1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pas vendimit të GJND-së: "Frankfurter Allegemeine Zeitung" del me artikullin "Tani e ka fjalën BE-ja"

26 Korrik 2010

Lidhur me vendimin e GJND-së mbi legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës "FAZ" në numrin e së hënës (26.07.2010) boton artikullin me titull "Tani e ka fjalën BE-ja" nga Wolfgang Ischinger dhe Oliver Rolofs.

https://p.dw.com/p/OUkG
Wolfgang Ischinger, sot drejtues i konferencës së sigurisë në Mynih, më parë ka qenë i ngarkuari i BE-së për negociatat e dikurshme mes Prishtinës dhe Beogradit
Wolfgang Ischinger, sot drejtues i konferencës së sigurisë në Mynih, më parë ka qenë i ngarkuari i BE-së për negociatat e dikurshme mes Prishtinës dhe BeograditFotografi: AP

Ndër të tjera në artikullin e FAZ autorët nënvizojnë: "Le të shpresojmë që vlerësimi i GJND-së do të hapë portën për një modus vivendi mes Beogradit dhe Prishtinës. Gjermania duhet të kujdeset, që BE-ja t' i përgjigjet detyrimit të saj për paqe dhe stabilitet në të gjithë rajonin. Tani vështrimi duhet drejtuar nga e ardhmja. Serbia duhet të pranojë realitetet, që janë vendosur për më shumë se një dekadë..."

Kosova vë në provë aftësinë drejtuese të Evropës

"Treni i pavarësisë së Kosovës ka kohë që është nisur nga stacioni. Për fat të keq Evropa deri tani nuk e ka gjetur vendin e vet në nivelin drejtues. Që Kosova është një rast prove për aftësinë drejtuese të Evropës, kjo është thënë para vitesh. Dilema e BE-së sot është, se ajo nuk është e aftë të drejtojë për shkak të përçarjes së brendshme - 22 pro ndërsa Spanja, Sllovakia, Rumania, Qiproja dhe Greqia kundër. Ndoshta tani vlerësimi i GJND-së do të japë impulse të reja." ...

FAZ shkruan: "Në radhë të parë është i nevojshëm një drejtim i qartë nga ana e BE-së dhe një perspektivë evropiane për rajonin. Shumica e BE-së duhet t' i nxisë pesë anëtarët që kanë mbetur që më në fund të mundësojnë një linjë të përbashkët brenda BE-së. Një kërkesë e tillë nuk është shumë pas vlerësimit të GJND-së. A nuk është kështu, që të pesë këto shtete nga ana e tyre kanë interesa të rëndësishme tek BE-ja? Pra gjithçka ka çmimin e vet.

Shqiptarët festuan më 17 shkurt 2008 pavarësinë. Serbia e hodhi çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë
Shqiptarët festuan më 17 shkurt 2008 pavarësinë. Serbia e hodhi çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në HagëFotografi: AP

Paketë politike për çështjet e pazgjidhura në rajon

Duhet të përpilohet një paketë politike, e cila të përfshijë edhe çështje të tjera të pazgjidhura në rajon - përfshi këtu edhe grindjen për emrin e Maqedonisë dhe reformat që duhej të ishin kryer me kohë në Bosnje-Hercegovinë. Në të njëjtin ritëm duhet që edhe Kosova sa më shpejt të përfshihet në politikën e Shengenit për liberalizimin e vizave: Liria e lëvizjes stabilizon të gjithë rajonin.

Kosova nuk duhet të përjashtohet për një kohë të gjatë prej procesit të të BE-së për stabilizim-asocijimin. Kosova si dhe fqinjët e saj kanë nevojë për një perspektivë të qartë dhe për ritëm të barabartë integrimi. Në këtë kontekst duhet të jetë e qartë: Për aq kohë sa nuk zgjidhet çështja e statusit mes Beogradit dhe Prishtinës, për të dyja këto vende nuk do të hapet porta për në Evropë. BE-ja nuk do ta përsërisë gabimin kapital që bëri me pranimin e Qipros: nuk ka asnjë anëtarësim, për aq kohë sa nuk janë sqaruar problemet e statusit midis fqinjëve! Edhe presidenti Tadiç e di këtë.

BE-ja kësisoj i ka në dorë të gjitha levat dhe instrumentat e nevojshme - ajo duhet të angazhohet me vendosmëri. Por pa një angazhim intensiv të Berlinit nuk do të lëvizë shumë as në Bruksel dhe as në Beograd. Forca gjermane e iniciativës është tani veçanërisht e rëndësishme." , shkruan FAZ.

FAZ/Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Lindita Arapi