Parlamenti Evropian: Kërkon njohje reciproke Kosovë-Serbi
6 Korrik 2022Parlamenti Evropian miratoi pas dy ditë diskutimesh tri raporte për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjen e Hercegovinën, në të cilat bëhet thirrje për mbështetje të perspektivës evropiane të këtyre tri vendeve. Paralamenti miratoi edhe një rezolutë ku u bëhet thirrje pesë shteteve të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë një gjë të tillë.
"Raportet me Serbinë duhet të normalizohen përmes marrëveshjes e cila duhet të bazohet në njohjen e ndërsjellë”, tha deputetja gjermane në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, pas miratimit të rezolutës. Kjo është hera e parë që Parlamenti Evropian përmend me një rezolutë njohjen reciproke në kuadër të një marrëveshjeje përfundimtare Kosovë-Serbi.
Nga ana tjetër, raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Vladimir Biliçek, tha se ai nuk ishte i lumtur që fjalia "njohja e ndërsjellë Kosovë-Serbi”, të përfshihet në rezolutë.
"Nuk isha i lumtur për këtë. Sidoqoftë, ekziston realiteti politik dhe shumica e vendeve anëtare e kanë njohur Kosovën. Dialogu tashmë është duke u zhvilluar me pjesëmarrjen e të dy palëve”, tha Biliçek.
Mosliberalizimi i vizave, dështim për Evropën
Mosliberalizimi i vizave serish ishte pjesë e raportit për Kosovën, ku sipas raportueses Viola von Cramon, "ky është një dështim për Evropën”.
"Kosova ka dëshmuar në vazhdimësi përkushtimin për të avancuar në reformat e lidhura me BE-në dhe është pozicionuar qartë si një partner i besueshëm, i fuqishëm i lidhur me aleancën evropiane dhe transatlantike. Për fat të keq BE-ja ka dështuar që të ofrojë lëvizjen pa viza për qytetarët e Kosovës. Unë shpresoj vërtetë se ky është raporti i fundit ku përmendet dështimi i liberalizimit të vizave”, tha Viola von Cramon.
Raportuesja për Kosovën në PE, tha se ky institucion evropian e mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ndërsa, shprehet skeptike për mundësinë që Kosova të aplikojë për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, për shkak se pesë vende të BE-së akoma nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tashmë disa herë ka deklaruar se në fund të këtij viti, Kosova do të aplikojë për statusin e vendit kandidat për në BE.
Thirrje për Serbinë
Në rezolutën e miratuar në Parlamentin Evropian, pjesa për Serbinë ndërkaq, eurodeputetët evropianë i bëjnë thirrje Serbisë që "të tregojnë përkushtim real ndaj vlerave të BE-së dhe të harmonizohet me vendimet dhe qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme dhe politikat e sigurisë, duke përfshirë sanksionet kundër Rusisë”. Po ashtu autoriteteve në Beograd, u rikujtohet përmes rezolutës që "progresi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën do të përcaktojë ritmin e negociatave për anëtarësim”.
Po ashtu në rezolutë përsëritet mbështetja për dialogun që po zhvillohet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe potencohet rëndësia e angazhimit konstruktiv në këtë dialog. Bëhet thirrje po ashtu për respektimin dhe zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të mëparshme, përfshirë edhe atë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Miratimin e raportit për Kosovën në Parlamentin Evropian, e mirëpriti ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.
"Përshëndes raportin e Parlamentit Evropian dhe këto fjalë të qarta të Viola von Cramon për liberalizimin e vizave, reformat në sundimin e ligjit, zbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit dhe dialogun në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian”, shkroi Rohde në Twitter.