Jo të gjithë polakët i mirëpresin refugjatët ukrainas
17 Nëntor 2022"Këtu është Poloni, jo Ukrainë!", "Ukrainasit nuk i kam vëllezër", "Ndaloni ukrainizimin e Polonisë", "Kjo luftë nuk është e jona" – këto janë vetëm disa nga parrullat, që u panë dhe dëgjuan në qendër të Varshavës, në festën e sivjetme kombëtare të Polonisë, më 11.11.2022.
Më 11.11.1918 u shpall shteti i pavarur modern polak, pas 123 vitesh pushtimi prusian, rus dhe austriak. Kjo ditë ka qenë ditë feste kombëtare e Polonisë, deri në pushtimin gjerman më 1939 dhe është kthyer sërish në festë kombëtare mbas vitit 1989. Që nga ky vit, çdo vit në këtë ditë organizojnë marrshimin e tyre nacionalistët nga gjithë Polonia. Motoja e “marshimit të pavarësisë” së tyre në kryeqytetin polak në vitin 2022 ishte “Komb i forte - Poloni e madhe”.
Sipas të dhënave të organizatës në takimin e sivjetëm morrën pjesë 100 mijë vetë, 50 mijë më pak se në vitin 2021. Në demostratën e nacionalistëve u shfaqën edhe politikanë të njohur si ministri i Drejtësisë Zbogniew Ziobro, nga partia e djathtë Polonia Solidare (SP) dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Antoni Macierewicz nga partia në pushtet Partia për Ligj dhe Drejtësi (PiS).
Në fjalimet e mbajtura nuk u shanë vetëm ukrainaset dhe ukrainasit por edhe anëtarët e komunitetit LGBT. Nën thirrjet “Rruga jonë është nacionalizmi!”, demostruesit i vunë flakën flamujve të BE-së dhe flamujve me ylber, të komunitetit LGBT.
Parrullat anti-ukrainase dominuan marrshimet e nacionalistëve 2022 jo vetëm në Varshavë. Në Breslov motoja e aktivitetit organizuar krejt zyrtarisht më 11 nëntor ishte “Në Poloni hanxhi janë polakët”, por jozyrtarisht u bënë reklama për një “marshim antiukrainas”. Një nga organizatorët ishte ekstremisti i djathtë, i dënuar më parë për fjalimet raciste, ish-prifti Jacek Miedlar. Për Marshimin 2022 ai mendohet të ketë përgatitur pllakata që e krahasojnë Ukrainën me një qen, që e ka zënë tërbimi dhe që kërkonin “dëbimin” e të gjithë ukrainaseve dhe ukrainasve nga Polonia.
Miedlar nuk ishte në gjendje që të merrte pjesë në demostratë, sepse u arrestua nga policia rrugës për atje, për shkak të rrezikimit të mundshëm të rendit publik.
Koka turku për zhgënjimet
Që prej sulmit rus kundër Ukrainës më 24 shkurt, Polonia ka pranuar 1,4 milionë refugjatë nga vendi fqinjë (gjendja 14.11.2022, shënim i redaktorit). Që paralelisht me solidaritetin e treguar me Ukrainën janë rritur edhe zërat anti-ukrainase, nuk është çudi për Konrad Dulkowskin. Ai drejton organizatën joqeveritare "Qendra për monitorimin e racizmit dhe ksenofobisë " (OMZRIK) në Varshavë dhe flet për një “instrumentalizim politik” të refugjatëve, që janë larguar nga vendi ku zhvillohet lufta dhe ndodhen tani në Poloni.
"Në kohëra të vështira, kur çmimet rriten shumë dhe shumë njerëz ndihen të pasigurt, kërkohet për një armik ose një kokë turku, ku të shkarkohen zhgënjimet,” thotë Dulkowski duke folur për Deutsche Wellen. "Për fat të keq kjo dobësi njerëzore shfrytëzohet nga njerëz që duan të nxjerrin përfitime politike. Kjo të kujton ideologjinë naziste, e cila e shfrytëzoi po ashtu këtë mekanizëm.”
Sulme verbale, makina të shkatërruara, parrulla urrejtjeje në dyert e shtëpive
Dulkowski ka krijuar një listë me incidentet antiukrainase që kanë ndodhur që me fillimin e luftës. “Muajt e fundit janë njoftuar qindra herë sulme fizike dhe verbale,” tregon drejtuesi i qendrës së Varshavës për monitorimin e racizmit dhe ksenofobisë," dhe ato shtohen përditë e më shumë. Pjesa më e madhe e tyre ka të bëjë me konflikte midis komshinjve, makina me targa ukrainase që shkatërrohen, parrulla me urrejtje të shkruara në dyert e banesave dhe muret e shtëpive.
