1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

230811 Interview Pack Kosovo Serbien Konflikt

24 Gusht 2011

Sipas eurodeputetes Doris Pack, me konfliktin e Kosovës Serbia veçse përpiqet të largojë vëmendjen nga problemet e tjera.

https://p.dw.com/p/12Myu
Doris PackFotografi: DW

Në një intervistë dhënë radios gjermane Deutschlandradio Pack thotë se kërkesa e Merkelit për njohjen e Kosovës nga ana e Beogradit është një parakusht që pritet ta shtrojë BE-ja ndaj Serbisë. «Ne nuk mund të pranojmë në BE një vend tjetër që sjell me vete një konflikt të tillë», thotë Pack duke pasur parasysh konfliktin qipriot.

Deputetja e Partisë Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian thotë gjithashtu se njohja e Kosovës nga ana e Serbisë nuk është një kërkesë e ngutshme. Pack parashikon se anëtarësimi i Serbisë në BE pritet të ndodhë nga fundi i kësaj dekade, në mos më vonë. «Kështu që nuk pritet nga presidenti Tadiç që të ndryshojë menjëherë kushtetutën e të njohë Kosovën. Ka edhe pesë shtete të tjera në BE që nuk e njohin Kosovën. Kështu që ne fillimisht duhet të bëjmë detyrat e shtëpisë tonë. Por ajo çka ne kërkojmë nga presidenti Tadiç është që dialogu i filluar tani nën mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të sjellë rezultate. Rezultate do të thotë që njerëzit në Kosovë, serbët dhe shqiptarët që jetojnë atje të realizojnë një bashkëjetesë paqësore dhe që të rregullohen çështjet e pasqaruara të pronësisë», thotë ajo më tej.

Interesa mafioze në Veriun e Kosovës

Pack mendon se mbas konfliktit aktual ndërkufitar mes Serbisë dhe Kosovës qëndrojnë interesa mafioze: «Për të folur sinqerisht në këtë qoshe janë ngritur struktura krejt mafioze, aty bëhet kontrabandë dhe ndoshta edhe shumë gjëra të tjera, dhe për të janë të interesuar shumë njerëz që janë të involvuar në këto biznese. Pra ata nuk duan t'ia prishin vetes këtë gjë dhe ndërkalime të tilla kufitare janë të përshtatshme për të mundësuar këto biznese të errëta.» Pack bën përgjegjëse Serbinë për faktin që këto pika kufitare nuk kontrollohen ashtu siç duhet. Por ajo është optimiste se problemi i Veriut të Kosovës, pas marrjes në dorë të kontrollit nga KFOR-i, do të zgjidhet në muajt e ardhshëm.

Pack gjykon se çështja e Kosovës përdoret vazhdimisht nga politikanët serbë për të realizuar ambiciet e tyre për pushtet. «Serbët e thjeshtë nuk e ndjejnë veten aspak të lidhur me Kosovën, ata nuk duan të jetojnë aty dhe kanë halle të tjera», thotë deputetja kristian-demokrate gjermane. Sipas saj çështja e Kosovës shfrytëzohet për të mbuluar problemet ekonomike duke ngjallur ndjenjat nacionaliste.

Pack mendon se një afrim me Kosovën nuk është diçka e pamundur për Serbinë: «Nëse Tadiçi do të guxonte të bënte një hap përpara, sidomos tani në dialogun me Kosovën, atëherë mund të arriheshin disa rezultate. Atmosfera nuk është e tillë që të thuash se me Kosovën do të shembej gjithçka ose që çështja e Kosovës është diçka vendimtare. Nëse politikanët do të tregoheshin të ndershëm dhe do t'u shpjegonin njerëzve se përse është kështu dhe si ka ardhur puna gjer këtu, atëherë gjithmonë e më shumë njerëz do ta pranonin që Kosova nuk është më pjesë e Serbisë.»

Autor: Nana Brink (DLF)

Redaktoi: Anila Shuka