Hohe Hürden für den Präsidenten-Rauswurf
10 Janar 2012Fundjavën e kaluar (7./8.1.) partia 'E Majta" shprehu mendimet e veta mbi mundësinë e një procedure shkarkimi kundër Christian Wulffit. Duhet verifikuar, tha zëdhënësi për çështje juridike i partisë në parlament, Wolfgang Neskovic, nëse telefonata e presidentit te kryeredaktori i gazetës 'Bild' përmbush rrethanat e ushtrimit të presionit, në tentativë.
Në përgatitje të publikimeve të gazetës 'Bild' mbi kredinë private të marrë prej tij, Wulffi ishte përpjekur të arrinte Kai Diekmannin, kryeredaktorin e gazetës bulevardeske, si dhe Mathias Döpfnerin, shefin e shtëpisë botuese Grupi Springer (sipas të dhënave të veta, për të shtyrë me një ditë publikimin; sipas të dhënave të Bildit, për ta penguar publikimin tërësisht me anë të kërcënimeve).
Përpjekje për të ndikuar apo përpjekje për ushtrim presioni?
Hans Herbert von Arnim, profesor për të drejtë shtetërore në Universitetin Gjerman për Shkenca Administrative në Speyer, e konsideron të përligjur kërkesën e të majtëve për verifikim të çështjes. Me gjasa bëhet fjalë vërtet për ushtrim presioni në tentativë, thotë ai.
Në rast se do të ishte kështu, kjo do të kishte konsekuenca të rënda për Wulffin: "Parakusht për paditjen e presidentit është, që ky të ketë shkelur një ligj kombëtar ose ligjin themeltar, dhe neni 240 i kodit penal, që ndalon ushtrimin e presionit, është një ligj i tillë; edhe tentativa është e dënueshme."
Juridikisht e mundshme - politikisht jorealiste
Mirëpo, edhe në rast se thirrja telefonike për frikësim e Wulffit te Diekmann-i dhe te shefi i Springerit Mathias Döpfner janë për t'u vlerësuar juridikisht si ushtrim në tentativë presioni, ka shumë pak të ngjarë që të ketë procedurë shkarkimi, beson von Arnim: "Për padinë në gjykatën kushtetuese nevojitet një shumicë dy të tretash në parlament. Meqenëse shumica e Bashkimit CDU/CSU dhe e FDP-së ka qenë ajo që e ka zgjedhur në detyrë në asamblenë federale presidentin, ka shumë pak gjasa që pikërisht ajo të bëjë një kërkesë të tillë."
Bazat ligjore për paditjen e presidentit
Pengesa të larta pra për rrëzimin me votë ose për shkarkimin e presidentit: Dy të tretat e dhomës së ulët ose asaj të lartë të parlamentit duhet të vendosnin, të paraqisnin një padi kundër presidentit në gjykatën kushtetuese. Vetëm kur presidenti shkel gjatë kohës në detyrë një ligj kombëtar ose ligjin themeltar, mund të largohet nga posti.
Pra, akuzat fillestare kundër Wulffit (për përzierje të marrëdhënieve të detyrës me ato private me sipërmarrës miq, si dhe informimi jo i plotë mbi këto marrëdhënie i parlamentit të landit të Saksonisë së Ulët nuk do të përligjnin procedurë shkarkimi, pasi ato u referohen ngjarjeve para kohës së Wulffit në presidencë.
Trysni politike
Megjithatë, një procedurë penale hetimi, e cila merret me akuzat nga koha e Wulffit si kryeministër i Saksonisë së Ulët, do ta rriste edhe më shumë trysninë politike mbi të. "Në rast se ai do ta humbiste mbështetjen publike të partive dhe të kryetarëve të partive, që e ndihmuan të vinte në post, atëherë gjendja për të bëhet e vështirë; por juridikisht askush nuk mund ta detyrojë të heqë dorë nga posti.".
Autor: Rachel Gessat/ Elert Ajazaj
Redaktoi: Aida Cama