Pistorius flet për Lindjen e Mesme dhe Indo-Paqësorin me DW
1 Gusht 2024Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius foli të mërkurën për DW për evoluimin e politikës gjermane të mbrojtjes në mes të krizave të shumta të sigurisë globale, gjatë udhëtimit të tij në shtetin amerikan të Havait.
Pistorius ishte atje për të mbikëqyrur pjesëmarrjen e marinës gjermane në stërvitjet ushtarake Rimpac të udhëhequra nga SHBA.
Pistorius theksoi nevojën për të ulur tensionin në Lindjen e Mesme, veçanërisht pas vrasjes së Ismail Haniyeh-ut, liderit politik të Hamasit, të mërkurën në Teheran.
'Nuk duam më shumë përshkallëzim në Lindjen e Mesme'
Pistorius bëri thirrje për përpjekje diplomatike për të shmangur konfliktet e reja midis Izraelit dhe fqinjëve të tij. Lufta midis Izraelit dhe Hamasit, e shkaktuar nga sulmet e grupit militant më 7 tetor në Izraelin jugor, është përhapur që atëherë, në shkallë të ndryshme, nga Izraeli dhe Gaza në Bregun Perëndimor të pushtuar, Liban, Jemen, Siri dhe Iran.
Ministri i Mbrojtjes u shpreh dakord me homologun e tij, Sekretarin e Mbrojtjes së SHBA, Lloyd Austin, se një "përshkallëzim i mëtejshëm" mund të shmanget.
"Duhet shmangur, sepse askush nuk mund të dëshirojë apo të përfytyrojë përshkallëzim të mëtejshëm në rajon”, tha Pistorius për DW. "Ne nuk kemi nevojë për këtë, ne nuk e duam këtë.""
"Ne duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për të kthyer paqen në atë rajon sa më shpejt të jetë e mundur”.
Tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur pas vrasjes së Haniyeh-ut të mërkurën dhe vrasjes së raportuar të liderit të lartë të Hezbollahut, Fouad Shukur, të martën.
Izraeli pretendoi se forcat e tij kryen vrasjen e Shukurit në Bejrut, kryeqytetin libanez, për orkestrimin e një sulmi vdekjeprurës në Lartësitë Golan të kontrolluara nga Izraeli që la të vdekur 12 fëmijë.
Nevojë për bashkëpunim ndërkombëtar në rajonin Indo-Paqësor
Pistorius theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në rajonin Indo-Paqësor, veçanërisht përballë agresivitetit në rritje të Kinës.
Të hënën, anëtarët e Quad-it - SHBA, Australia, India dhe Japonia - nxorrën një deklaratë të përbashkët ku shprehin shqetësimin për manovrat e rrezikshme të Pekinit në Detin e Kinës Jugore dhe ku zotohen të rrisin sigurinë detare në rajon.
Në intervistën e tij, Pistorius pohoi mbështetjen e Gjermanisë për vendet që ndjejnë presion nga Pekini, si Filipinet dhe Koreja e Jugut. Ai tha se Gjermania po përshtat rregullat e kontrollit të eksporteve, për të përmirësuar bashkëpunimin e mbrojtjes me aleatët rajonalë.
Ai e përshkroi praninë gjermane në Detin e Kinës Jugore me dy anije së bashku me aleatët dhe partnerët e tjerë si një "sinjal të fortë", që tregon se Gjermania po monitoron nga afër evoluimin e situatës.
Ajo gjithashtu tregon "se ne mbështesim rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla, veçanërisht kur bëhet fjalë për vendet më të vogla".
Pistorius ishte në Hawaii për të mbikëqyrur pjesëmarrjen e trupave gjermane në manovrat e përbashkëtaImage: Soeren
Anëtarët e NATO-s duhet të bëjnë më shumë për sigurinë e tyre
Në intervistën me DW, Pistorius deklaroi se partnerët evropianë dhe anëtarët e NATO-s duhet "të bëjnë më shumë për sigurinë e tyre", veçanërisht përballë sulmit rus në vazhdim ndaj Ukrainës.
Ai bëri thirrje për rritjen e shpenzimeve evropiane të mbrojtjes, përballë luftës që kërcënon krahun lindor të NATO-s, dhe mbështetjen e Ukrainës si një mburojë kundër Rusisë.
"Ne duhet të forcojmë aftësitë e ukrainasve për t'u mbrojtur, veçanërisht kur bëhet fjalë për mbrojtjen ajrore."
Ai tha se kjo është e pavarur nga ndryshimet në administratën amerikane. Zgjedhjet e ardhshme në SHBA janë planifikuar për në nëntor.
"Kushdo që të jetë në Shtëpinë e Bardhë, ne duhet të bëjmë atë që duhet të bëjmë dhe duhet të qëndrojmë së bashku me aleatët tanë”, tha ministri i mbrojtjes. "Kjo është ajo që ne duhet të bëjmë në të ardhmen."
Kjo intervistë u realizuar nga Michaela Küfner, kryeredaktore për temat politike në DW.