130109 Ägypten Friedensplan
14 Janar 2009Armëpushim apo tërheqje? Kjo është pyetja që shtrohet aktualisht. Plani i paqes i Egjiptit parashikon fillimisht një armëpushim të kufizuar dhe bisedime, të cilat do t'i jepnin fund kontrabandës së armëve, do të hapeshin pikat kalimtare të kufirit - si dhe një tërheqje të trupave izraelite. Diplomatët perëndimorë, së fundi edhe ministri i jashtëm gjerman, Frank Walter-Steinmeier dhe ish-kryeministri britanik, Tony Blair, e mbështetën këtë plan.
Nga pala arabe ai do të shihej me sy kritik, thotë politolologu egjiptian Hasan Nafa: “Kërkesat e së ashtuquajturës “iniciativa egjiptiane” pasqyrojnë në të vërtetë kërkesat e Izraelit përsëri. Ato mund të përmbushen vetëm në qoftë se ka një fitore të qartë ushtarake. Çështja thelbësore e “iniciativës” është përpjekja për të arritur një rezultat pa veprime luftarake”.
Hamasi ka rezerva për planin e paqes
Pika më kritike e Hamasit është kërkesa për një armëpushim deri në 15 vjet, pa tërheqjen e menjëhershme të ushtrisë izraelite. Por një prezencë e pushtuesve në Rripin e Gazës është e papranueshme, u tha ditën e martë. Po ashtu vëzhguesit ndërkombëtarë të kufirit i kundërshtuan islamistët. Në Kairo, në të njëjtën kohë ishin për bisedime përfaqësues të Hamasit nga Siria dhe nga Rripi i Gazës. Edhe Musa Abu Marsuk-u, numri dy i byrosë politike të Hamasit që jeton në Damask, ishte i pranishëm në këto bisedime: "Ne kemi pa dyshim rezerva dhe dëshirë për ta ndryshuar planin e paqes të Egjiptit. Në qoftë se këto dëshira merren parasysh, mund të krijohet një paketë që mund të çojë në një zgjidhje. Këtë "iniciativë" në formën e saj aktuale ne nuk e pranojmë".
Mubarak kërkon mbështetje për planin e paqes
Megjithatë, egjiptianët këmbëngulin hapur që të qëndrojnë tek versioni i deritanishëm. Dhe me këtë qëndrim u bë e qartë që Kairoja është kundër një takimi të posaçëm të Ligës Arabe, që është caktuar të mbahet javën e ardhshme më 16 janar në Katar, për të rishikuar edhe njëherë planin e paqes. Presidenti i Egjiptit, Mubarak të martën pasdite ka udhëtuar së bashku me shefin e tij të shërbimit sekret për në Arabinë Saudite, për t'u konsultuar me mbretin Abdullah. Supozohet që ai ka shkuar për të kërkuar mbështetje për planin e tij të paqes dhe përkrahje kundër organizimit të takimit arab.
Hasan Nafa, politologu egjiptian e vlerëson qëndrimin egjiptian, si kapitullim përballë Izraelit. "Izraeli po përpiqet që të gjitha palëve arabe dhe jo arabe t'u diktojë vendimet e tij. Pikërisht këtë Egjipti e ka kuptuar, por nga ana tjetër ai e ka kuptuar po ashtu që nuk mund t'i ndihmojë palestinezët.“ Strategjia e Egjiptit është të zhvillojë bisedime me të dyja palët dhe të ofrojë shpresa që kjo strategji të jetë e suksesshme. Këtë e bëri të ditur edhe këshilltari i ministrit izraelit të mbrojtjes, Amos Gilad, i cili do të jetë të mërkurën i pranishëm në raundin e dytë të bisedimeve në Kajro.