteve arrestohet për një kohë të gjatë, me ditë, me javë e madje edhe me muaj. Ditën që fëmijën e lirojnë e pajisin me një letër, ku në greqisht shkruhet, se brenda 30 ditësh duhet të largohet nga vendi. Me një letër të tillë në dorë fëmija nxirret para portës së burgut.“


...duke u lënë kështu në mëshirë të fatit, pa strehë dhe pa përkujdesje. Organizata e të drejtave të njeriut citon një 15 vjeçar nga Nigeria: Citat – „Unë nuk e di, ku do të strehohem. Unë fle në rrugë dhe nuk banoj askund. Kam ftohtë dhe nuk ndiem i sigurt. Normalisht sorollatem deri në orën një, dy të natës e pastaj gjej ndonjë park, ku mund të fle.“


Autoritet greke janë në dijeni për këtë problem dhe deklarojnë, se janë të mbingarkuara. Vetëm gjatë vitit të fundit në vend kanë zbarkuar mbi 100.000 refugjatë. Human Rights Watch e pranon që ka vështirësi, por nuk ka asnjë justifikim për një qëndrim të tillë. Simone Troller: „Ne kemi të bëjmë këtu vetëm me një pjesë të vogël të të gjithë emigrantëve që udhëtojnë ilegalisht, rreth 1 deri në 2%. Nëse Greqia thotë, që bën atë që mundet, dhe se nuk mund të bëjë më shumë, atëherë kjo është e pabesueshme. Greqia harron, që të gjitha vendet evropiano-perëndimore konfrontohen me problemin e fëmijëve refugjatë të pashoqëruar. Këtu mungon vullneti politik. Greqia ndërkohë ka vënë në dispozicion 200 vende nëpër kampe për fëmijët refugjatë, por kjo shifër nuk është asgjë për këtë vend.“


Human Rights Watch kritikon edhe vende të tjera të BE-së. Nuk mund të falet, që BE-ja të lërë pa mbështetje një vend anëtar me kufij të jashtëm kaq të gjatë, që përballet me një problem të tillë.

VFB / Aj