1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Plot pengesa - Reforma e pensioneve në Greqi

Jannis Papadimitriou8 Maj 2016

Të dielën qeveria greke miraton reformën e kontestuar të pensioneve. Pensionistët janë të zemëruar, sindikatat organizojnë greva masive. Greqia sërish përballet me fytyrën e ashpër të krizës.

https://p.dw.com/p/1IjZN
Griechenland wütende Rentner vor National Bank Athen
Pensionistë të zemëruar para Bankës Kombëtare, AthinëFotografi: Reuters/Christian Hartmann

Dimitris është i mllefosur: Deri më tani ish-punëtori i ndërtimit duhej të jetonte me 406 Euro në muaj, tani edhe kjo shumë që mezi mjafton për të mbijetuar, do të shkurtohet sipas planeve të qeverisë. Sfondi i kësaj historie: Dimitri për shkak të problemeve shëndetësore doli në pension të parakohshëm, me 235 euro, këtij iu shtua një ndihmë solidariteti prej 153 eurosh, së cilës tani do t'i vihet kryqi . Sepse çdo shumë që kalon bazën e pensionit është për kreditorët një gjemb në këmbë dhe duhet të shkurtohet.

Nëse vendimi merret, Dimitris duhet të kërkojë para nga fëmijët për të jetuar, gjë që është shumë e vështirë për pensionistin me origjinë nga familje fshatare e që ka punuar gjithë jetën. “Kam qenë pesë vjeç, kur kam punuar me prindërit në stallë, më vonë kam qenë shofer. Kam punuar shumë derisa një ditë u shtrova në spital me infarkt në zemër. Për hiçgjë.”

Griechenland Rentner National Bank Athen
Fotografi: Reuters/Christian Hartmann

Shkurtime të forta

Pas hezitimit të gjatë, kryeministri grek ia ofroi parlamentit reformën e pensioneve në prill. Parashikohen shkurtime në shumën 3 miliardë Euro deri në vitin 2019, si edhe shkurtime në kontributet sociale. Ndryshe nga reformat e tjera, kjo do të miratohet të dielën (8.05) - para takimit të ministrave të Financave të hënën. Në këtë takim do të jenë në qendër përpjekjet për reforma të Greqisë. Sindikatat reagojnë me një grevë të përgjithshme dyditore. Ministri për Çështjet Sociale, Jorgos Katrougalos përpiqet ta zbusë gjendjen: Nëntë nga dhjetë të siguruar do të jenë më mirë pas reformës, se më parë, thotë ai. Por pensionisti Dimitris nuk i beson asnjë fjalë ministrit. “Sa na kanë premtuar këta njerëz, kur ishin në opozitë: Do rrisnin pagën minimale, do të shfuqizonin shkurtimet e pensioneve. Asnjë nga këto premtime nuk është mbajtur.

Kreditorët ende nuk kanë dhënë miratimin e tyre

Vendimi i Tsipras për ta çuar në parlament reformën e pensioneve në parlament edhe pa miratimin e kreditorëve ka hasur në kritika- Tsipras goditet nga të gjtha anët: Ata që preken nga reforma ankohen për shkurtime të dhimbshme, ndërsa për kreditorët shkurtimet nuk janë të mjaftueshme. “Sjellja e kësaj qeverie bart rreziqe”, thotë politikania konservatore europiane, Marietta Giannakou në intervistë për radion greke.

Analisti për çështjet ekonomike, Kostats Stoupas e shikon ngërçin ku është futur Tsipras dhe thotë se kryeministri po përpiqet në “një mënyrë teatrale” të demonstrojë guxim- “Mesazhi i Tsipras është: Ndryshe nga qeveritë e mëparshme, që përkuleshin, ne jemi të gatshëm të marrim vendimet tona.”

Griechenland Krise Menschen vor Bank
Fotografi: Reuters/Y. Behrakis

Nën ndikimin e kreditorëve në vitet e fundit kanë ndryshuar shumë gjëra në sistemin grek të pensioneve. Mosha e pensionit është rritur në 67 vjeç –por për të siguruarit që janë futur në tregun e punës pas vitit 1993. Mesatarisht pensionistët marrin sot 25% më pak pension, se para krizës, me pasojë që çdo i dyti pensionist ndodhet nën kufirin e varfërisë.

“Rrebesh taksash” në horizont

Sikur të mos mjaftonin shkurtimet e pensioneve: Të dielën parlamenti grek do të miratojë edhe rritje tatimesh për benzinën, cigaret, televizionin kabllor dhe lojërat e fatit. Aktualisht debatohet edhe për një tatim të internetit dhe një kontribut të posaçëm bankar për transfertat. Taksa mbi vlerën e shtuar po ashtu do të rritet në 24%.

Për duhanpirësin e pasionuar Dimitris rritja e këtyre tatimeve sjell shqetësime të reja me vete. Por më shumë atë e rëndon rritja e tvsh-së, që nënkupton shtrenjtim të ilaçeve, rrymës elektrike dhe ujit. Për gjendjen e Greqisë, pensionisti bën përgjegjës qeveritë e mëparshme. Por edhe kreditorët nuk janë pa faj, sipas tij. “Ata duhet ta kenë kuptuar që reformat nuk mund të bazohen vetëm në rritje tatimesh dhe shkurtime pensionesh. Megjithatë ata këmbëngulin”, thotë Dimitris. Ajo që e zemëron më shumë: Vetëm deputetët i shpëtojnë shkurtimit të pensioneve. Për këtë privilegj ministri i Çështjeve Sociale, Katrougalos ka një shpjegim shumë të thjeshtë, që e zemëron pensionistin. “Kontributet për pensionin e deputetëve financohen nga shteti dhe jo nga kontributet sociale.”