Parlamenti Europian aprovoi rezolutën për pavarësinë e mbikqyrur të Kosovës
30 Mars 2007Çështja e Kosovës ishte njëra nga temat kryesore që u debatua për dy ditë me rradhë, të mërkurën dhe të enjten, në selinë e Parlamentit Europian në Bruksel. Për këtë problem u shprehën po ashtu edhe dy nga personalitetet më të njohur të BE-së, siç janë shefi i politikës së jashtme të BE-së, Havier Solana si dhe komisioneri përgjegjës për zgjerimin Olli Rehn.
Më pas parlamenti Europian i mbledhur në sencë plenare aprovoi me shumicë dërrmuese votash raportin rreth Kosovës të hartuar nga europarlamentari i Grupimit të të Gjelbërve, Joos Lagendajk.
Siç dihet rreth dy javë më parë Komisioni i Punëve të Jashtme i Parlamentit Europian e kishte aprovuar në parim projekt-rezolutën e hartuar nga deputeti ekologjist hollandez, por anëtarët e këtij Komisioni kishin hedhur poshtë me një votë më shumë kundër, amendamentin ku propozohej një pavarësi e kushtëzuar për Kosovën.
Por duket se ngjarjet po zhvillohen me shpejtësi. Deklaratave të nënsekretarit amerikan të shtetit Nikolas Bërns në Bruksel, se SHBA-ja mbështet pavarësinë e mbikqyrur për Kosovën, u bënë jehonë edhe pohimet e shefit të politikës së jashtme të BE, Havier Solana komisioneri Rehn i cili, ndër të tjera deklaroi se nuk ka asnjë gjasë që Prishtina dhe Beogradi të bien në ujdi për statusin e ardhshëm të Kosovës, prandaj zgjidhja duhet imponuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
Afërsisht të të njëjtit opinion duket se ishin edhe shumica e parlamentarëve europianë. Prandaj edhe në seancën plenare që u zhvillua sot në selinë e Parlamentit Europian në Bruksel, projekt – rezoluta për pavarësinë e kushtëzuar për Kosovën fitoi mbështetjen plebishitare të 490 eurodeputetëve, ndërsa 80 parlamentarë votuan kundër dhe 87 abstenuan.
Edhe për amendamentin aq shumë të diskutuar dhe të përfolur, siç ishte ai nr 13 që i referohej pikërisht pavarësisë së mbikqyrur për Kosovën raporti ishte 319 pro dhe 218 kundër. Duhet theksuar se në favor të tij votuan dhe luftuan europarlamentarë të njhur të të gjitha grupimeve politike në Parlamentin Europian, siç ishin përshembull eurodeputetët kristianë demokratë gjermanë Doris Pack, Elmar Brok etj, socialisti austriak Johannes Swoboda, kryetari i grupimit socialist në Parlamentin Europian Martin Schulz, hollandezi Jan Marinus Wierzma, Grupimi i partive liberale dhe demokrate, ai i Të gjelbërve etj.
Me këtë rast duhet vënë në dukje se rezoluta që mbështet "pavarësinë e mbikqyrur" për Kosovën aprovohet 24 orë para se ministrat e jashtëm të BE-së të mblidhen në Bremen të Gjermanisë, ku ata do të përpiqen të përcaktojnë strategjinë e BE-së në Këshillin e Sigurimit si dhe rolin e Bashkimit Europian në Kosovën e pas –statusit.
Duke folur para Parlamentit Europian, komisioneri Rehn ndër të tjera theksoi se "esenca e vendimit për Kosovën mbështetet te uniteti. BE-ja duhet të mbështesë njëzëri dhe me vendosmëri propozimin e Marti Ahtisarit para Këshillit të Sigurimit të OKB-së", - deklaroi zyrtari i lartë i Bashkimit Europian.