Parlamenti i BE: Nga 2035 vetëm automjete elektrike
15 Shkurt 2023E ardhmja për Bashkimin Europian është e qartë: Karikim i automjetit në shtyllat me elektricitet, benzina dhe nafta dalin jashtë loje.
Askush nuk kishte më dyshime në Parlamentin Europian ndaj qëllimit të ligjit për të lejuar në qarkullim nga viti 2035 vetëm automjete të reja, që nuk dëmtojnë klimën. Rruga drejt neutralitetit ndaj klimës në qarkullimin rrugor mbetet megjithatë e diskutueshme. Edhe për pasojat, që do të ketë ky ligj ndaj industrisë europiane të automobilëve, mendimet janë të ndryshme.
Shumica e deputetëve – socialdemokratët, ekologjistët dhe libealët – u shprehën për heqjen faktikisht nga qarkullimi të motorëve me djegie. Automjetet elektrike me bateri ose me hidrogjen si burim energjie duhet të dominojnë tregun nga viti 2035, tha deputeti liberal Jan Huitema, i cili është raportuesi për ligjin. Objektivat e qarta bëjnë, që industria e automobilëve ndërkohë të ristrukturohet dhe të përgatitet për kushtet e reja, tha Huitema. Klima do të mbrohet dhe varësia nga furnitorët e lëndëve fosile duhet të minimizohet.
Parlamenti BE-së në Starsburg votoi ligjin për automejte neutral ndaj klimës
Vetëm automjete me elektrik në BE?
Për përdoruesit e automjeteve kalimi tek makinat me elektrik ka avantazhe të tjera. "Ne presim, që makinat neutrale ndaj klimës të jenë me çmim më të leverdisshëm. Ne duhet të ofrojmë makina me kosto të përballueshme për blerësit. Kostot e përdorimit të makinës me elektrik edhe sot janë më të ulëta se ato të automjeteve me motor me djegie të brendshme", tha Jan Huitema. Shumë deputetë konservatorë, ndër ta nga Gjermania me industrinë e saj të madhe të automjeteve, e kritikuan ligjin, duke argumentuar se në fakt ky ligj i ndalon makinat me motor me lëndë djegëse. Alternativë ndaj automjeteve elektrike, si p.sh. ato me lëndë djegëse sintetike që është po ashtu e përshtatshme për mjedisin, do të bëhen të pamundura në të ardhmen.
Politikanët nuk duhet t'u diktojnë inxhinierëve se si t'i konstruktojnë më mirë automjetet dhe të ulin në zero emisionet, argumenton kristiandemokrati Jens Giesecke. Ligji mund të bëjë, që pas vitit 2035 në qarkullim të ketë vetëm automjete të vjetra të lincecuara prej kohësh që punojnë me lëndë djegëse. Automjetet e reja të këtij lloji nuk do të jenë më në dispozicion mjaftueshëm, ose do të kushtojnë shtrenjtë. Giesecke e quan këtë "Efekti Havana". Në Kubë qarkullojnë kryesisht automjete oldtimer, sepse SHBA e ka ndaluar ekssportin e automjeteve në Kubën komuniste. Fraksioni kristiandemokrat bën thirrje, që edhe motorët me djegie të brendshme me lëndë sintetike, që prodhohen me efekt neutral ndaj klimës, të kenë një shans.
A do të kushtojë humbjen e vendeve të punës "revolucioni elektro" i industrisë së automobilëve?
Komisari për Mbrojtjen e Klimës, Franz Timmermans, tha në Parlamentin Europian në Strasburg, se rikonstruktimi i industrisë së automobilëve drejt sistemit të elektromobilitetit ndërkohë ka nisur në mbarë botën. "Revolucioni industrial është realitet, duam ne ose s'duam ne. Ne mund ta vendosim vet nëse duam të jemi në pozicion kryesues, apo të mbetemi anash duke ia lënë në dorë prodhimin rajoneve të tjera të botës", tha Timmersmans. Industria europiane e automobilëve ka bërë përpjekje të mëdha gjatë viteve të fundit drejt prodhimit të automjeteve elektrike. Rruga është e qartë. Deputetët kritikë ndaj ligjit mendojnë, se riskontruktimi i industrisë do të çojë në humbjen e vendeve të punës.