Papa Benedikti i XVI-të takon viktimat e abuzimit të priftërinjve katolikë
18 Prill 2008Ishte një gjest i pajtimit: pa kamera, pa mikrofonë - Papa Benedikti i XVI-të u takua të enjten papritmas me pesë viktima të abuzimit të priftërinjve katolikë. Takimi u zhvillua në një kishëz në Uashington. Viktimat i treguan Papës përjetimet e tyre më të këqija me priftërinjtë pedofilë. Pas takimit ata dhanë deklarata për kanalin televiziv CNN.
"Unë mund të flas vetëm për veten time por besoj se ishte një mundësi e mrekullueshme për të folur me Papën. Dhe ne shfrytëzuam këtë mundësi. Ne mund të thonim çfarë të donim. Ne u jemi përgjigjur të gjitha pyetjeve të tij," sqaroi një prej viktimave.
Papa, sipas viktimave, i ka dëgjuar për të gjitha njoftimet. Në fund ata janë lutur bashkarisht dhe Papa Benedikti i XVI-të u ka folur fjalë shprese dhe kuraje:
"Unë luftoj gjithnjë me spiritualitetin tim. Por shpresa është besimi im. Dhe besimi im u rivendos sot gjatë bisedës. Martin Luther King thoshte: Besimi është një hap, ti nuk sheh të gjitha shkallët e shtëpisë, por një hap i parë u bë".
Dhe një pjesëmarrës tjetër në takim me Papën shton: "Sot diçka ndryshoi dhe tani përfundimisht kemi plot shpresë".
Gjatë qëndrimit të tij në Uashington Papa përsëriti disa herë keqardhjen për viktimat e abuzimit të përiftërinjëve katolikë. Në një meshë të mbajtur para 50.000 besimtarëve në stadiumin e bejsbollit të kryeqytetit amerikan Papa tha: "Asnjë fjalë e imja nuk mund ta përshkruaj dhimbjen dhe dëmin e shkaktuar nga një abuzim i tillë. Është e rëndësishme që të gjithë ata që kanë vuajtur t'u kushtohet vëmendje e dashur baritore".
Kisha katolike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka vite që është në krizë për shkak të skandaleve të abuzimit me fëmijë nga ana e priftërinjëve. Rreth një miliardë e gjysëm dollarë kanë paguar deri tani dioqezat dëmshpërblim ndaj viktimave.
Të enjten pas takimit që Papa zhvilloi me viktimat, përfaqësues të organizatës për vetëndihmë lavdëruan Benediktin e XVI-të për bisedën e tij të hapur.Të enjten në mbrëmje Papa është takuar edhe me përfaqësues të religjioneve të tjera. Me këtë rast ai ka theksuar se dialogu nuk duhet të përkufizohet vetëm në të përbashkëtat e besimit por bisedimet duhet të zhvillohen edhe mbi dallimet.