1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Parlamenti Evropian miraton raportin e CIAs

Bernd Riegert15 Shkurt 2007

Mbas një viti hetimesh, Parlamanti Evropian në Strasburg ka miratuar raportin e të ashtuquajturit Komision të CIA-s për veprimtarinë që shërbimi i fshehtë amerikan ka bërë në Evropë në kuadër të luftës kundër terrorizmit

https://p.dw.com/p/Aqmv
Votim në Parlamentin Evropian për raportin e CIA-s
Votim në Parlamentin Evropian për raportin e CIA-sFotografi: AP

Bëhet fjalë për qindra fluturime të fshehta, rrëmbime të personash të dyshuar dhe dy qendra të fshehta përgjimi. Kritikën ndaj qeverisë së mëparshme gjermane parlamenti e zbuti nën presionin e deputetëve gjermanë.

Raporti u miratua me gjithsej 382 kundra 265 votave dhe 74 abstenime. Si rrallë më parë u diskutua ky raport në Parlamentin Evropian. Për ndryshimin e tij ishin dorëzuar më parë 270 amandamente. Kanë qenë kryesisht deputetë konservatorë e socialdemokratë nga Gjermania që janë përpjekur t'i zbusin deklaratat më të forta të raportit përmbyllës të veprimtarive të CIA-s. Konservatorët nuk donin të dilnin kaq hapur kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa socialdemokratët donin të ruanin ministrin e tyre, Frank Walter Steinmeier.

Në raportin përfundimtar thuhet, se Steinmeier, asokohe shef i kabinetit të kancelarit Shrëder, mund ta kishte shkurtuar kohëzgjatjen e qendrimit në Guantanomo të turkut me banim në Gjermani, Murat Kurnaz. Ministri gjerman i shtetit për punë të jashtme, Guenther Gloser, që përfaqësonte kryesinë e BE-së, i hodhi poshtë akuzat e raportit: "Hipotezat jepen si fakte. Nga këndvështrimi i Këshillit do të ishte mirë që formulimet të ishin më të rezervuara, e sidomos atëherë kur disa rrethana nuk mund të gjykohen pa patur njohuri të detajuara për dosjet". Pikërisht shikimi i dosjeve nuk i ishte i lejuar komisionit. Për këtë atij i mungon forca ligjore. Ministri Steinmeier dhe shumë politikanë të tjerë e kishin rrefuzuar që të dilinin para komisionit.

Raportuesi socialist, Giovanni Claudio Fava, nga Italia tha se gjithsej u intervistuan 3 viktima dhe 170 dëshmitarë, mes tyre edhe Murat Kurnaz, prandaj edhe është e qartë: "Ne këtu kemi paraqitur fakte të përmbledhura, fakte, jo opinione. Fakte, që dëshmojnë për vepra konkrete." Deputeti socialdemokrat gjerman, Wolfgang Kreissl-Dërfler u bëri thirrje qeverive të vendeve të prekura, që ta marrin seriozisht raportin. Të drejtat e njeriut duhet të mbrohen edhe në luftën e drejtë kundër terrorizmit: “Është dëshmuar që agjentët e CIA-s, kanë marrë pjesë në rrëmbime. Prokurorë në Milano dhe Mynih kanë nxjerrë urdhëra arresti kundër agjentëve të CIAs e këto tani duhet t'u dorëzohen SHBA/ve. Ne nuk duhet të lejojmë, që një shërbim i fshehtë të bëjë ç'të dojë dhe që qeveritë tona të mos jenë në gjendje të mbrohen."

Gloser tha, se Këshilli i Ministrave të BE-së nuk do të reagojë ndaj raportit, pasi kjo është çështje e brendshme e vendeve anëtare. Komisioneri për drejtësinë, Franco Frattini, që më parë i kishte kërcënuar vendet e prekura me ndëshkime, tha vetëm, se tani duhen pritur edhe rezultatet e hetimeve të prokurorive.