1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasojat e ekzekutimit në Arabinë Saudite e reagimi i Iranit

Hans Spross5 Janar 2016

Indinjata e Iranit për ekzekutimin e aktivistit më të njohur shiit në Arabinë Saudite ishte e pritshme. Por sulmi ndaj ambasadës saudite dhe pasojat e saj japin shkas për tone vetëkritike.

https://p.dw.com/p/1HYAi
Iran Protest in Teheran gegen Hinrichtung in Saudi-Arabien
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/V. Salemi

Teherani reagoi ndaj lajmit për ekzekutimin e Nimr Baqir al Nimrs duke iu referuar në mënyrë të pazakontë lirisë së mendimit: "Qeveria saudite mbështet lëvizjet terroriste dhe ekstremiste, por njëkohësisht u kundërvihet kritikëve brenda dhe jashtë vendit me represion dhe ekzekutime", deklaroi zëdhënësi i politikës së jashtme iraniane Jaber Ansari, sipas agjencisë AFP, pak para sulmit të një turme të indinjuarish ndaj ambasadës saudite në Teheran. Riadi "do të paguajë një çmim të lartë për këtë politikë", tha më tej Ansari.

Udhëheqësi shpirtëror i Iranit Kamenei nga ana tjetër paralajmëroi për "hakmarrje hyjnore" për ekzekutimin e kreut fetar dhe aktivistit. Presidenti Rohani kritikoi "ekzekutimin antihuman" të Imrs, por njëkohësisht e dënoi edhe sulmin ndaj ambasadës me gurë e bomba benzine si "absolutisht të pajustifikueshëm" dhe kërkoi ndëshkimin e "dorasve ekstremistë".

Pasi Riadi një ditë pas sulmit ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin, sepse Irani mbështet "celulat terroriste", të hënën (04.01) pasoi me të njëjtin hap në Riad qeveria e varur ushtarakisht (sunite) e Mbretërisë së Bahrainit. Emiratet e Bashkuara Arabe e ulën nivelin e marërdhënieve diplomatike me Iranin.

Ashpërsimi i tensioneve mes dy rivalëve në Lindjen e Mesme, që luftojnë indirekt për influencë në Siri dhe Jemen, ka tërhequr vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare. SHBA dhe BE kanë shprehur shqetësim lidhur me intensifikimin e konfrontimit saudito-iranian, Rusia është ofruar si ndërmjetësuese e madje Kina u tregua "mjaft e shqetësuar".

Edhe në rrjetet iraniane qarkullojnë - krahas ashpërsimeve verbale që priteshin lidhur me "arabët e pacivilizuar" - edhe komente të arsyeshme dhe që shprehin shqetësim. Në ofertën online në persisht të Deutsche Welle-s një përdorues e sheh me shqetësim ngrirjen e marrëdhënieve diplomatike mes Riadit dhe Teheranit dhe druhet për "pasoja serioze". "Nga njëra anë mund të vuanin si rrjedhojë e kësaj marrëdhëniet ekonomike me shtetet e tjera arabe. Nga ana tjetër përkeqësimi i marrëdhënieve mes Iranit dhe Arabisë Saudite si fuqia sunite mbrojtëse mund të krijojë përshtypjen sikur Irani në përgjithësi ka probleme me sunitët."

Një tjetër lexues iranian thekson megjithatë, se Irani ka gjithësesi "probleme me sunitët" e madje me të vetët: "Me sa duket aktivistët tanë kanë harruar, që tek ne jetojnë dhjetë milionë sunitë. Përse bëjmë ne dallim, nëse vriten sunitë në Iran apo në arabinë Saudite? Nuk ka rrugë mjaftueshëm në Arabinë Saudite, për të përkujtuar sunitët e vrarë në Iran", shkruan autori i komentit.

Në raportin e Amnesty International bëhet fjalë për gati 700 ekzekutime në Iran në gjysmën e parë të vitit 2015 e ndër të tjera thuhet: "Ndër të ekzekutuarit janë edhe anëtarë të pakicave fetare dhe etnike, që janë shpallur fajtorë për 'armiqësi ndaj Zotit' dhe korrupsion në Tokë', ndër ta janë kurdë dhe sunitë."

Një përdorues tjetër në komentin e tij kujton sulmin e ambasadës së SHBA-së më 1979 dhe pasojat: "Veprimi i një grupi të vogël dritëshkurtërish, që sulmuan përfaqësitë e huaja, rrezikuan 37 vjet më vonë interesat kombëtare të Iranit dhe të 70 milionë shtatsve të tij."

Një tjetër lexues në ofertën e Deutsche Welle-s në internet ankohet, se liria e lëvizjes për Iranin e aritur përmes marrëveshjes atomike po vihet në rrezik me mendjelehtësi: "Politika e jashtme është ndër veprimtaritë më të rëndësishme të çdo qeverie. Nëse tolerohet sulmi ndaj ambasadave, pavarësisht se për çfarë arsye, atëherë ky është rezultati. Kështu ne përjetojmë krizë pas krize. Ende pa e kapërcyer krizën atomike, ne jemi bllokuar prej krizës tjetër, ndoshta me luftë ose me izolim. Iranianët me sa duket nuk duan të jetojnë në paqe."

Ftohja e raporteve me Riadin mund të spostohet në plan të dytë, nëse bëhet fjalë për frytet e marrëveshjes atomike. Kjo për faktin, se zgjerimi i programit iranian të raketave, që nxitet fare hapur prej Teheranit, kërcënon me rivendosjen e sansksioneve të reja tregtare të SHBA-së kundër Iranit.