1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Parandalohet "një atentat i rëndë terrorist" në Gjermani

1 Nëntor 2017

Një sirian 19 vjeçar është arrestuar nën dyshimin se kishte planifikuar një atentat terrorist në Gjermani. Personi ishte i gatshëm ta kryente sulmin duke përdorur materiale shumë shpërthyese, sipas prokurorëve.

https://p.dw.com/p/2mpd8
Thomas de Maiziere
Fotografi: picture-alliance/dpa/B. von Jutrczenka

19 vjeçari Yamen A. u arrestua të martën në mëngjes në Schwerin për shkak të dyshimit për përgatitje të një akti të rëndë të dhunshëm, që rrezikon shtetin.

Sipas Prokurorisë së Përgjithshme gjermane ai mori në korrik 2017 vendimin që të ndezë një lëndë shpërthyese në Gjermani, për të vrarë dhe plagosur sa më shumë njerëz.

Sipas të dhënave, personi i dyshuar është informuar në rrjete sociale për udhëzime për përgatitjen e bombave dhe kishte kontakt me një person, që e quan veten ushtar të Kalifatit, pra të "Shtetit Islamik". Por nuk është e qartë se për cilin person bëhet fjalë dhe cili ka qenë roli i këtij personi në përgatitjen e aktit. Po bëhen verifikime nëse personi i dyshuar ka qenë anëtar i ndonjë organizate terroriste

Rrezikimi i Gjermanisë vazhdon të jetë i lartë

Njësi antiterror në Schwerin
Njësi antiterror në SchwerinFotografi: picture-alliance/dpa/B Wüstneck

Ministri gjerman i Punëve të Brendshme, Thomas de Maiziere deklaroi se me arrestimin u pengua një "atentat i rëndë terrorist në Gjermani". De Maiziere tha se në bazë të të gjitha të dhënave të mbledhura "ndërhyrja u bë në kohën e duhur: aq vonë sa duhet, për të mbledhur dëshmi dhe njëkohësisht herët për ta frenuar në mënyrë të besueshme rrezikun".

De Maiziere tha se kërcënimi terrorist prej ekstremistëve islamikë në Gjermani dhe në Evropë mbetet "i pandryshuar në nivel të lartë". Gjermania u godit nga një sërë atentatesh në 2016, duke përfshirë edhe një në dhjetor, kur një tunizian sulmoi me një kamion të vjedhur një treg Krishtlindjesh në Berlin, ku vrau 12 vetë.

Në korrikun e kaluar, një refugjat sirian 27 vjeçar shpërtheu një mjet jashtë një festivali muzike në Ansbach në jug të Gjermanisë, duke vrarë veten dhe duke plagosur 15 të tjerë.