1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pamje të Gjermanisë nga Lindja dhe Perëndimi

Stefan Dege19 Gusht 2015

"Bashkatdhetarë 1977 –1987". Kështu quhet një ekspozitë e Rudi Meisel-it në Amerikahaus në Berlin. Me fotografi nga Lindja dhe Perëndimi, ekspozita tregon që prej së premtes një pamje habitëse të Gjermanisë.

https://p.dw.com/p/1GHmp
Ausstellung Rudi Meisel Landsleute C/O Berlin EINSCHRÄNKUNG
Fotografi: Rudi Meisel

Këtu kapitalizëm, atje socializëm. Po si ishte Gjermania e viteve 1970 dhe 1980? Si jetonin njerëzit këtu dhe atje, në këtë dhe në atë anë të Murit dhe të telave me gjemba? Një njeri që fiksoi në fotografi jetën e përditshme të njerëzve duke e dokumentuar atë për pasardhësit ishte fotografi gjermanoperëndimor Rudi Meisel. Si fotoreporter, Meiseli ishte për një dekadë kalues profesionist i kufirit. Ai informoi për revista ndërkombëtare si Spiegel, ZEIT, Stern, Time, Newsweek, Merian dhe Geo. Në udhëtimet e tij të dendura në RDGJ, pranë tij kishte mbikqyrës. Por kjo nuk ia kufizoi vështrimin Meiselit.

Herë shihen njerëz që presin të ulur në një stol në stacionin e metrosë Alexanderplatz të Berlinit Lindor, ku më tej një çift i ri shihet i zhytur në një puthje me afsh. Pastaj të del para syve pamja tronditëse e trishtuar e një blloku ndërtesash të reja në Halle - Neustadt, modernizmi i të cilit është në kontrast me rrugën pranë me baltë, ngaqë nuk është e rrethuar. Në fotografinë tjetër sheh shtëpiake me përparëse duke biseduar të gëzuara para derës së shtëpisë në Wernigerode. Të rinj shihen që ngrenë në Essen një balonë. Një grua studion zinxhirin e një tanku në ditën e Berlinit Përëndimor të forcave të armatosura: fotografitë e Rudi Meiselit janë dëshmi me vlerë të kohës.

Ausstellung Rudi Meisel Landsleute C/O Berlin EINSCHRÄNKUNG
Fotografi: Rudi Meisel

Fotografitë e Meiselit e ruajnë vlerën edhe pas ribashkimit

Syri i tij kap momentin dhe e tendos atë për përjetësinë. Kështu e qeshura, e puthura ose vështrimi skeptik, e ruajnë vlerën edhe pas ribashkimit të Gjermanisë. "Rehat mikroborgjez, blloqe banesash jo tërheqëse, muhabeti i fqinjëve, rebelimi i të rinjve, festa popullore që nuk zgjasin dhe rrugë gati të shkatërruara" shkruan drejtori i ekspozitës Felix Hoffmann në një tekst shoqërues "të iritojnë dhe të habisin përtej ngjashmërisë së tematikës". Por artisti vetë çfarë thotë? "Ishte e njëjta atmosferë mbytëse në Perëndim dhe në Lindje. Vetëm se atmosfera mbytëse e Perëndimit zbukurohej me disa shirita kromatikë".

Ausstellung Rudi Meisel Landsleute C/O Berlin EINSCHRÄNKUNG
Fotografi: Rudi Meisel

Rudi Meisel, i datëlindjes 1949 është me origjinë nga Wilhelmshaveni dhe u rrit në Osnabrück. Pasi studioi për fotografi në Folkwangschule në Essen, prej vitit 1971 ai punoi si fotograf reportazhesh në profesion të lirë, më vonë si fotograf për arkitekturën, midis të tjerash për Norman Foster. Për veprat e tij Rudi Meiselin e kanë nderuar me disa çmime. Sot ai jeton dhe punon në Berlin.