1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Parlamenti i Polonisë hedh poshtë ndalimin e abortit

6 Tetor 2016

Dukej se kundërshtarët e abortit në Poloni e kishin të sigurtë suksesin. Por në fund edhe vet partia në pushtet e afërt me kishën votoi me shumicë të madhe kundër ashpërsimit të ligjit të abortit.

https://p.dw.com/p/2Qy42
Polen | Black Monday - Proteste gegen das Abtreibungsverbot
Fotografi: picture-alliance/NurPhoto/K. Dobuszynski

Që partia në pushtet në fund megjithatë do të tërhiqej, kjo nuk mund të përjashtohej plotësisht. Por që do të veprohej kaq shpejt, këtë nuk e priste askush në Poloni. Kundërshtarët e ndalimit të plotë të abortit megjithatë mbeten skeptikë, siç shprehet deputetja e opozitës Joanna Scheuring-Wielgus nga partia liberale "Nowoczesna", "Modernia": "Çfarë ka ndodhur? A kanë filluar ata papritur të besojnë në diçka tjetër? Jo, ata vetëm kanë vënë re, se nuk mund të fitojnë kundër grave. Kundër grave, që rebelojnë për të fituar të drejtat e tyre. Jaroslaw Kaczynski nuk e kishte parashikuar këtë."

Ndërkohë që gjithçka linte të kuptohej, se partia në pushtet "E drejta dhe drejtësia" do ta mbështeste kërkesën e iniciativave qytetare ekstrem konservatore. Për më tepër që edhe kryetari i partisë Jaroslaw Kaczynski me nisjen e debatit në fillim të këtij viti ishte shprehur pikërisht në këtë drejtim. "Unë jam katolik, pra qendrimi im është në këtë drejtim mëse i vetëkuptueshëm. Por unë ju tërheq vëmendjen, se në partinë time lidhur me këtë çështje nuk do të ketë disiplinë të grupit parlamentar. Megjithatë unë jam i bindur, që shumica e deputetëve tanë nëse jo të gjithë do ta mbështesin këtë propozim."

Një vlerësim ky për të cilin Jaroslaw Kaczynski tashmë nuk do t'ia dijë. Në sfondin e protestave masive nacional-konservatorët  bënë një kthesë të papritur dhe votuan me shumicë kundër ashpërsimit të nenit të abortit. Mbështetësit e ndalimit të plotë të abortit janë indinjuar dhe thërrasin tani tradhëti!  Jaroslaw Kaczynski e relativizon: "Kemi të bëjmë me një keqkuptim të madh. Ne kemi respektin më të madh për të gjtihë ata që e kanë nënshkruar projektligjin. Vetëm se ne në bazë të vëzhgimeve të situatës shoqërore kemi arritur në konkluzionin, që projektligji mund të shkaktojë procese, që do të kishin efektin e kundërt të asaj që synohet prej atyre, që kanë e kanë ndërmarrë këtë nismë."

Nëse nacional-konservatorët janë shprehur kundër projektligjit, argumenton edhe kryeministrja Beata Szydlo, atëherë kjo në radhë të parë për arsyen, se ato duan të pengojnë, që grave t'u duhet të llogarisin me dënime me burg në rast aborti. Një ndryshim kursi me 180 gradë, që duhet ta ketë urdhëruar personalisht kryetari i partisë Jaroslaw Kaczynski, siç thuhet. Me sa duket kjo është bërë nga frika se me një ligj të tillë mund të shkaktohej një grindje e rrezikshme për kursin e saj dhe kjo do të shoqërohej me humbjen e mbështetejes në shoqëri. Në vend të kësaj qeveria papritur deklaron se deri në fund të vitit do të ofrojë disa programe për nënat, të cilave u duhet të vendosin për ndërprerjen e një shtatëzanie të vështirë.