1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëPoloni

Poloni: Qindra mijëra vetë protestojnë kundër qeverisë

5 Qershor 2023

Kërkesës së opozitës polake për protestë kundër qeverisë së PiS i janë përgjigjur disa qindra mijëra vetë. Shkak është një projektligj që mund të ketë efekte masive në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vjeshtë.

https://p.dw.com/p/4SBqQ
Marshimi i opozitës në Varshavë
Marshimi i opozitës në VarshavëFotografi: Jakub Porzycki/AA/picture alliance

Qindra mijëra vetë kanë protestuar në Varshavë kundër politikës së qeverisë nacional-konservatore, PiS. Organizatorët kanë bërë fjalë për protestën më të madhe që nga rrëzimi i komunizmit në vitin 1989. Një zëdhënës i organizimit të demonstratës bëri fjalë për një gjysmë milioni njerëz në protestë. Portali online Onet bëri fjalë për 300.000 protestues në kulmin e marshimit kundër qeverisë.

Në radhë të ngushta protestuesit shkuan në qendrën e Varshavës duke mbajtur pllakate me mbishkrimin "Europa kërkojmë falje për PiS", etj. Në protesta mori pjesë edhe nobelisti i paqes dhe ish drejtuesi i sindikatës Solidarnosc, Lech Walesa.

Varshavë
Fotografi: Beata Zawrzel/NurPhoto/picture alliance

Kujtim i lëvizjes për demokraci në vitin 1989

Për protestën bëri thirrje ish-kreu i qeverisë dhe drejtuesi i opozitës, Donald Tusk nga Platforma Qytetare liberal-konservatore. Por edhe parti të tjera opozitare iu bashkuan thirrjes. 4 Qershori është një ditë e rëndësishme në Poloni. Në vitin 1989 në këtë ditë u zhvilluan për herë të parë pjesërisht zgjedhje të lira, një triumf i lëvizjes demokratike dhe sindikatës Solidarnosc, që në të njëjtën kohë shënoi edhe fillimin e fundit të regjimit komunist. "Ne jemi këtu sot, që e gjithë Polonia, e gjithë Europa, e gjithë bota të shohë, se sa të fortë jemi, se sa shumë prej nesh janë të gatshëm të luftojnë për lirinë dhe demokracinë ashtu si para 40 vjetësh", tha Tusk para demonstruesve.

Lech Walesa dhe Donald Tusk
Lech Walesa dhe Donald TuskFotografi: Czarek Sokolowski/AP Photo/picture alliance

Rezistencë kundër "Lex Tusk"

Protesta drejtohet edhe kundër një ligji të ri, që parashikon kirjimin e një komisioni hetimor për ndikimin rus. Kritikët akuzojnë partinë qeverisëse PiS, se me këtë ligj synon që pak muaj para zgjedhjeve parlamentare të diskreditojë politikanë opozitarë për gjoja lidhje miqësore me Rusinë. Ky komision do duhet të vërtetojë, nëse të mandatuar të qeverisë në vitet 2007 deri në vitin 2022 kanë marrë vendime nën ndikimin e Rusisë, të cilat mund të kenë rrezikuar sigurinë e Polonisë. Mediat polake bëjnë fjalë për ligjin "Lex Tusk", një ligj i bërë posaçërisht kundër Donald Tusk. Ish-kreu i qeverisë polake, Tusk ka qenë nga viti 2007 deri në vitin 2014 kreu i qeverisë polake dhe konsiderohet si kundërshtari më i ashpër i kreut të PiS, Jaroslaw Kaczynski. Qeveria e PiS e akuzon atë, se ka nënshkruar me Rusinë marrëveshje gazi jo në favor të Polonisë.

la/tgsch