1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nahost Washington

3 Shtator 2010

Raundi i parë i bisedimeve të paqes për Lindjen e Mesme në Uashington përfundoi me një marrëveshje për vazhdimin e procesit. Por gjasat për një marrëveshje historike edhe më tej janë të vogla.

https://p.dw.com/p/P3Ht
Pak shkas për optimizëm në Lindjen e Mesme
Pak shkas për optimizëm në Lindjen e MesmeFotografi: picture-alliance/dpa

Është paksa e çuditshme: dy burra ndaj të cilëve deri para disa ditësh është ushtruar presion i madh për rifillimin e negociatave paqësore, rrinë ulur në Uashington pranë njëri -tjetrit dhe zotohen për një ardhme më të mirë. Vetëm së bashku mund të arrihet një "e ardhme historike", thotë kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu. Ndërsa presidenti palestinez Mahmud Abbas duke pohuar me kokë shton se "vetëm së bashku mund të fillojë një erë e re". Brenda një viti duhet të arrihet ajo që nuk ka mundur të bëhet në 60 vitet e fundit, që këta dy popuj të bashkëjetojnë në paqe.

Asnjë shenjë për lëshime nga izraelitët

A thua ata me të vërtetë e duan këtë? A janë të vendosur të dy burrat për të arritur këtë qëllim? Për fat të keq duhet të jesh skeptik. Netanjahu tha se të dy palët duhet të bëjnë lëshime të dhimbshme, por ai vetë nuk ka dhënë asnjë shenjë për mundësinë e ndërprerjes së ndërtimit të ngulimeve hebreje. Ai e di se një hap të tillë nuk mund ta realizojë në koalicionin e tanishëm qeveritar.

Mahmud Abbasi e ka edhe më vështirë. Netanjahu ndoshta edhe mund ta ndryshojë koalicionin qeveritar, dhe të sigurojë një vend në librat e historisë, ndërsa Abbasi përballet edhe më çështjen e legjitimitetit. Mandati i tij në postin e presidentit ka skaduar para një viti e gjysëm, ndërsa prej puçit të Hamasit në vitin 2007, ai nuk ka kurrfarë kontrolli ndaj Rripit të Gazës.

Ndërkohë që edhe aftësia e tij për kompromise është e diskutueshme. Është e vërtetë që aktualisht nuk mund të gjesh ndonjë politikan palestinez që i përgjigjet më shumë kërkesave amerikane, por kjo e ka bërë Abbasin presidentin më të dobët palestinez prej një kohe të gjatë. Ai është aq i dobët sa që vështirë se mund ta përfytyrosh që mund të realizojë ndonjë prej kompromiseve të arritura.

Kundërshtarët shfrytëzojnë dobësitë e Abbasit

Kundërshtarët e paqes në Lindjen e Mesme e dinë se cilat janë dobësitë e tij dhe po përgatiten t'i shfrytëzojnë ato. Hebrenjtë kanë paralajmëruar vazhdimin e ndërtimeve në territoret palestineze, ndërsa Hamasi radikal kërcënon me sulme të dhunshme ndaj izraelitëve. Dhe kjo i bashkon forcat radikale nga të dyja palët, gjë që mund ta bëjë të dështojë edhe procesi paqësor.

Për fat të keq, ta pakta janë argumentet për optimizëm. Ndër to janë planet e hartuara prej kohësh për marrëveshje historike, fakti që të dy palët duan të ndalojnë influencën në rritje të Iranit dhe teoria që për shkak të dallimeve të mëdha në natalitet, vetëm krijimi i shtetit palestinez mund të evitojë mundësinë që dikur hebrenjtë të bëhen minoritet edhe në Izrael.

Të gjitha këto shpjegime duken logjike, por logjika deri tani në Lindjen e Mesme rrallë ka luajtuar ndonjë rol të rëndësishëm.


Autor: Rainer Sollich

Redaktoi: Auron Dodi