Pas luftës në Gjeorgji Rusia nis fazën e fundit të tërheqjes
9 Tetor 2008Tërheqja e trupave ruse do të përfundojë sipas planit deri të premten e ardhshme (10.10.). Marat Kulahmetov, komandant i trupave ruse të stacionuara përreth Osetisë Jugore thotë: “Momentalisht po hiqen rrethimet e ngritura përreth postave të policisë. Gjithashtu po hiqen edhe disa bunkerë. Ndërkohë shërbimi në posta vazhdon. Brenda një dite ushtarët do të tërhiqen sipas planit nga zona jugore.”
Në një marrëveshje të arritur nga presidenti i rradhës i BE-së Sarkozy dhe presidenti rus Medvedev është vendosur, që deri me datën 10 tetor të tërhiqen ushtarët rusë nga zona neutrale e Osetisë Jugore dhe e Abkazisë, si dhe është pranuar dergimi i një grupi vëzhguesish.
Gradualisht postat ruse të kontrollit po i dorëzohen palës gjeorgjiane. Agjencisë Interfax Kulahmetov i tha se bëhet patrullim i përbashkët në zonat nga të cilat është bërë tërheqja. Nuk është konstatuar rritje e radioaktivitetit, nuk ka as mina. Vëzhguesit e BE-së janë dëshmitarë të dorëzimeve.
Mediat gjeorgjiane njoftuan edhe për tërheqjen nga perëndimi i Gjeorgjisë në kufi me Abkazinë. Të mërkurën paradite (8.10.) tanke dhe automjete ushtarake hynë nga rajoni Sugdidi në drejtim të Abkazisë. Aty diplomati gjerman Hansjërg Haber kontrollon zhvillimet. Ai drejton misionin e 200 vëzhguesve të BE-së.
Marrëveshja e armëpushimit parashikon edhe që të dyja palët të tërhiqen nga pozicionet e paraluftës të muajit gusht. Por në zonat separatiste Rusia do të stacionojë gjithsej 8.000 ushtarë dhe në këtë mënyrë më shumë se më parë. Osetia Jugore dhe Abkazia pas luftës e shpallën vetën të pavarura. Moska e ka njohur ndërkohë pavarësinë e tyre. BE vazhdon t´i konsiderojë të dy rajonet si territor gjeorgjian. Në një konferencë për paqen në Gjenevë që nga java e ardhshme do të diskutohet për zhvillimet e ardhshme.
Lidhur me situatën në Gjeorgji u shpreh sot (08.10) edhe ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov në një konferencë për shtyp.
“Pala gjeorgjiane duhet të plotësojë gjithashtu detyrimet për tërheqjen e trupave në pozicionet e mëparshme, siç e parashikon plani Medvedev-Sarkozy. Ne do të kërkojmë edhe që vëzhguesit ndërkombëtarë të kontrollojnë sidomos territoret e Gjeorgjisë, prej nga qëllohen Zchinvali dhe qytete të tjera të Osetisë Jugore. Ne jemi për një embargo armësh, furnizimi me armë i rregjimit gjeogjian duhet të ndërpritet.”