"Pa pranimin e fajit nuk ka pajtim"
11 Prill 2014Deutsche Welle: A mendoni se ka qenë i suksesshëm procesi i zbardhjes së krimeve komuniste nga koha e RDGJ?
Roland Jahn: Mendoj se ky është një shembull i mirë se si duhet të trajtohen këto periudha historike. Natyrisht që gjithmonë mund të ketë gjëra që mund të bëhen edhe më mirë, por në përgjithësi ky proces ka qenë i suksesshëm.
Çfarë mund të bëhej më mirë?
Mendoj se jemi marrë tepër me çështjet e sigurisë, pra me Stazin, në kuptimin operativ. Kjo ka larguar vëmendjen nga personat kryesorë përgjegjës në Partinë socialiste SED.
Pra më shumë janë dënuar peshqit e vegjël, ndërsa të mëdhenjtë i kanë shpëtuar drejtësisë?
Nuk bëhet këtu fjalë për peshqit e vegjël apo të mëdhenj, por për përgjegjësinë për atë që ka ndodhur në DDR. Me drejtimin e gishtit vetëm drejt Stazit, disa persona e kanë hequr përgjegjësinë nga vetja. Por mendoj se të gjithë ata që kanë jetuar në DDR duhet të shtrojë pyetjen: cila ishte përgjegjësia ime në kohën e diktaturës 40-vjeçare.
Gjermania ka bërë gabim pas Luftës së Dytë Botërore, pasi ka pritur tepër gjatë për zbardhjen e krimeve nga koha e nacionalsocializmit. Ju keni kërkuar llogari të pastra, por a mendoni se në zbardhjen e krimeve në DDR janë bërë gabime të ngjashme si dikur?
Mendoj se ky proces duhet të mbetet hapur, sepse në këtë mënyrë mund të mësojmë nga gabimet e kaluara. Mund të jemi më të zgjuar dhe mund të reagojmë më mirë në rastet e cënimit të rendit demokratik. Të kujtojmë vetëm skandalet me përgjimet e shërbimit sekret amerikan NSA. Të gjitha këto gjëra mund t'i kuptojmë më mirë, nëse i shikojmë edhe nga perspektiva e diktaturës sonë.
Edhe ju keni qenë viktimë e diktaturës, por jeni kundër hakmarrjes. Megjithatë a keni mirëkuptim për qytetarët të cilët kërkojnë denime më të ashpra për përgjegjësit?
Përvoja ime ka dëshmuar se pendimi i keqbërësve është shumë i rëndësishëm për viktimat. Në këto raste është e mundur edhe të falësh. Por për fat të keq, pranimi i fajit dhe kërkimi i faljes kanë ndodhur shumë rrallë. Të rrallë janë keqbërësit që thonë: po, është bërë padrejtësi dhe dua të përballem me atë që ka ndodhur. Ndaj viktimat kanë ndjenjën e padrejtësisë dhe janë të pakënaqur.
Zyra juaj bashkëpunon me institucione të ngjashme nga ish Bllokun i Lindjes. Cilat janë përvojat nga ky bashkëpunim?
Gjermania vërtetë ka marrë rolin e një shembulli, sa i përket raportit me diktaturën komuniste. Por ne kemi një bashkëpunim të ngushtë me vendet e Evropës Lindore, ku ka institucione të ngjashme dhe shkëmbejmë përvojat tona.
A janë përvojat gjermane specifike, apo ka dhe gjëra të ngjashme me vendet e tjera lindore?
Çdo vend ka përvojat e veta specifike. Por në fillim të procesit për zbardhjen e të kaluarës është shumë me rëndësi që të sigurohen arkivat dhe dokumentet nga ajo kohë, në mënyrë që ato të mos zhduken apo të humbasin - rastësisht apo qëllimisht. Më pas vendet mund të vendosin vetë se në ç'mënyrë do të merren dhe do të përpunojnë këto të dhëna.
Po cila është përvoja juaj në bashkëpunim me vendet e ish-Jugosllavisë?
Me këto vende nuk kemi pasur ndonjë bashkëpunim të ngushtë si me vendet e tjera, por edhe me këto vende kemi konktakte individuale.
Përballja me të kaluarën e Gjermanisë Lindore (DDR) është e lidhur ngushtë me Zyrën për Dokumentet e Sigurimit të Shtetit. Në opinion kjo zyrë njihet edhe si "Zyra e Gauck-ut", sepse presidenti i tanishëm i Gjermanisë Joachim Gauck, ka qenë udhëheqësi i saj i parë. Zyrën e drejton tani Roland Jahn, i cili edhe vetë ka qenë viktimë e regjimit të dikurshëm komunist.