Papa bëri bekimin "Urbi et Orbi"
25 Dhjetor 2016Edhe këtë vit kjo ishte pika kulmore e festimeve në Vatikan për festën e Krishtlindjeve - megjithë frikën nga terrorizmi dhe megjithë mizoritë e luftës. Papa Françesk bëri në mesditë bekimin e Krishtlindjeve "Urbi et Orbi" - qytetit dhe rruzullit tokësor. Jo vetëm në Romë në Sheshin e Shën Pjetrit e dëgjuan mijëra njerëz Papën: miliona vetë e ndoqën ceremoninë në të gjithë botën, përmes radios, televizionit ose internetit. "Të dashur vëllezër dhe motra: Krishtlindje të gëzuara", tha Françesku dhe shpërndau pastaj bekimin.
Festimet për Krishtlindjet këtë vit zhvillohen nën masa të forta sigurie. Përreth Vatikanit, në shtatë pikë janë vendosur automjete të blinduara. Ata që ndjekin shërbimet fetare duhet të kalojnë një kontroll.
Bekimi apostolik "Urbi et Orbi" bën pjesë në ritualet më të njohura të kishës romano-katolike. Formula latine "qytetit dhe rruzullit" i ka burimet në antikitet. Ndërgjegjësimi perandorak në Perandorinë Romake bazohej në qytetin e Romës (urbs) dhe në qytetin e rruzullit tokësor (orbis). Kisha e përfshiu këtë si ritual zyrtar për herë të parë në shekullin e 13-të, edhe për të dokumentuar pretendimin e përbotshëm të kishës. Bekimin solemn Papa e jep si ipeshkv i Romës dhe si kryetar i Kishës Romano-Katolike.
"Paqe burrave dhe grave në Sirinë e martirizuar"
Më parë Françesku i pati drejtuar në mesazhin për Krishtlindjet, një apel për paqe botës: "Paqe burrave dhe grave në Sirinë e martirizuar, ku u derdh tepër shumë gjak". Ka ardhur koha që armët të heshtin përgjithmonë, tha Papa. Para së gjithash në qytetin Aleppo, i cili javët e fundit ishte "skenë e njërës prej betejave më mizore", populli duhet t'i garantohet ndihmë dhe mbështetje, tha Papa.
Papa bëri thirrje për një përpjekje të re për frenimin e konfliktit në Lindjen e Afërt. "Izraelitët dhe palestinezët le të kenë guximin dhe vendosmërinë që të shkruajnë një faqe të re të historisë", tha ai. Pak ditë pas atentatit ndaj një tregu Krishtlindjesh në Berlin, Françesku kujtoi edhe ata "që humbën një njeri të dashur përmes akteve terroriste, të cilat mbollën në zemrën e shumë vendeve dhe qyteteve frikë dhe vdekje."
Ai tërhoqi vëmendjen edhe te Nigeria, "ku terrorizmi përdor madje edhe fëmijët, për të ushtruar akte frike dhe vrasje". Në këtë shtet afrikanojugor, grupi i islamistëve Boko Haram i përdor herë pas herë gra dhe të reja si atentatore vetëvrasëse.
Dhembsuri për të gjithë fëmijët
Të shtunën në mbrëmje, Françesku u bëri thirrje në një meshë 1,2 miliardë katolikëve në botë për dhembsuri me të gjithë fëmijët, të cilët janë viktima të luftës, arratisë dhe janë të pastrehë. Secili duhet të preket jo vetëm nga "fëmija në haur", por të pranojë edhe fëmijë, të cilët nuk janë të rrethuar nga dashuria e një nëne dhe babai, tha kreu i Kishës Katolike.