Parlamenti Europian debaton mbi rreziqet dhe dëmet nga shtyrja e statusit të Kosovës
12 Korrik 2007Në të njëjtën kohë kur 2 zyrtarët më të lartë të Kosovës, presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Agim Çeku, po kërkonin nga Bashkimi Europian dhe përkatësisht nga shefi i politikës së jashtme të BE-së, Havier Solana dhe presidenti i Komisionit Europian, Hoze Manuel Barrozo, një qëndrim më të vendosur të BE-së në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, në Strasburg parlamentarët europianë në prani edhe të përfaqësuesve të presidencës portugeze të BE-së si dhe të komisionerit përgjegjës për zgjerimin Olli Rehn po debatonin ndaj rrezikut dhe dëmeve që mund të vijnë nga shtyerja pa fund e zgjidhjes së statusit të Kosovës.
Eurodeputetja gjermane dhe njëkohësisht kryetarja e delegacionit të Parlementit Europian për vendet Europës Juglindore, Doris Pack bëri thirrje që zgjidhja e çështjes së Kosovës të mos shtyhet në pafundësi. "Ne kishim shpresuar se deri më sot çështja e Kosovës do të ishte zgjidhur dhe nuk do të përbënte më përparësi në politikën ndërkombëtare. Por fatkeqësisht trashëgimia e Millosheviçit, edhe pas vdekjes së tij, ndihet dhe kushtëzon edhe qeverinë e re demokratike të Serbisë. Eshtë për të ardhur shumë keq që nacionalizmi po helmon keqas negociatat për të ardhmen e Kosovës" - pohoi ndër të tjera eurodepuetja gjermane, para se të shtonte se serbët e Kosovës kanë fituar aq shumë të drejta me planin e propozuar nga Ahtisari, saqë pakicat e tjera në Ballkan veçse mund t'i ëndërronin. Në të njëjtën kohë Doris Pack ngriti dyshime edhe ndaj mundësisë së largimit të UNMIK-ut nga Kosova dhe futjes aty të BE-së pa pasur një rezolutë të qartë nga ana e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për statusin e Kosovës. Një veprimi tillë mund të na çojë në një situatë të pashpresë, tha ajo. Eurodeputetja gjermane paralajmëroi se në rast të zvarritjes pa fund të zgjidhjes së statusit, Bashkimi Europian do të mbante një përgjegjësi të rëndë për mungesën e tij të veprimit" - "Prishtina nuk duhet të mbetet peng e interesave të Rusisë në rajon. Kërkesa e Moskës për një zgjidhje të pranuar edhe nga Prishtina dhe nga Beogradi - dihet që është jorealiste" - deklaroi eurodeputetja gjermane.
Në të njëjtat valë duket se ishte edhe komisioneri i BE-së përgjegjës për zgjerimin Olli Rehn. Në fjalën e tij para Parlamentit Europian zyrtari i lartë i BE-së vuri në dukje që Parlamenti Europian ka mbështetur plotësisht planin e Marti Ahtisarit si e vetmja zgjidhje e mundshme për këtë çështje. Ai kërkoi që anëtarët e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të marrin përsipër përgjegjësitë që u takojnë për zgjidhjen e këtij problemi.
Komisioneri i Bashkimit Europian theksoi poashtu se tashmë duhen ndërmarrë tri gjëra me rëndësi: Sipas tij Bashkimi Europian së pari duhet të mbështesë zgjidhjen e statusit të Kosovës pa zgjatje dhe shtyrje të panevojshme, së dyti duhet të ruhet e paprekur esenca e propozimit të Marti Ahtisarit dhe së fundmi të mbështeten me forcë aspiratat dhe ardhmëria europiane e Kosovës.
Në një linjë me Doris Pack, komisioneri Rehn paralajmëroi se do të jetë BE-ja ajo që do të paguajë çmimin në rast se zgjidhja e statusit dështon.
"Nga zvarritja e zgjidhjes së statusit nuk do të fitojmë asgjë, ajo vetëm që do të rrezikojë stabilitetin në Kosovë dhe do të shtojë agoninë në Serbi. Njëkohësisht do të vonohet edhe integrimi i mbarë rajonit në Bashkimin Europian, deklaroi para Parlamentit Europian në Strasburg, komisioneri i BE-së përgjegjës për zgjerimin,Olli Rehn.