PE miraton një rezolutë për zgjerimin e BE-së
23 Nëntor 2012Në Strasburg ku së fundi kryesisht flitet për krizën financiare, shumë europarlamentarë thonë se "ata nuk do të ishin fare atje, po të mos ekzistonte zgjerimi i Bashkimit Evropian". Raportuesja e Parlamentit Evropian Marilena Koppá, paralajmëron nga "dëshpërimi" që po vërehet kohët e fundit, si pasojë e lodhjes me zgjerimin e BE-së. Eurodeputetja greke thotë se një prej sukseseve më të mëdha në politikën e jashtme ishte pikërisht zgjerimi i BE-së.
„Kjo fuqi e Evropës është theksuar edhe me rastin e ndarjes së Çmimit Nobel për Paqe‟, pohon ajo. Dëshpërimi që vërehet gjithandej është megjithatë i arsyeshëm. BE-ja po vë objektiva gjithnjë e më të larta, ndërkohë që disa politikanë vënë në pikëpyetje të gjitha, në veçanti anëtarësimin e një vendi të caktuar, Turqisë.
Mendime të ndryshme për Turqinë
Në debatin e fundit nuk u fol gati aspak lidhur me disa kërkesa për rivendosjen e vizave për disa vende të Ballkanit. Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fülle pohon se "Kriteriet e Kopenhagës", të miratuara para 20 vitesh, mbeten edhe më tej baza e negociatave për anëtarësimin e vendeve të tjera. Marilena Koppá lidhur me këtë thotë: "Bëhet fjalë për besueshmërinë ndaj nesh. Nëse një vend i përmbush kushtet për anëtarësim, atëherë nuk guxon të ketë asnjë dyshim se ky vend i takon familjes evropiane."
Rezistencë lidhur me këto ide ka nga konservatorët e djathtë të Austrisë, nga partia FPÖ. Franz Obermayr nga kjo parti pohon: „Raportuesja duket se shumë gjëra po i sheh me syze rozë, në veçanti ato që kanë të bëjnë me Kriteret e Kopenhagës. Në Turqi unë nuk shoh asnjë zhvillim pozitiv në çështjen e lirisë së mendimit, lirisë së mediave, lirisë së fesë dhe të drejtave të grave. Të gjitha këto janë çështje të hapura ku nuk po shoh ndonjë zgjidhje të shpejtë."
Kriteriet e Kopenhagës të miratuara në vitin 1993 parashikojnë vendosjen e stabilitetin politik, ekonominë e tregut dhe kërkojnë përbmushjen e kushteve për anëtarësim. Secili vend duhet të plotësojë për shembull kushtin e reformave juridike, para anëtarësimit.
Gabimet të mos përsëriten
Me rastin e anëtarësimit të Bullgarisë dhe Rumanisë ka pasur vërejtje se këto vende nuk janë financuar sa duhet. Tani ka vërejtje edhe lidhur me Kroacinë, e cila do të anëtarësohet në verën e vitit të ardhshëm. Eurodeputeti spanjoll José Millán Mon kritkon kërkesat e britanikëve për shkurtime në buxhet. „A është kjo BE-ja e ardhmërisë? A është kjo ardhmëria e gjeneratave të reja? Shkurtimet më së shumti dëmtojnë vendet e reja anëtare të BE-së", thotë ai.
Rezoluta e miratuar të enjten parashikon financimin e duhur të zgjerimeve të reja. Komisioni i BE-së kërkon që liderët e shteteve anëtare të kundërshtojnë frikën nga zgjerimi i BE-së. Kriza nuk duhet të ndikojë në procesin e zgjerimit, pohon socialdemokrati gjerman Knut Fleckenstein.