Pahor në Kosovë: Të zbatohet Marrëveshja për Asociacionin
8 Shtator 2022Presidenti i Sllovenisë Borut Pahor gjatë qëndrimit në Kosovë ka deklaruar se, përderisa nuk ekziston ndonjë alternativë për Asociacionin e Komunave Serbe, Kosova duhet ta zbatojë marrëveshjen e arritur në Bruksel. Këtë deklaratë, presidenti slloven e bëri gjatë një vizite që zhvilloi në Kosovë dhe takimeve që pati me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës. Borut Pahor më parë ishte për vizitë edhe në Beograd.
Dallime mes Sllovenisë dhe Kosovës për Asociacionin
"Kosova dhe Sllovenia kanë shumë këndvështrime të njëjta për çështjet problematike në botë, por kemi edhe dallime, dhe një prej tyre është për zbatimin e marrëveshjeve të arritura. Një nga marrëveshjet është për Asociacionin. Presidentes Osmani i kam thënë që, ndonëse mbështes Gjykatën Kushtetuese, pres të gjendet një zgjidhje për zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Përderisa nuk ka propozime dhe alternativa, vlen marrëveshja e arritur më parë”, tha Pahor pas takimit që zhvilloi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Por presidentja Osmani ka thënë, se Kosova ka zbatuar 99 për qind të marrëveshjeve të arritura me Serbinë në Bruksel, por për çështjen e Asociacionit, sipas saj vlen vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ku marrëveshjen e Asociacionit të vitit 2013, në 22 dy pika të saj e cilëson jokushtetuese. Presidentja Osmani, thotë se siç shprehet, "ne nuk mund të krijojmë entitet mono-etnik, përderisa bazamenti në të cilin është ndërtuar Kushtetuta jonë është multi-etniciteti”.
"Serbia në vitin 2013 ka nënshkruar obligimin që t'i zhbëjë të gjitha struktura ilegale, kriminale që i ka ndërtuar në Kosovë. Ajo, jo vetëm që nuk e ka bërë këtë, jo vetëm që nuk ia ka zhbërë këto struktura, udhëheqësit e të cilave janë në listën e zezë amerikane, por përkundrazi, vazhdon t'i fuqizojë, financojë dhe urdhërojë ato që ta destabilizojnë Kosovën dhe gjithë rajonin”, tha Osmani. Serbia nga ana e saj insiston në zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin dhe e akuzon Prishtinën zyrtare për mos themelim të Asociacionit dhe shkelje të marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013.
Pahor: Ripërsëritje dallimesh mes Sllovenisë dhe Serbisë
Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, para disa ditësh gjatë vizitës zyrtare në Beograd, pati një përplasje ndërmjet tij dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç për çështjen e Kosovës dhe sanksionet ndaj Rusisë. Vuçiq u pyet nga gazetarët se përse Serbia nuk i ka vënë sanksione Moskës për shkak të agresionit në Ukrainë, presidenti serb tha se "Rusia nuk e ka shkelur tërësinë tokësore të Serbisë, ndërsa Sllovenia e ka shkelur”, duke iu referuar njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Sllovenia. Për këtë deklaratë, presidenti Pahor tha se deklarimet e tilla janë të papranueshme dhe tendencioze.
"Sllovenia dhe Serbia, kanë mendime të ndryshme sa i përket Kosovës, Ne e kemi pranuar Kosovën si shtet, Serbia jo. Mendoj se ajo deklaratë është e papranueshme, tendencioze dhe ripërsëritje e dallimeve që ekzistojnë”, tha Pahor.
Presidenti i Sllovenisë, javën që vjen do të jetë mikpritës i takimit të radhës në kuadër të procesit të Bërdo-Brionit, një nismë kjo e Sllovenisë dhe Kroacisë si shtete anëtare të Bashkimit Evropian, që synon forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe nxitjen e dialogut politik midis rajonit të Ballkanit dhe bllokut 27 anëtarësh.
Ndërkohë janë shtuar përpjekjet për të nxitur një dialog të mirëfilltë dhe për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dy udhëheqësit e lartë të dy shteteve më të fuqishme të Evropës, Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron, ngarkuan këshilltarët e tyre për politikë të jashtme dhe siguri, Jens Plettner dhe Emmanuel Beaune, për t'i ofruar siç thanë "mbështetje të drejtpërdrejtë përfaqësuesit special të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak”. Të premten Lajçak së bashku me dy këshilltarët gjermanë dhe francezë, Plettner dhe Beaune, qëndrojnë në Kosovë dhe më pas edhe në Beograd. Kancelari Olaf Scholz dhe presidenti Macron, ju bënë thirrje presidentit serb Vuçiq dhe kryeministrit kosovar Kurti siç thanë "për të treguar gatishmëri dhe zgjidhje maksimale për të marrë vendime të vështira”.
"Po u adresohemi juve si lider i shtetit tuaj, për t'u bërë thirrje për të treguar gatishmëri dhe zgjidhje maksimale për të marrë vendime të vështira, që çojnë drejt progresit të dialogut të udhëhequr nga BE, në mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në letrën që Scholz dhe Macron iu dërguan presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrit, Albin Kurti.
Kryeministri kosovar e mirëpret mirëpret interesimin e Gjermanisë dhe Francës për të ndihmuar në procesin e dialogut. "Kosova e kupton rëndësinë e integrimit evropian në zemrën e të cilit për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, dhe neve në veçanti, ndodhet Gjermania dhe Franca. Andaj, ne e mbështesim faktin që dy shtete kaq të rëndësishme evropiane dhe njohëse të republikës sonë që nga fillimi, do të ndihmojnë ndërmjetësimin e Brukselit për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme që e ka në qendër njohjen reciproke”, u shpreh kryeministri kurti.