1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

KFOR: Ushtarë të plagosur në përplasje me protestues serbë

29 Maj 2023

Gjatë protestave serbët sulmuan disa ushtarë të kontingjentit italian dhe hungarez të KFOR-it. Ushtarët pësuan thyerje në pjesë të ndryshme të trupit dhe kanë marrë djegie nga përdorimi i lëndëve shpërthyese.

https://p.dw.com/p/4Rwef
11 ushtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it u plagosën gjatë një përplasje me grupe protestuesish serbë pasditën e së hënës (29.05)
11 ushtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it u plagosën gjatë një përplasje me grupe protestuesish serbë pasditën e së hënës (29.05)Fotografi: Erkin Keci/AA/picture alliance

Rreth 25 ushtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it u plagosën - tre syresh rëndë, por jashtë rrezikut për jetën - gjatë një përplasje me grupe protestuesish serbë pasditën e së hënës (29.05). Të lënduar në veri të Kosovës ka edhe nga radhët e protestuesve, por akoma nuk dihet numri i saktë.

Përplasja e protestuesve me ushtarët e KFOR-it, ndodhi para zyrave të komunave në veri të Kosovës
Përplasja e protestuesve me ushtarët e KFOR-it, ndodhi para zyrave të komunave në veri të KosovësFotografi: Bojan Slavkovic/AP/picture alliance

Lajmin për plagosjen e 11 ushtarëve italianë të KFOR-it e bëri të ditur vetë ministri i Jashtëm italian, Antonio Trajani. Ndërkohë KFOR-i në një komunikatë për mediat tha se "pasditen e sotme njësitet e KFOR-it janë dislokuar në katër komunat e veriut të Kosovës për të frenuar demonstratat e dhunshme që ndodhën pasi kryetarët e sapozgjedhur të komunave u përpoqën të ushtrojnë detyrën nga ndërtesat e kuvendeve komunale”.

KFOR-i njofton se gjatë protestave objekt i sulmeve të paprovokuara kishin qenë disa ushtarë të kontingjentit italian dhe hungarez. Sipas njoftimit "ushtarët kanë pësuar thyerje në pjesë të ndryshme të trupit dhe kanë marrë djegie nga shpërthimi i mjeteve ndezëse”.

Sulmet e paprovokuara janë të papranueshme

"Komandanti i misionit të KFOR-it, gjenerali i divizionit Angelo Michele Ristuccia, personalisht po e përcjell zhvillimin e situatës dhe shpreh keqardhjen e tij për burrat dhe gratë e misionit të lënduar gjatë përleshjeve. Ai theksoi se sulmet e paprovokuara ndaj njësive të NATO-s janë të papranueshme dhe KFOR-i do të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij në mënyrë të paanshme”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

KFOR: Sulmet e paprovokuara janë të papranueshme
KFOR: Sulmet e paprovokuara janë të papranueshmeFotografi: Bojan Slavkovic/AP/picture alliance

Përplasja e protestuesve me ushtarët e KFOR-it, ndodhi para zyrave të komunave në veri të Kosovës ku protestues serbë u mblodhën për të penguar hyrjen e kryetarëve shqiptarënë kuvendet komunale. Përplasjet e KFOR-it me grupet protestuese filluan kur ushtar të KFOR-it u bënë thirrje serbëve që t'u hapin rrugën dy makinave të forcave speciale të policisë së Kosovës të cilët që nga java e kaluar po qëndrojë afër kuvendeve komunale në veri.

Protestuesit sulmuan edhe mediet që raportonin nga vendi i ngjarjes
Protestuesit sulmuan edhe mediet që raportonin nga vendi i ngjarjesFotografi: Bojan Slavkovic/AP/picture alliance

Protestuesit serbë hodhën në drejtim të KFOR-it gaz lotsjellës, gurë e mjete të tjera të forta. Protestuesit sulmuan edhe mediet që raportonin nga vendi i ngjarjes duke demoluar dhe djegur të paktën një veturë të një mediumi lokal.

QUINT dënon ashpër dhunën e protestuesve serbë  

Ambasadorët në Prishtinë të vendeve të QUINT-tit dënuan ashpër dhunën e protestuesve serbë ndaj ushtarëve të KFOR-it  dhe gazetarëve, ndërsa, bëjnë thirrje për shtensionim të situatës.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se "BE-ja dënon fuqishëm veprimet e dhunshme të protestuesve në Zveçan”, duke përsëritur thirrjen "për ndalimin e menjëhershëm të dhunës dhe uljen e tensioneve”.

BE-ja dënon fuqishëm veprimet e dhunshme të protestuesve në Zveçan
BE-ja dënon fuqishëm veprimet e dhunshme të protestuesve në ZveçanFotografi: AFP/Getty Images

Ambasadori gjerman në Kosovë Jorn Rohde, shkroi se "situata duhet të shtensionohet menjëherë”.

"Çdo veprim i dhunshëm ndaj KFOR-it dhe gazetarëve është absolutisht i papranueshëm dhe duhet të ndalet tani - nevoja për të shtensionuar situatën është e menjëhershme”, shkroi Rohde në Twitter.

Dhunë ndaj KFOR-it dhe gazetarëve nga protestuesit në veri të Kosovës
Dhunë ndaj KFOR-it dhe gazetarëve nga protestuesit në veri të Kosovës Fotografi: Bojan Slavkovic/AP/picture alliance

Edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, shkroi se "SHBA dënon fuqishëm veprimet e dhunshme të protestuesve sot në Zveçan, përfshirë përdorimin e eksplozivëve, kundër pjesëtarëve të KFOR-it". Hovenier shtoi se "Ne përsërisim thirrjen tonë për një ndalim të menjëhershëm të dhunës ose veprimeve që ndezin tensionet ose nxisin konfliktin".

Osmani: Akte të papranueshme dhune

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani nga ana e saj, tha se "tensionet në veri po shkaktohen nga strukturat ilegale serbe të kthyera në banda kriminale”, të cilët kanë sulmuar policinë e Kosovës, oficerët e KFOR-it dhe gazetarët.

Trupat e KFOR-it në veri të Kosovës
Trupat e KFOR-it në veri të KosovësFotografi: Marjan Vucetic/AP/picture alliance

"Këto akte të papranueshme dhune duhet të dënohen nga të gjithë. Ata që zbatojnë urdhrat e Vuçiqit për destabilizimin e veriut të Kosovës, duhet të përballen me drejtësinë”, shkroi presidentja.

Që nga mëngjesi i së hënës grupe protestuesish serbë u mblodhën në përpjekje për të hyrë në ndërtesat e komunave, në të cilat kryetarët shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, hynë të premten e kaular (26.05.) në zyrat e tyre nën përcjelljen e policisë.

dw (dpa, Reuters, afp)