1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pas tragjedisë: Ministrat e Jashtëm të BE-së konsultohen në Bruksel

Bernd Riegert/Lindita Arapi22 Korrik 2014

Ministrat e Jashtëm të BE-së konsultohen këtë të martë për sanksione të reja kundër Rusisë. Është pikërisht Holanda që do të kërkojë bllokimin e tyre. Fillimisht duhen sjellë viktimat në vendlindje, kërkon ky vend.

https://p.dw.com/p/1CgQ2
Dorëzohet Blackbox tek ekspertët malajzianë
Dorëzohet Blackbox tek ekspertët malajzianëFotografi: Reuters

"Dua të organizoj varrimin, por nuk mundem. Nuk e di ku janë ata", tha Silene Fredriksz në televizionin holandez NOS. Ajo është nëna e një djali të ri, i cili humbi jetën me shoqen e tij në avionin e rrëzuar MH17. "Zoti Putin më dërgoni fëmijët në shtëpi. Ju lutem!" iu drejtua kjo nënë presidentit rus. Si Silene Fredriksz e gjithë Holanda është e shokuar dhe e sheh si të padenjë dhe joprofesionale mbledhjen e kufomave në zonën prej 36 km katrorë, ku ndodhen rrënojat e avionit. 192 viktima nga 298 gjithsej vinin nga Holanda.

Holanda nuk fajëson askënd, fillimisht duhen mbledhur viktimat

Mark Rutte, kryeministri holandez u shpreh të hënën para parlamentit të vendit, se shumica e viktimave gjenden në vagonë të ftohur të hekurudhës. "Mund të konfirmoj se ekipi i parë me ekspertë ka mbërritur tek këta vagonë, ata po vulosen." Rutte kërkon që fillimisht viktimat të sillen pranë familjeve të tyre. "Ende mungojnë 50 viktima që gjenden të shpërndarë nëpër fusha".

Mark Rutte, kryeministri holandez
Mark Rutte, kryeministri holandezFotografi: picture-alliance/dpa

Kryeministri holandez është shumë i kujdesshëm më fajësime."Para se të vë fajin dikujt më duhet të sjell njëherë viktimat në shtëpi", ka përcaktuar ai strategjinë ndaj separatistëve, të cilët kanë kontrollin mbi zonën ku është rrëzuar avioni dhe konsiderohen si të papërgjegjshëm. Me këtë ai hodhi poshtë disa kërkesa të parlamentarëve holandezë për dërgimin e ushtrisë holandeze në vendin e ngjarjes.

Britania e Madhe: BE e gatshme për sanksione të reja kundër Rusisë

Të martën takohen në Bruksel ministrat e Jashtëm të BE-së për të diskutuar mbi krizën e Ukrainës dhe pasojat e rrëzimit të avionit të shoqërisë malajziane. Më shumë se sa holandezët e goditur nga tragjedia, janë britanikët ata që kanë ashpërsuar së tepërmi tonet. Ministri i ri i jashtëm britanik, Phillip Hammnd i tha BBC se për ekonominë e Rusinë duhet të ketë pasoja të ashpra dhe të vazhdueshme, në rast se Rusia vazhdon të mbështetë rebelët dhe lejon transportin e armëve nga kufiri i saj.

Ministrat e Jashtëm të BE takohen në Bruksel
Ministrat e Jashtëm të BE takohen në BrukselFotografi: John Thys/AFP/Getty Images

Kryeministri britanik David Cameron theksoi se BE është gati për sanksione më të ashpra, si për shembull ndalimin e eksporteve të teknologjisë së lartë drejt Rusisë. Ministrat e Jashtëm të BE-së mund të shkallëzojnë sanksionet kundër Rusisë, të cilat javën e kaluar kaluan në një fazë të re. Por për një embargo të zgjeruar ndaj degëve të ekonomisë ruse duhet ë mblidhet samiti i krerëve dhe kryeministrave të BE-së. Edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Francois Hollande duket se janë gati për sanksione më të ashpra kundër Rusisë. Por ende është e paqartë nëse do të ketë sanksione të fazës 3, pra sanksione të zgjeruara ekonomike.

Parlamenti Europian ka kërkuar vendosjen e embargos ekonomike kundër Rusisë. Por Franca ishte kundër. Së paku 2 anije të marinës luftarake franceze në vlerë prej 1,2 miliardë eurosh do të dorëzohen së shpejti tek marina ruse.

Kryeministri holandez lëvdon solidaritetin europian

Kryeminstri holandez Mark Rutte i ka mënjanuar kërkesat për sanksione të ashpra kundër Rusisë, sepse fokusi është vënë tek viktimat. Rutte nuk la dyshim se Europa vepron e vendosur dhe unison. "Nganjëherë ne debatojmë në Europë, se çfarë nuk funksionon, por atë lloj solidariteti e përkrahjeje që po kuptoj tani në të gjitha telefonatat me kolegët europiane, ofertat e ndihmës të gjitha janë prekëse." Por më të shokuar holandezët janë me mënyrën se si po veprojnë disa forca proruse me kufomat. Pamje filmike tregojnë se si viktimave iu rrëmbehen sende me vlerë. Bankat holandeze kanë bllokuar ndërkohë kartat e kreditit dhe xhirollogaritë e viktimave, thuhet në një njoftim të shoqatës së bankave holandeze.

Pas një telefonate të gjerë të presidentit rus Putin me kryeministrin holandez, Mark Rutte, presidenti rus u ka bërë thirrje separatistëve të mos pengojnë mbledhjen e kufomave dhe sigurimin e provave. Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry para një vizite në Lindjen e Mesme tha se për presidentin rus tani "ka ardhur ora e së vërtetës".