1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pak shkolla për fëmijët me aftësi të kufizuara në Maqedoni

28 Tetor 2010

Në Maqedoni ekzistojnë vetëm katër shkolla për nxënës me aftësi të kufizuara. Pedagogët-defektologë vlerësojnë se institucionet e specializuara për nxënësit me aftësi të kufizuara duhet të jenë në numër më të madh.

https://p.dw.com/p/PrGS
Fotografi: DW/Fatos Musliu

Numri i fëmijëve me aftësi të kufizuara, që janë inkuadruar në procesin arsimor nuk është i vogël në institucionet e specializuara shkollore në Maqedoni. Por, shkollat që përkujdesen për fëmijët me aftësi të kufizuara është tejet simbolik. Në mbarë Maqedoninë eksistojnë 4 shkolla të specializuara prej të cilave dy funksionojnë në Shkup. Shkolla “Idnina” përkujdeset për 240 nxënës me aftësi të kufizuara mendore dhe fizike. Jelica Salltirova, drejtoreshë e shkollës, thotë se për këta fëmijë janë të angazhuar një numër i konsiderueshëm i pedagogëve defektologë dhe logopedë, të cilët në procesin e përditshëm mësimorë angazhohen për t`i aftësuar këta fëmijë për një të ardhme më të sigurt.

“Nxënësit në shkollën tonë kanë kufizime të lehta mendore dhe fizike, por kemi edhe nxënës me paralizë celebrale, dauning sindromë si dhe me sëmundje shumë më të rënda, që nënkupton një përkushtim dhe përkujdesje të veçantë për këtë grup të nxënësve” thotë drejtoresha Jelica Salltirova. Mësimi me këta nxënës bëhet me plane të veçanta, sepse secili prej tyre varësisht nga sëmundja ka nevojë të veçantë për të mësuar si duhet të shkruajë, lexojë apo të kryejë ndonjë punë fizike.

Dita Torte-Çiçe është defektologe në shkollën “Idnina”:“Në një klasë ka nga 6 deri 8 nxënës, punohet me programe individuale të përshtatshme për çdo nxënës. Problemet janë të ndryshme, ka shumë nxënës që nuk mund të flasin mirë, nuk mund të shkruajnë, kemi edhe raste me autizëm,” thotë Dita Torte Çiçe. Përkushtimi maksimal i defektologëve ka rezultuar që ky grup nxenësish për një kohë të shkurtë të aftësohet për shkrim dhe lexim dhe të socializohet në shoqëri.

Në shkollën “Idnina” përveç mësimit teorik, nxënësit me aftësi të kufizuara zhvillojnë edhe mësimin praktik. Dragica Stojanovska-Sazdovska është përgjegjëse e puntorive ku nxënësit meren me përpunimin e veglave të ndryshme. “Puna manuele për këta fëmijë është me një rëndësi të veçantë. Ata angazhohen në qepje, qëndisje dhe zbukurime të robave që do t`iu mundëson në të ardhmen të merren me aktivitete të tilla,” thotë Dragica Stojanovska-Sazdovska.

Për tejkalimin e problemeve me të cilat ballafaqohen këto shkolla të specializuara është marrë një iniciativë për një projekt rajonal me një Qendër të specializuar nga Sarajeva, e cila ka filluar të japë rezultatet e pritura.

“Fëmijët në këtë projekt shoqërohen përmes këngës, që mundëson në mënyrë të veçantë shprehjen e talentit të tyre për artin. Këmbimi i përvojave nga vendet në rajon është një ndihmë e madhe si për defektologët poashtu edhe për nxënësit,” thotë drejtoresha Jelica Salltirova.

Pas mbarimit të shkollës tetëvjeçare, nxënësit me aftësi të kufizuara shumë pak e vazhdojnë shkollimin e mesëm. Andaj në këtë drejtim duhet të meren masa urgjente thotë Salltirova.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Aida Cama