Policia e Kosovës mbyll një komunë paralele serbe
17 Tetor 2024Policia e Kosovësbëri të ditur se ka mbyllur një zyre ilegale të Serbisë në veri të Kosovës, e cila ka shërbyer si komunë paralele serbe për Skenderajn, një komunë kjo në Kosovën qendrore e banuar me shumicë shqiptare. Sipas policisë "prokurori kompetent, ka urdhëruar që provat materiale që u gjenden në këtë zyre të sekuestrohen dhe zyra të mbyllet, ndërsa personat përgjegjës të intervistohen”.
Menjëherë ka reaguar shefi i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, i cili tha se "ky është një veprim në kundërshtim të drejtpërdrejtë me të gjitha marrëveshjet dhe ecurinë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”.
Petkoviq akuzon Kosovën
"Ky është autoriteti i dhjetë i Përkohshëm që autoritetet në Prishtinë e mbyllën arbitrarisht dhe ilegalisht, pas mbylljes së tyre në Shtërpcë, Klinë, Istog, Gorazhdevc, Gorë, Mitrovicë, Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok. Albin Kurti, me mbylljen e këtyre institucioneve, që janë baza e formimit të Asociacionit të komunave serbe, po tregon se nuk e ka ndërmend të formojë ndonjëherë Asociacionin dhe të përmbushë detyrimet e tij që rrjedhin nga marrëveshja e Brukselit”, thuhet në reagimin e Zyrës serbe të drejtuar nga Petar Petkoviq .
"Megjithatë, ai gabon nëse mendon se Beogradi do të heqë dorë ndonjëherë nga kërkesa për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe se do të mund të shpëtojë nga detyrimet e tij”, thuhet më tej në reagim.
Veprimet e qeverisë
Një muaj më parë autoritetet e Prishtinës mbyllën katër komuna paralele të Serbisë në veri të Kosovës që kanë shërbyer për komunat më të mëdha të banuara më shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviç. Sipas qeverisës së Kosovës, shuarja e institucioneve, apo strukturave paralele serbe është paraparë me marrëveshjen Kosovë-Serbi të vitit 2013, për normalizimin e marrëdhënieve, zbatimi i së cilës ka ngecur.
Autoritetet ndërkombëtare me mbylljen e institucioneve paralele serbe në veri, që përfshiu edhe mbylljen e zyrave të Postës së Serbisë, patën shprehur shqetësimin se kjo mund të nxisë tensione. Ato kanë kërkuar që çështjet që lidhen me situatën në veri të Kosovës të trajtohen vetëm në kuadër të dialogut në Bruksel. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas aksioneve të Prishtinës zyrtare për mbylljen e strukturave paralele serbe, prezantoi në Beograd një varg masash për serbët nga Kosova, ndër to edhe pagesa e beneficioneve për punonjësit e institucioneve të mbyllura në Kosovë, që sipas Vuçiq janë 6.000 persona që u pushuan nga puna. Vuçiq tha se institucionet serbe nuk do të shfuqizohen apo mbyllen dhe bëri të ditur se do të hapet një zyrë regjistrimi në qytetet serbe Rudnicë dhe Ribariq që janë afër kufirit me Kosovën. Këto zyra do të ofrojnë shërbime për serbët e Kosovës.