Pas votimit në Egjipt
24 Dhjetor 2012Kairo të dielën paradite (23.12.). Gazetat e përditshme janë të mbushura me informacione për referendumin e kushtetutës. Sipas të dhënave jozyrtare, 64 përqind e egjiptianëve me të drejtë vote kanë votuar pro kushtetutës së re të vendit. Pjesëmarrja në zgjedhje ishte rreth 30 përqind, po të mbledhësh pjesëmarrjen në të dyja raundet e votimit. Njerëzit diskutojnë në rrugë për rezultatin. Disa janë të pakënaqur me të, të tjerëve rezultati nuk u duket shumë i qartë:
"Referendumi ishte i lirë dhe korrekt, unë e pashë me sytë e mia. Thuhet se 64% votuan pro? Duhet të ishin 70 ose 75%. Egjiptianët duhet ta mbështesin tani rezultatin e zgjedhjeve, kjo është demokracia që kemi mësuar."
"Gjithçka falsifikim i votave, rezultati është falsifikuar. 64 % e egjiptianëve janë injorantë dhe të pashkolluar. Këta 64% kontrollojnë pjesën që ka mbetur të popullit, që kanë një arsim të mirë?"
Deri në mbrëmje vonë qenë hapur lokalet në të 17 provincat e vendit, ku u votua të shtunën. Për shkak të pjesëmarrjes së ulët në votime, që po dukej, Komisioni i Zgjedhjeve i vendit vendosi që procesi i votimit të shtyhet me katër orë. Vonë pas mesnatës, kur u përvijua rezultati, u bë e qartë: zgjatja nuk ndihmoi. Vetëm një në tre egjiptianë nga 51 milionë personat me të drejtë vote i dha votat e tij. Dhe si në pjesën e referendumit javën e kaluar pati një sërë parregullsish.
Parregullsi dhe dorëheqje në nivel politik
Gjykatësit, që duhet të vëzhgonin procesin e zgjedhjeve me sa duket nuk qenë të pranishëm në të gjitha lokalet e zgjedhjeve ose mungonin krejtësisht. Pati ndikim të zgjedhësve, pjesërisht njerëzve iu mohua e drejta e votimit, si kësaj gruaje:
"Unë doja të votoja me "jo", po nuk munda, sepse emri im nuk qe në listë. Më thanë që jam e regjistruar në Kuvajt dhe jo në Kairo. Në zgjedhjet presidenciale pata mundësi të votoj këtu. Isha vetëm shkurt në Kuvajt, për të vizituar tim bir, pastaj u ktheva në Kairo. Më thanë që mund të votoja në Kuvajt, po jo këtu, megjithëse e kam të drejtën ta bëj këtë gjë."
Edhe në nivelin politik pati parregullsi. Zëvendëspresidenti Mekki dha dorëheqjen. Ai kishte dashur ta dorëzonte postin që një muaj më parë, thuhet në një deklaratë të juristit të lexuar në televizion. Atij i qe dashur të konstatonte se politika nuk pajtohet me profesionin e tij si gjykatës, deklaroi Mekki.
Që javët e shkuara kryetarin e shtetit Mursi e braktisën shtatë nga 19 këshilltarët e tij. Si Mahmoud Mekki, edhe ata deklaruan se presidenti nuk qe konsultuar me ta paraprakisht për asnjë nga vendimet e diskutueshme të tij. Mursi u kujdes që kushtetuta të e diskutueshme të përgatitet me shpejtësi dhe që të votohej për të.