Pa pasoja: Shfajësim për kryeministrin izraelit Olmert në çështjen e luftës së Libanit
31 Janar 2008Kundërshtarët e kryeministrit Ehud Olmert prisnin tone më të ashpra. Eliyahu Vinograd, një ish-gjykatës 81 vjeçar në gjykatën e lartë të Izraelit, e paraqiti me ton mesatar kritikën e tij ndaj udhëheqjes politike dhe ushtrisë. Madje në një çështje vendimtare komisioni Vinograd e mbështeti shprehimisht kryeministrin izraelit.
Komisioni: Olmerti mori vendim të drejtë
Komisioni e konsideron të drejtë vendimin e Olmertit për ofensivën tokësore kundër milicisë Hisbollah në jug të Libanit në 60 orët e fundit të luftës, pavarësisht gjakut të derdhur, pavarësisht vdekjes së 33 ushtarëve izraelitë.
'Vendimi parimor i kabinetit në 9 gusht për të miratuar ofensivën tokësore në bazë të rekomandimit të ushtrisë izraelite ishte një vendim i nevojshëm. Ai i dha qeverisë izraelite epjen e nevojshme politike dhe ushtarake. Synimet e hapit ushtarak ishin të ligjshme. Nuk pati gabime për sa i takon vendimit, me gjithë suksesin e kufizuar dhe çmimin e dhimbshëm.'
Këto fjali të raportit kanë befasuar shumicën e vëzhguesve politikë në Izrael. Deri tani urdhri për ofensivën tokësore është paraqitur në median izraelite si vendimi i gabuar i Olmertit me pasojat më të mëdha.
Në ditët e fundit të luftës së dytë të Libanit, më 11 gusht 2006, dy ditë pas vendimit të kabinetit, Olmerti kishte vënë në lëvizje ofensivën e madhe tokësore në jug të Libanit. Por pak më parë Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara kishte arritur sukses në negociatat e tij dhe kishte miratuar rezolutën 1701. Ajo çoi në përfundimin e luftës.
Megjithëse Winogradi dhe komisioni i tij e mbrojnë Olmertin në këtë pikë, qëndrimi i përgjithshëm mbetet kritik. Sipas tyre, lufta ishte një 'shans i madh i humbur me pasoja'. Një organizatë paraushtarake i bëri ballë ushtrisë më të fortë në Lindjen e Afërme, thuhet më tej.