Drejtuesi i OMZRIK tregon për një ukrainase që shahet dhe rrihet nga një shofer makine, “sepse fëmijët që ishin nën kujdestarinë e saj kishin hedhur një top nën makinën e tij”.
Një klient që hodhi qumësht mbi një shitëse nga Ukraina, duke thirrur se ai i urren ukrainasit. Në Varshavë, një ukrainase është rrahur nga pronarja e shtëpisë që kishte marrë me qera, në Krakov, tre gra që ishin ulur në një stol janë sharë duke u thënë “kurva të ndyra ukrainase”, që duhet të ikin nga Polonia.
Të huajt ende të pazakonshëm
Edhe mediat polake njoftojnë për atmosferë antiukrainase. Në një letër të ngjitur në hyrje të një dyqani në qytezën Barlinek të Pomeranisë Perëndimore, njoftohet se: “Çdo qytetar ukrainas do të kontrollohet pasi ka paguar në arkë”. Në një dyqan tjetër shkruhet në gjuhën ukrainase: “Ne e dimë se të gjitha vjedhjet përfundojnë në një xhep.”
"Armiqësinë ndaj të huajve në pjesë të caktuara të shoqërisë polake”, Dulkowski e shpjegon me homogjenitetin e krijuar në shoqërinë polake pas vitit 1945. "Pjesa më e madhe e njerëzve janë rritur me besimin, se Polonia banohet vetëm nga polakët, vetëm nga katolikët, vetëm nga heteroseksualët. Pakicat mbahen të fshehura. “Migracioni aktual nga Ukraina është sfida e parë e këtij lloji për polakët.
"Kthehu në Ukrainë"
Parrullat antiukrainase që nuk dëgjohen vetëm në demostratat e nacionalistëve, por edhe në jetën e përditshme, nuk kalojnë pa pasoja. Anastassija Vysochyna, pyet veten a të qëndrojë apo të largohet nga Polonia. Mësuese e anglishtes, 31 vjeçare, ajo u largua në fillim të marsit së bashku me të birin nëntë vjeçar nga qyteti ukrainas Dnipro, dhe u vendos në Lozhin polak. Në muajin shtator ajo festonte në një piceri të njohur së bashku me një shoqe, ditëlindjen. Me vete kishin edhe fëmijët. Kur u largua nga restoranti ajo harroi buqetën me lule. Kur u kujtua, Anastassija u kthye tek piceria. Kur u kthye, e gjeti gjysmën e buqetës në një vazo, gjysmën në koshin e plehrave. "Unë i pyeta pse e kishin bërë këtë gjë,” tregon e reja për Deutsche Wellen. "Por një kamariere më sulmoi, më shkuli flokët. Djali u përplas dhe u rrëzua. Kamarierja kërkoi që të kthehesha në Ukrainë, po qe se nuk më pëlqente Polonia.” Që nga ajo kohë unë nuk ndihem më e sigurt në Poloni, tregon Anastassija më tej. “Po të mos ishte mamaja që jeton këtu, unë do të isha larguar nga ky vend”.
Solidariteti më i madh se urrejtja
Si shumë ukrainase dhe ukrainas të tjerë, edhe mësuesja nga Dnipro është përpjekur të gjejë punë, që kur ka mbërritur në Poloni. Për të përballuar jetën në Poloni, ajo jep tani mësim online anglisht për nxënëset dhe nxënësit që jetojnë në ato pjesë të Ukrainës, ku nuk zhvillohen luftime. Shumica e refugjatëve ukrainas punojnë në këtë vend të BE-së, sepse ndihma që marrin nga shteti polak është e vogël. Kjo është një nga arsyet, që sipas sondazheve bën që shumica e polakeve dhe polakëve t’i shohë si fitim për vendin dhe jo si ngarkesë.
Që prej korrikut 2022, Qendra për Monitorimin e Racizmit dhe Ksenofobisë ka denoncuar në polici 170 incidente antiukrainase. Drejtuesi i qendrës, Konrad Dulkowski njofton për hetimet që zhvillohen në disa çështje. Në majin shtator një burrë që kishte sharë ukrainasit në internet, u dënua me gjobë prej 650 eurosh, dënimi më i rëndë dhënë deri tani një polaku për aktivitete antiukrainase. Në llogarinë në twitter të shoqatës së tij, Dulkowski ka komentuar duke thënë: "Ky është një paralajmërim për të gjithë ata, që besojnë se fjalimet raciste dhe armiqësore ndaj të huajve mbeten pa u dënuar.”