1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sanader droht mit Aussagen

19 Korrik 2011

Ivo Sanader akuzohet për korrupsion. Pas një burgimi prej 7 muajsh në Austri, ai u ekstradua në Zagreb. Tani ai thotë se do të tregojë gjithçka, por kolegët e partisë së tij, nuk pranojnë se kanë pasur dijeni.

https://p.dw.com/p/11zba
Ish kryeministri kroat Ivo Sanader.
"Nuk kam vepruar i vetëm!" - Ish kryeministri kroat Ivo Sanader do të tregojë gjithçkaFotografi: DW

"Nëse unë kam qenë drejtuesi i një shoqate kriminale, nëse kam qenë bos i mafies, atëherë nuk e kuptoj se përse më kanë ndjekur dhjetë vjet me radhë"- me këto fjalë reagoi Ivo Sanader ndaj pretendimeve të ish shokëve të partisë, të cilët tani distancohen prej tij. Ata thonë se nuk kanë pasur dijeni për aferat korruptive të ish kryetarit të partisë kroate në pushtet HDZ. Këtë e përsërit pa pushim edhe pasuesja e Sanaderit në kreun e partisë Jadranka Kosor, kryeministrja e Kroacisë.

Korrupsion në përmasa të mëdha

Ekstradimi i Sanaderit nga Austria në Kroaci. 18.07.2011
Ekstradimi i Sanaderit nga Austria në Kroaci. 18.07.2011Fotografi: dapd

Sanader akzohet se është i përfshirë në shumë afera korruptive. Ai akuzohet për abuzim posti dhe përfshirje në makinacione kriminale. Ish kryeministri akuzohet për përvetësim të parave publike nga ndërmarrje shtetërore, agjenci dhe ministri përmes një agjencie marketingu. Ai akuzohet gjithashtu se ka marrë ryshfete nga banka austriake "Hypo Alpe Adria Bank", me aktivitet të gjerë në Evropën Juglindore, për një kredi të cilën qeveria kroate e ka marrë nga kjo bankë.

Më tej Sanader akuzohet se ka marrë ryshfete nga koncerni energjetik MOL, në mënyrë që ky të merrte drejtimin në koncernin kroat të naftës dhe gazit natyror INA, pa pasur shumicën e aksioneve.

Të hënën në mbrëmje (18.7.) ish kryeministri kroat Ivo Sanader u ekstradua nga Salzburgu në Zagreb. Kështu Austria plotësoi kërkesën për ekstradim të Kroacisë, e cila ishte bërë menjëherë pas arrestimit të Sanaderit në dhjetor të 2010. Në fillim të dhjetorit Sanaderit iu hoq imuniteti nga parlamenti kroat, autoritetet kroate nxorrën një urdhër-arresti ndërkombëtar. Pas kësaj ai u largua nga vendi, por u ndalua vetëm një ditë më vonë nga policia autriake.

Mangësi në sistem

Sipas dëshmive të tij, Sanader do të bëjë përgjegjës edhe një pjesë të ish shokëve në parti. "Ne të gjithë kemi vendosur bashkë në HDZ dhe në qeveri, dhe qeveria nuk ishte kopësht fëmijësh", ka deklaruar Sanader. Analistët dyshojnë se partia në pushtet HDZ do të vazhdojë të distancohet nga ish kryetari i saj. Kështu synohet të shmanget dobësimi i pozicionit të partisë dhe kryeministres Jadranka Kosor në opinionin publik, në prag të zgjedhjeve parlamentare, të këtij viti.

Ekspertët janë të mendimit se kryesia e partisë dhe Kosor vështirë se do të kenë sukses në përpjekjen për të bindur publikun se nuk kanë qenë në dijeni dhe nuk kanë marrë pjesë në aferat korruptive për të cilat akuzohet Sanaderi.

Sipas analistit kroat Andjelko Milardovic, Sanader është një bombë me sahat dhe një thikë me dy tehe për ish partinë e tij. Milardovic argumenton se Sanaderit nuk i është dashur të krijojë struktura paralele për pasurimin vetjak apo financimin e partisë. Ai vetëm sa ka shfrytëzuar boshllëqet ekzistuese në legjislacion për përvetësimin e parave. Këto boshllëqe duhen mbyllur, pak rëndësi ka se kush e bën: qeveria aktuale apo një tjetër.

Kryeministrja kroate Jadranka Kosor.
Distancim i plotë nga Sanaderi dhe luftë kundër korrpsionit - kryeministrja kroate Jadranka Kosor hedh poshtë çdo pretendim për bashkfajësiFotografi: DW

Partia qeverisëse nën trysni

Nëse rasti i Sanaderit do të ketë pasoja negative mbi partinë në pushtet HDZ, është e vështirë të vlerësohet mendon gazetari Neven Santic. Zgjedhësit kroatë kanë treguar disa herë se nuk kanë patjetër sjellje racionale, mendon Santic. Ndërsa analisti Davor Gjenero mendon se HDZ ka humbur shumë popullaritet, që nga zbulimi i skandalit. Kjo pasqyrohet edhe në rezultatet e sondazheve aktuale.

Kryeministrja kroate Jadranka Kosor është lëvduar disa herë nga Brukseli për angazhimin e saj rigoroz kundër korrupsionit në Kroaci. Megjithatë ky ka qenë edhe një nga kushtet që BE i vuri Zagrebit për statusin e kandidatit.

Falë reformës së gjerë të sistemit juridik në Kroaci është i garantuar një proces gjyqësor i drejtë për Sanaderin, vlerëson BE.

Autore: Gordana Simonovic / Mirjana Dikic/ E. Xhani

Redaktoi: Mimoza Kelmendi