1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Policia përdor pompa uji kundër kundërshtarëve të Erdoganit

afp, ape, dpa, rtr/Angjelina Verbica23 Dhjetor 2013

Turqia tronditet nga një skandal korrupsioni, por edhe nga një luftë për pushtet dhe komplikime konkrete diplomatike. Trysnia ndaj kryeministrit Erdogan rritet e rritet. Por ai reagon si zakonisht.

https://p.dw.com/p/1Af1o
Türkei Proteste gegen AKP in Istanbul
Fotografi: REUTERS

Policia turke ka ndërhyrë kundër protestuesve anti-qeveritarë me gaz lotsjellës dhe pompa uji. Qindra vetë kërkuan në Stamboll dorëheqjen e qeverisë së kryeministrit Rexhep Taip Erdogan. Ata protestuan edhe kundër valës së shkarkimit të dhjetëra shefave të policisë në të gjithë vendin. Hetuesit kishin zbuluar ryshfete, leje të paligjshme ndërtimesh dhe raste të pastrimit të parave, të cilat kanë gjasa të arrijnë deri në qarqet më të larta të qeverisë. Pasi u morën në paraburgim edhe djemtë e ministrit të Brendshëm Muamer Gyler dhe të ministrit të Ekonomisë Zafer Caglayan, po shkarkohen nga puna gjithnjë e më shumë oficerë të lartë të policisë. Si pasojë kritikët dyshojnë se qeveria synon të pengojë hetimet.

Aksione masive spastrimi

Gazeta "Hurriyet Daily News" njoftoi për shkarkimin e 25 hetuesve të tjerë. Kështu rreth 70 zyrtarë kanë humbur postet e tyre, ndër ta edhe shefi i policisë së Stambollit. Gazeta e cilëson këtë, aksion të "spastrimeve masive". Ndërsa Erdogan i cilëson hetimet për korrupsion si "operacione të ndyra" kundër qeverisë së tij konservatore islame. Pas fushatës qëndrojnë "lidhjet e errëta" nga brenda dhe jashtë vendit, thotë ai. Akuza të ngjashme pati ngritur Erdogan verën e kaluar në lidhje me protestat kundër qeverisë së tij në mbarë vendin.

Türkei - Proteste gegen Korruption
Fotografi: Getty Images

Tani Erdogan akuzon direkt edhe qeveritë e huaja, të jenë të përfshirë në këtë fushatë. Ai akuzon ambasadorë të pacilësuar me emër për "veprimtari provokuese". Në mënyrë indirekte ai i kërcënon ata me largim nga vendi, njofton agjencia e lajmeve Anadolu Ajansı: "Ne nuk jemi të detyruar t'i lëmë ata në vendin tonë." Ambasadori i SHBA Francis Ricciardone reagoi menjëherë dhe theksoi se SHBA nuk kanë të bëjnë "në asnjë mënyrë" me hetimet për korrupsion.

“Largohu nga Turqia"

Në fakt zemërimi i Erdoganit drejtohet edhe kundër partnerit në NATO, SHBA. Disa gazeta pro-qeveritare akuzuan në fundjavë veçanërisht ambasadën e SHBA-së, se mbështet hetimet kundër bankës shtetërore Halkbank, e cila bën biznese me Iranin. Drejtori i përgjithshëm i saj u arrestua gjithashtu të shtunën. Gazeta "Yeni Safak" botoi një fotografi të ambasadorit amerikan Francis Ricciardone nën titullin: "Largohu nga Turqia". Ambasada amerikane i hodhi poshtë të gjitha akuzat si "gënjeshtra të plota dhe shpifje".

Ambasadori amerikan në Turqi, Francis Ricciardone
Ambasadori amerikan në Turqi, Francis RicciardoneFotografi: picture alliance/AP Images

Vëzhguesit konstatojnë prapa këtyre zhvillimeve luftën për pushtet midis Erdoganit dhe përkrahësve të rivalit të tij, ish-aleatit politik, Fethullah Gylen. Lëvizja Gylen konsiderohet si veçanërisht me ndikim në drejtësi dhe në forcat e policisë. Ky klerik islam jeton në SHBA pas një padie kundër tij. Në muajt e fundit tensionet në mes dy kampeve janë rritur. Ato mund të influencojnë edhe zgjedhjet lokale në mars. Që të dy mbështeten nga turqit konservatorë dhe besimtarë. Megjithatë shumë përkrahës e shohin Gylenin si përfaqësues të një rryme me orientim më modern dhe më perëndimor.